• e enjte, 11 korrik 2024
MIA Flesh

15:00/10 korrik/2024

Shkup  - Problemi me pagat e të punësuarve në Postat e Maqedonisë dhe në Hekurudhat e Maqedonisë - Infrastruktura dhe Hekurudhat e Maqedonisë - transport do të tejkalohet, për çka tashmë punohet në plan për rikonstruimin e borxheve aktuale dhe në arritjen e profitabilitetit të tyre, thotë zëvendës kryeministri për çështje ekonomike dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski.

Shkup - Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov sot ka realizuar takim me ambasadorin Kilian Val, shef i Misionit të OSBE-së në Shkup, në të cilën u bisedua për projektet në vazhdim të OSBE-së me Ministrinë e Drejtësisë, zhvillimet aktuale në lidhje me reformat e sistemit të drejtësisë dhe agjendës legjislative. Ministri Filkov e falenderoi ambasadorin Val për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe intensiv me Misionin e OSBE-së në Shkup në fushën e drejtësisë, veçanërisht në procesin e përgatitjes së Kodit të ri Penal dhe Ligjit të ri për procedurën penale.

Shkup - Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski sot ka njoftuar për zhbllokimin e punimeve në autostradën Kërçovë-Ohër dhe fillimin e ndërtimit të autostradës nga Kërçova deri në Bukojçan. Ai pret që së shpejti të përfundojë rruga nga Prilepi në Gradsko, si dhe t'i përkushtohet seriozisht realizimit të autostradës nga Tetova në Gostivar, nga Gostivari deri në Bukojçan dhe nga Prilepi deri në Manastir. Në deklaratën e dhënë për mediat pas vizitës në Fakultetin e ndërtimtarisë në Shkup, ministri Nikolloski tha se e realizojnë premtimin që deri në fund të vitit 2026 të kemi autostradë funksionale.

Shkup - Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Byroja për zhvillimin e arsimit filluan konsultimin  publik për programet mësimore për klasën e shtatë, tetë dhe të nëntë. Në kumtesën e MASH theksohet se të gjithë palët e interesuara për përmirësimin e cilësisë së arsimit fillor do të mund të marrin pjesë në konsultimin publik me sugjerimet dhe propozimin e zgjidhjeve për ndryshimet e mundshme në draft programet mësimore për klasën e shtatë, tetë dhe të nëntë që tashmë janë përgatitur nga ekipet e ekspertëve  të përbërë nga këshilltarë të Byrosë së Zhvillimit të Arsimit, profesorë universitаrë  dhe mësimdhënës  të shkollave fillore.

Shkup - Kryetarët e sindikatave të universiteteve publike të Maqedonisë së Veriut, përkatësisht të Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi”, Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit”, Universitetit “Goce Dellçev” - Shtip, Universitetit “Nënë Tereza” dhe  Universitetit “Shën Apostull Pauli” u pritën në takim nga Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli. Drejtuesit e sindikatave të sipërpërmendura, bashkë me kryetarin e sindikatës së Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Shefket Dehari dhe nënkryetarin Ali Salihi,  e njoftuan Rektorin për aktivitetet e përbashkëta të cilat i ka zhvilluar dhe planifikon t’i zhvillojë sindikata në të ardhmen, në mesin e të cilave është krijimi i Unionit të Sindikatave të Universiteteve Publike në vend. 

Shkup - Maqedonia e Veriut ta shfrytëzojë momentin pozitiv dhe me vendosmëri më të madhe të lëviz drejt rrugës eurointegruese, tha sot në Vinicë, euroambasadori Dejvid Gir, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, nëse rezultatet nga zgjedhjet evropiane do të ndikojnë në procesin e zgjerimit të BE-së. "Liderët e qeverive të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pas zgjedhjeve evropiane treguan përkushtim se vizioni i tyre strategjik pesë vitet e fundit do të jetë procesi i zgjerimit, ashtu që mund të them se procesi i zgjerimit mbetet prioritet kryesor", tha Gir, duke shtuar se nuk sheh ndryshim edhe për strukturën e ardhshme të institucioneve evropiane.

Shkup - Dorëzimi i të gjitha raporteve të revizionit deri më tani të cilët janë bërë në pjesën e institucioneve nën kompetencë të Ministrisë së Energjetikës dhe dakordimi i procesit të revizionit të vazhdueshëm të rregullt në të gjitha institucionet, ishte dakorduar në takimin e sotëm të Sanja Bozhinovska, ministre e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale dhe kryerevizorit shtetëror Maksim Aceski. "Ka një qëndrim joserioz ndaj raporteve të revizionit, të cilat për vite të tëra janë vërejtur dhe evidentuar dhe për më tepër janë informuar për krimin në institucionet si EMV, MEPSO, KME Manastir, ndërsa askush nuk ka reaguar. Kjo tashmë do të ndalet si praktikë, kushdo që ka kryer krim apo do të tentojë të bëjë krim në fushën e energjisë do të duhet të mbajë përgjegjësi. Nuk do të kem kurrfarë tolerance për këdo që e ka shkelur ligjin", ka deklaruar ministrja Bozhinovska në takimin me Aceskin, noftuan nga Ministria e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale.

