• e mërkurë, 10 korrik 2024
MIA FLESH

12:00 / 10 korrik / 2024

Shkup - Sektori për kriminalitet kompjuterik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, ka parashtruar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër 12 personave, prej të cilëve 10 shtetas të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe dy shtetas të Republikës së Kosovës për veprën penale të “lëshimit të çekut të papaguar dhe keqpërdorimit të kartelës së pagesës”, e dënueshme sipas nenit 274 paragrafi 2 i Kodit Penal dhe të veprës penale “bashkëveprim”.

Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski në Uashington, së bashku me kryetarët e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe të Republikës së Malit të Zi, Milojko Spajiq, ka realizuar takim me senatorët Xhin Shajin dhe senatorin Tom Tilis dhe anëtarët e grupit vëzhgues të Senatit për NATO-n.

Shkup - Deputetja e LSDM-së dhe ish ministre e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska sot në profilin e saj në Fejsbuk bëri të ditur se brenda 7 ditëve në MPB “janë ndarë” nën presione dhe kërcënime, siç ka shkruar ajo, "mbi 50 vendime të kundërligjshme për pozicionimin e nëpunësve të policisë, disa prej tyre edhe në poste drejtuese”.

Shkup - Banka Popullore vazhdimisht punon në miratimin dhe zbatimin e praktikave dhe standardeve më të mira të cilat gjithnjë e më shumë e afrojnë në Sistemin evropian të bankave qendrore. Ajo pandërprerë e fuqizon kapacitetin institucional dhe analitik për përballje më të suksesshme me sfidat në fazat e ardhshme të procesit eurointegrues. Këto aktivitete zhvillohen edhe përmes pjesëmarrjes aktive të Bankës Popullore në program të financuar nga BE-ja për mbështetje të mëtutjeshme të bankave qendrore dhe agjencive bankare mbikëqyrëse nga Ballkani Perëndimor, ishte theksuar në takimin ndërmjet guvernatores së Bankës Popullore, Anita Angellovska - Bezhoska dhe ambasadorit të Austrisë, Martin Pamer. 

Shkup - Çmimet e banesave në Shkup në tremujorin e dytë të vitit janë rritur për 11,5 për qind në nivel vjetor, ndërsa rritje prej 8,2 për qind vërehet në krahasim me tremujorin e kaluar, tregon Indeksi i çmimeve të apartamenteve të Bankës Popullore.

Shkup - Sektori i Punëve të Brendshme Shkup, gjatë ditës së djeshme ka vazhduar me kontrollet e përforcuara në komunikacion. Vetëm në territorin e qytetit të Shkupit janë shqiptuar gjithsej 126 sanksione, prej të cilave dhjetë gjoba për ngasjen e automjetit pa patentë shoferë, pesëmbëdhjetë gjoba për kundërvajtje ndaj motoçiklistëve, katër sanksione për përdorimin e telefonit celular gjatë ngasjes së automjetit, katër sanksione për kalim në semafor të mbyllur (ngjyrë e kuqe), shtatë gjoba për mospërdorimin e rripit të sigurisë...

Shkup - Një zjarr është aktiv mëngjesin e sotëm midis fshatrave Otishino dhe Orizare të komunës së Velesit ku digjet bimësi e ulët. Zjarrfikësit nga Velesi dje kanë intervenuar me tre automjete dhe 11 zjarrfikës, ndërsa në mëngjes, sipas informacioneve nga Qendra për Menaxhim me Kriza do të vazhdojnë të veprojnë. Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar gjithsej 13 zjarre në ambient të hapur prej të cilëve një e treta kanë qenë në gatishmëri për shuarjen e deponive.

Prishtinë - Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Suniog, mandati i të cilit është në përfundim, deklaroi se dëshiron që Kosova të përparojë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, njofton korrespodenti i MIA-s nga Prishtina. Përmes një postimi në faqen e tij në platformën "X", Suniog ka falënderuar popullin e Kosovës për mikpritjen dhe ka thënë se e ardhmja e Evropës është në duart e tyre.

Prishtinë - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare të bëjë presion ndaj Serbisë që t'i largojë bazat ushtarake, të cilat i ka ngritur rreht kufirit me Kosovën, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Në intervistën e mbrëmshme për Si-En-En, të cilën e transmetojnë mediumet kosovare, Kurti tha se Serbia dhe Rusia janë të ngjashme për shkak të interesit të përbashkët për zgjerimin e territoreve të tyre.

