• e enjte, 11 korrik 2024
MIA FLESH

09:00 / 11 korrik / 2024

Shkup - Kuvendi sot duhet ta fillojë seancën e 10-të, ku në rend të ditës janë më shumë pika, kryesisht ligje me procedurë të shkurtuar. Në seancë duhet të verifikohen mandatet e Jane Micevskit nga Njësia zgjedhore 1 dhe Malisha Stankoviqit nga Njësia zgjedhore 2, të dy nga koalicioni "Maqedonia Jote".

Shkup - Këshilli kombëtar i boshnjakëve (KKB) sot në Shkup do të organizojë marshin tradicional komemorativ "Marshi për Srebrenicën" në nderi të përkujtimit të viktimave nga gjenocidi në Srebrenicë në vitin 1995. Marshi do të fillojë në orën 18 nga parku i Çairit, do të vazhdojë në bulevardin "Xhon Kenedi", {arshinë e Vjetër, sheshi "Filipi i Dytë" dhe do të përfundojë në sheshin "Maqedonia" në orën 19.

Shkup - Nga 9 korriku, në korsinë e djathtë të autostradës Shkup - Kumanovë është bërë ndryshim i përkohshëm i regjimit të komunikacionit, me çka në gjatësi prej 1000 metrave, korsia e qarkullimit për ndalje të detyrueshme dhe korsia e komunikacionit për vozitje do të jenë të mbyllura, përderisa komunikacioni do të zhvillohet në korsinë e majtë të komunikacionit për parakalim, njoftoi LAMM.

Shkup - Moti sot do të jetë me diell dhe shumë i nxehtë, pasdite me vranësira të vogla lokale. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 14 deri në 23 gradë, ndërsa ajo maksimale do të arrijë prej 34 deri në 41 gradë Celsius. Indeksi UV do të jetë 9.

Shkup - Vazhdon periudha e motit me diell dhe shumë të nxehtë me temperatura ditore të cilat në disa vende tejkalojnë edhe 40 gradë. Nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike paralajmëruan se prej sot e deri në mes të javës së ardhshme në disa vende do të aktivizohet niveli portokalli për rrezik nga temperatura të larta.

Ohër - Presidentja e shtetit dhe komandanti suprem i Armatës, Gordana Siljanovska Davkova, sot do t'i vizitojë pjesëtarët e Armatës nga Batalioni i forcave speciale, të cilët realizojnë stërvitje në Kampin për stërvitje në ujë.

Athinë - Dy liderët u pajtuan për interes të ndërsjellë nga ruajtja e klimës paqësore në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe për intensifikimin e bashkëpunimit për arritjen e qëllimit për rritje të dyfisht të vëllimit të tregtisë dypalëshe, informuan nga kabineti i kryeministrit grek për takimin e Kirjakos Micotakis me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan në margjinat e Samitit të NATO-s në Uashington, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Bruksel - Në Uashington sot vazhdon takimi i shefave të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të NATO-s ku merr pjesë edhe delegacioni i Maqedonisë i kryesuar nga kryeministri Hristian Mickoski. Në ditën e tretë të Samitit të NATO-s në Uashington, liderët e Aleancës do të kenë takime me homologët e tyre nga vendet partnere të rajonit aziatiko-paqësor - Australia, Zelanda e Re, Japonia dhe Koreja e Jugut, si dhe me përfaqësues të lartë të Bashkimi Evropian.

KIev - Prokurori kryesor publik Andrij Kostin dje i akuzoi forcat ruse për vrasjen e dy ushtarëve ukrainas muajin e kaluar në rajonin pjesërisht të okupuar nga Moska, Zaporozhje në Ukrainën juglindore, njoftuan mediumet britanike. Ai tha se videoja e publikuar në rrjetet sociale tregon si ushtarë rusë u urdhërojnë dy ushtarëve të paarmatosur ukrainas të gjunjëzohen në istikame para se të ekzekutohen.

Uashington - NATO zyrtarisht u obligua të sigurojë ndihmë ushtarake për Ukrainën me vlerë prej 40 miliardë euro vitin e ardhshëm, qëndron në deklaratën përfundimtare të miratuar nga shefat e shteteve dhe qeverive të vendeve-anëtare të Aleancës në takimin në Uashington.

Manila - Një tërmet me magnitudë prej 7.1 ballë sipas shkallës së Rihterit mëngjesin e sotëm ka goditur Filipinet, tregojnë të dhënat e Qendrës kombëtare për tërmete, njofton DPA. Epiqendra e tërmetit ka qenë në thellësi prej 630 kilometra dhe është ndjerë në afërsi të brigjeve Mindanao, ishulli i dytë më i madh në Filipinë, kumton Qendra.

Dortmund - Anglia është finalisti i dytë i Kampionatit evropian në futboll, pasi mbrëmë në Dortmund e ka mundur Holandën me rezultatin 2:1 dhe të dielën do të luajë për titull kundër Spanjës. Anglezët e siguruan plasmanin në finale me kthesë dhe gol në fund të ndeshjes. Holanda arriti herët në epërsi me golin e Simons në minutën e shtatë, ndërsa Kejn e barazoi rezultatin në minutën e 18-të nga penaltia.

Sharlot – Reprezentacioni i Kolumbisë mbrëmë e ka mposhtur kombëtaren e Uruguait me rezultat 1:0 në ndeshjen e gjysmëfinales së Kopa Amerika. Golashënues i vetëm i ndeshjes ka qenë mesfushori Xheferson Lerma në minutën e 39-të. Në fund të pjesës së parë, karton të kuq mori mbrojtësi Daniel Munjoz, kështu që kolumbianët gjatë gjithë pjesës së dytë kanë luajtur me një lojtar më pak.

Sharlot - Pas përfundimit të ndeshjes së gjysmëfinales në Kopa Amerika ndërmjet Uruguait dhe Kolumbisë (0:1), ka ardhur deri te përplasja fizike mes lojtarëve. Përplasja mes lojtarëve shkaktoi kaos në tribuna, me çka futbollistët nga Uruguai, Ronald Arauho dhe Darvin Nunjez u përplasën me tifozët kolumbianë. Kolumbia do të përballet me Argjentinën në finalen e Kopa Amerika. Ndeshja do të luhet më 15 korrik.

QËNDRONI TË LIDHUR