• e hënë, 30 mars 2026

BDI: Jo iniciativa të reja, por zbatim të Ligjit për gjuhët, pa zbatim të Ligjit për gjuhët, çdo "zgjidhje" është mashtrim

BDI: Jo iniciativa të reja, por zbatim të Ligjit për gjuhët, pa zbatim të Ligjit për gjuhët, çdo

Shkup, 29 mars 2026

Çfarëdo iniciative e re që synon të anashkalojë zbatimin e drejtpërdrejtë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në provimet për kandidatët juristë përbën një mashtrim të madh dhe një përpjekje për të shmangur obligimet që burojnë nga ligji. Çështja e përdorimit të gjuhës shqipe në këto provime nuk është çështje që kërkon zgjidhje të reja, iniciativa të reja apo interpretime të reja, por kërkon vetëm zbatim të ligjit ekzistues. Çdo devijim nga kjo rrugë përbën në thelb shmangie të detyrimeve ligjore dhe degradim të statusit aktual gjuhësor, theksohet në kumtesën e BDI-së të cilën MIA e përcjell në formë integrale.

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është lex specialis dhe si i tillë ai zbatohet drejtpërdrejt dhe ka përparësi në raport me ligjet e tjera. Ky ligj është i qartë, preciz dhe i plotë në situatat që i parasheh, përfshirë edhe përdorimin e gjuhëve për provimin e jurisprudencës, noterisë dhe përmbarimit. Për këtë arsye, çdo iniciativë për harmonizim të ligjeve të tjera me arsyetimin se vetëm pas harmonizimit mund të zbatohet përdorimi i gjuhës shqipe përbën shkelje të rendit juridik dhe relativizim të një të drejte të garantuar me ligj.

Qëndrimi se problemi zgjidhet përmes harmonizimit të ligjeve për provimin e jurisprudencës, noterisë dhe përmbarimit është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, konkretisht me nenin 23 paragrafët 4 dhe 5, të cilat tashmë e rregullojnë qartë përdorimin e gjuhës dhe nuk lënë asnjë hapësirë që kjo e drejtë të kushtëzohet me harmonizim të ligjeve apo me kërkesë nga kandidati. E drejta e përdorimit të gjuhës nuk është favor, por e drejtë e garantuar dhe nuk mund të varet nga procedura shtesë administrative apo interpretime të gabuara.

Problemi real nuk është mungesa e harmonizimit të ligjeve, por mungesa e vullnetit për të zbatuar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Propozime të tilla, përfshirë edhe ato të Avokatit të Popullit, në thelb përfaqësojnë ulje të standardit të të drejtave gjuhësore, kurse “eksperti” që i del në mbrojtje këtij qëndrimi sështë asgjë tjetër përpos mercenar për të shkaktuar konfuzion.

Nëse pranohet logjika se e drejta varet nga harmonizimi i ligjeve, atëherë me të drejtë shtrohet pyetja: çfarë ndodh nëse ligjet nuk harmonizohen? A do të thotë kjo se qytetarët dhe studentët nuk kanë të drejtë të përdorin gjuhën e tyre? Një interpretim i tillë është i papranueshëm dhe në kundërshtim me vetë thelbin e të drejtave të garantuara me ligj dhe me Kushtetutë.

Kjo çështje nuk zgjidhet me iniciativa të reja, as me komisione, as me harmonizime të pafundme, por zgjidhet vetëm në një mënyrë: duke zbatuar drejtpërdrejt Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

QËNDRONI TË LIDHUR