Shkup - Dekani i Fakultetit të Ndërtimtarisë në Shkup, Goran Markovski sot informoi për interesim të ulur për studim në këtë lëmi. Prandaj nga aty, ata ishin të shqetësuar për të ardhmen e ndërtimtarisë, siç tha Markovski, ndërsa edhe më shumë të shqetësuar për të ardhmen e shtetit. "Sepse një vend pa ndërtimtari vendore, është vështirë, madje e pamundur të funksionojë", tha Markovski në një deklaratë për media para tribunës së sotme "Zhvillimi si kusht për mbijetesën e ndërtimtarisë vendore", në kuadër të shënimit të 75 vjetorit nga themelimi i këtij fakulteti.

Shkup - Marrëveshja me "Behtel dhe Enka" për ndërtimin e seksioneve në autostradën e korridorit 8 dhe 10-d e cila është cilësuar si sekret shtetëror, që të publikohet kërkohet pëlqim i të dyja palëve. Qëllimi ynë kryesor do të jetë që të marrim sa më shumë kilometra nga kjo marrëveshje, thotë zëvendëskryeministri për Çështje ekonomike dhe ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski.

Shkup - Ish shefja e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), Katica Janeva e humbi të drejtën që të punojë jashtë burgut "Idrizovë", konfirmoi për MIA-n drejtori i Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve, Aleksandar Pandov. Duke vepruar sipas detyrës zyrtare Drejtoria ka bërë kontroll për respektimin e kushteve për shfrytëzimin e të drejtës së angazhimit në punë jashtë burgut, me çka është vërtetuar se Janeva nuk i ka respektuar. 

Shkup - Shërbimet inspektuese të Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV) në bashkëpunim me pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) zbuluan dhe parandaluan kontrabandimin e qengjave në Shqipëri. Siç informon AUV, bëhet fjalë për 63 qengja të cilat ilegalisht është dashur të kontrabandohen në Shqipëri, ndërsa ishin rritur afër Prilepit.

Shkup - Ministri i Kulturës dhe Turizmit, Zoran Lutkov për ushtrues detyre drejtor të Teatrit kombëtar të Maqedonisë sot ka emëruar Nikolla Kimovskin, në vend të Simona Ugrinovskës e cila dha dorëheqje nga pozita e drejtores, njoftoi TKM. "Në bazë të vendimit të Ministrisë së Kulturës së Republikës së Maqedonisë së Veriut të datës 10 korrik, të nënshkruar nga ministri i Kulturës Zoran Lutkov, për ushtrues detyre të Institucionit nacional Teatri kombëtar i Maqedonisë është emëruar Nikolla Klimovski. Ndryshe, Simona Ugrinovska ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtores të cilën e kryente që nga viti 2018", njoftuan nga TKM.

Shkup - Qendra për menaxhim me kriza informoi se në territorin e Komunës së Velesit aktiv është edhe një zjarr mes fshatrave Karasllari dhe Cërkvino mbi vendin e quajtur Venule, ku po digjet bar i thatë dhe pyll. Intervenojnë katër zjarrfikës me një automjet zjarrfikës, ndërsa janë informuar edhe nga Ndërmarrja publike "Pyjet e Maqedonisë EP Babuna". Siç qëndron në informatën e QMK-së, të punësuarit nga kjo ndërmarrje nuk kanë dalë në terren, pasi automjetet nuk kanë qenë në rregull dhe të regjistruara.

Ohër - Pjesëtarë të Batalionit për Forca Speciale të Armatës së RMV-së sot prej orës  10:30 deri në orën 16:30, në rajonin rreth plazhit "Bafallo biç" në Ohër, do të realizojnë aktivitete stërvitëse. Aktivitetet janë në kuadër të përgatitjes finale për stërvitjen demonstruese taktike - teknike të nesërme të Batalionit për Forca Speciale të Armatës - bastisje në një objekt lundrues dhe një vend komandues, që do të realizohet në orën 9, në lokacionin e njëjtë. Në stërvitje do të përfshihet edhe helikopter i VING-ut ajror të Armatës, bëjnë të ditur nga SPB Ohër. 

Prishtinë - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë në Uashington, në margjina të samitit të NATO-s ka takuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Në takim, të dy liderët diskutuan lidhur me rëndësinë e ecjes përpara në rrugën euroatlantike të Kosovës, e në veçanti për hapat e domosdoshëm drejt anëtarësimit në NATO, aleancë kjo jetike për sigurinë dhe paqen në rajonin tonë e më gjerë. 