Beograd - Në vendet e rajonit sot është aktivizuar meteo alarmi i kuq apo portokalli të cilët paralajmërojnë temperatura shumë të larta dhe meteorologët bëjnë thirrje për respektimin e rregullave rreth kushteve të motit.

Pragë - Ministri çek i Punëve të Jashtme, Jan Lipavski e ka ftuar ambasadorin rus për bisedë pas sulmit të spitalit të fëmijëve në Ukrainë në të cilin u vranë të paktën 31 persona. "Vendosa të telefonoj ambasadorin rus. Vrasësit të cilët sulmojnë fëmijë në spitale janë fundi i shoqërisë njerëzore. Ai është urdhëruar që mesazhin ta transmetojë në Moskë", publikoi Lipavski në rrjetet sociale.

Paris - Në Francë është hapur hetim kundër bashkëshortes së ish presidentit Nikolla Sarkozi, Karla Bruni për lidhjen e saj me paratë nga Libia në fushatën presidenciale në vitin 2007. Këngëtarja është vënë nën kontroll gjyqësor për shkak të ndikimit eventual me dëshmitarët.

Paris - Fituesit në zgjedhje nga koalicioni i majtë francez Fronti i Ri Popullor (NFP) u deklaruan pasi Emanuel Makron refuzoi ta ndërrojë kryeministrin aktual të Francës, Gabriel Atal. Në kumtesën të cilën e nënshkruajnë katër parti nga koalicioni, ata e akuzojnë Makronin "për përpjekje për kidnapim të institucioneve" dhe kërkojnë mandat për formimin e qeverisë së re.

Bruksel - Kryeministri hungarez Viktor Orban në një letër dërguar kryetarit të Këshillit Evropian, Sharll Mishell, i përsërit qëndrimet e presidentit rus Vladimir Putin për Ukrainën, njofton portali i Brukselit Politiko. Në letrën, të cilën dje e ka parë Politiko, Orbani në aq shumë hollësi i parashtron mendimet e Putinit për statusin e luftës në Ukrainë që mund të mendohet se po përgatitet për rolin e zëdhënësit të Kremlinit, bën të ditur portali.

Bruksel - Vendimi kritik i NATO-s për zgjerimin pas Luftës së Ftohtë e ndryshoi Evropën si asnjëherë në historinë bashkëkohore, sepse kësisoj e bashkuar në një mënyrë të paimagjinueshme, hapi rrugën për integrim në BE dhe solli paqe dhe prosperitet në të gjithë kontinentin, theksoi Sekretari i përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg, në fjalimin me rastin e 75-vjetorit të formimit të NATO-s e cila u mbajt mbrëmë vonë në kuadër të Samitit të Paktit në Uashington.

Jerusalem – Forcat izraelite të sigurisë (IDF) kumtuan se kanë sulmuar pozicionet e Hezbollahut në pjesën qendrore të Libanit. Në komunikatë thuhet se një aeroplan izraelit ka goditur një sistem mbrojtës ajror të Hezbollahut.

Uashington - Presidenti i Ukrainës, Volodomir Zelenski në margjinat e Samitit të NATO-s në Uashington deklaroi se në sulmet ruse nga 8 korriku mbi shumë qytete ukrainase janë vrarë 43 persona, ndërsa 200 janë plagosur.  Në sulmet ishte goditur edhe një spital i fëmijëve në Kiev. Në Ukrainë dje ishte shpallur Ditë Zie për shkak të numrit të madh të viktimave. 

Uashington - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron për vizitë në Uashington, në margjina të samitit të NATO-s u takua me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Në takim, siç njofton Kabineti i presidentes së Kosovës, të dy liderët diskutuan lidhur me rëndësinë e ecjes përpara në rrugën euroatlantike të Kosovës, e në veçanti për hapat e domosdoshëm drejt anëtarësimit në NATO, aleancë kjo jetike për sigurinë dhe paqen në rajonin tonë e më gjerë. 

Mynih - Kilian Mbape e cilësoi dështim për të dhe Francën, Kampionatin evropian 2024. "Trikolorët" e përfunduan paraqitjen në kampionat mbrëmë, duke humbur nga Spanja në gjysëmfinale (1:2). "Kam vërtet nevojë për pushim. Pas kësaj do të filloj një jetë të re", deklaroi sulmuesi i kombëtares franceze dhe Real Madridit.

 

QËNDRONI TË LIDHUR