Prishtinë - Ish komandanti i forcave të përbashkëta të NATO-s për Evropë, Uesli Klark ka paralajmëruar për rrezikun se një konflikt i ri mund të nisë në Ballkan nëse Rusia nuk ndalet në Ukrainë. Në intervistën e mbrëmshme për Si-En-En, të cilët sot e kanë transmetuar mediat e Kosovës, Klark tha thënë se Serbia i shërben interesave të Rusisë dhe ajo që kërkon Serbia është mbështetja e Rusisë për zgjerim territorial.  

Prishtinë - Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani sot në margjinat e Samitit të NATO-s në Uashington u takua me kryeministrin shqiptar Edi Rama, me të cilin, siç kumtoi kabineti i Osmanit, i kanë koordinuar pozitat dhe përpjekjet për anëtarësim të Kosovës në NATO. Siç transmeton MIA, Osmani dhe Rama kanë diskutuar për vlerën e lëvizjes së Kosovës në rrugën euroatlantike, ndërsa veçanërisht për hapat e domosdoshëm drejt anëtarësimit në NATO, "si një aleancë vitale për sigurinë dhe paqen në rajonin tonë dhe më gjerë".

Athinë - Në programin zyrtar të kryeministrit grek Kiriakos Micotakis mbi aktivitetet e sotme në Uashington në Samitin e NATO-s, nuk është paraparë takim me kolegun e tij nga Maqedonia, Hristian Mickoski, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina. Siç informojnë nga kabineti i kryeministrit grek, në orën 11:30 sipas orës lokale, Micotakisi do të japë intervistë për ish zëvendës këshilltaren për siguri kombëtare të SHBA-së Nadja Sandlou në kuadër të Forumit publik të NATO-s, më pas do të marrë pjesë në Samit, pastaj do të takohet me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan, ndërsa në orën 19:30 sipas orës lokale do të marrë pjesë në darkën për nder të liderëve pjesëmarrës në Samitin e organizuar nga presidenti amerikan Xho Bajden dhe zonja e parë e SHBA-së.

Ankara - Vendimi i presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, për shënimin e 11 korrikut si Ditën ndërkombëtare të përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë është publikuar në Gazetën Zyrtare të këtij vendi, transmeton Anadollu. Në vendimin e nënshkruar nga Erdogani, thuhet se gjenocidi në Srebrenicë të cilin Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë e cilësoi si gjenocidin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, la gjurmë të errët në historinë e njerëzimit për shkak të vrasjes së mbi tetë mijë njerëzve në Bosnje e Hercegovinë më 11 korrik 1995.

Bruksel - Qëndrimi i BE-së lidhur me ngjarjet në Srebrenicë në vitin 1995 është i qartë dhe i përsëritur çdo vit, se në Union nuk ka vend për ata të cilët e sjellin në dyshim këtë gjenocid ose i glorifikojnë kriminelët e luftës, porositi sot zëdhënësi kryesor i Komisionit Evropian për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë, Peter Stano. "Gjenocidi në Srebrenicë është një fakt historik shumë fatkeq dhe tragjik dhe çdo vit përkujtojmë në këtë tragjedi më 11 korrik", deklaroi Stano në përgjigje të pyetjes së gazetarëve nëse porosia e Brukselit se në BE nuk ka vend për ata të cilët e mohojnë gjenocidin, tentojnë ta ndryshojnë historinë dhe i glorifikojnë kriminelët e luftës, është dedikuar për serbët, serbët nga Bosnja apo dikë tjetër.

Bruksel - Pas kërkesës së Shqipërisë për ndihmë në përballjen me zjarret pyjore në Komunën Dropull, Komisioni Evropian mori vendim që përmes Mekanizmit për Mbrojtje Civile të BE-së të dërgojë katër aeroplanë nga Greqia që të ndihmojnë në shuarjen e zjarrit, njoftoi sot zëdhënësi i KE-së për ndihmë humanitare dhe menaxhim me kriza Balash Ujvari. "Komisioni Evropian qëndron në dispozicion për dërgimin e ndihmës shtesë nëse është e nevojshme në terenin e Shqipërisë ose në vende të tjera", shtoi Ujvari.

Gazë - Armata izraelit sot ka hedhur afishe në qytetin e Gazës, duke u bërë thirrje të "gjithë njerëzve" në zonën veriore të territorit të rrethuar palestinez për të shkuar në jug, duke përdorur "korridoret e sigurisë". "Korridoret e sigurisë lejojnë të gjithë personat që ndodhen në qytetin e Gazës të shkojnë shpejt dhe pa kontrolle nga qyteti i Gazës në strehimoret në Deir al-Balah dhe Al Zavija", thuhet në afishe. "Gaza Siti mbetet zonë e rrezikshme luftarake", paralajmërohet në tekst.

QËNDRONI TË LIDHUR