• e mërkurë, 10 korrik 2024
MIA Flesh

15:00/9 korrik/2024

Uashington - Kryetari i Qeverisë Hristian Mickoski i cili mbajti ligjëratë në Universitetin prestigjioz Xhon Hopkins në Baltimor, para të pranishmëve, mes tjerash, foli për fillimin e negociatave me BE-në, duke theksuar se nuk kemi garanci për një kërkesë përfundimtare në bisedimet me Bullgarinë."Ne nuk do të jemi të gatshëm të fillojmë negociatat nëse nuk përfshijmë në Kushtetutë disa qindra qytetarë tanë, që do të thotë se ata janë pjesë e pakicës bullgare në Maqedoni. Kush mund të na garantojë se kjo është kërkesa e fundit? Në gjykatën për të drejtat e njeriut në Strasburg, kemi 14 aktgjykime të cilat thonë se të drejtat e komunitetit maqedonas në Bullgari janë shkelur. Dhe këtu lind pyetja logjike, të drejtat e kujt janë shkelur", tha Mickoski.

Shkup - Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani sot kishte takim me ambasadorin e Republikës së Francës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Siril Bomgartner, njoftoi SÇE. Në fokus të diskutimit ishin procesi euro-integrues, bashkëpunimi bilateral mes Maqedonisë së Veriut dhe Francës si dhe mundësitë për thellimin e tij.

Shkup - Nevojitet një menaxhim i kujdesshëm me financat publike nëpërmjet një niveli të qëndrueshëm të borxhit publik dhe një politike të përshtatshme fiskale megjithëse është dizajnuar një kuadër sistematik gjithëpërfshirës ligjor dhe institucional për menaxhimin e borxhit publik dhe përkundër vlerësimeve pozitive nga BE dhe FMN-ja për procesin e servisimit të borxhit të arritur në nivel publik prej 62.1 për qind të BPV-së më 31.12.2023 dhe detyrimeve për eurobondet të cilat në periudhën 2025-2028, raporton Enti Shtetëror i Revizionit (ESHR). 

Shkup - Dënime me burg dhe një dënim burg me kusht, shqiptoi Gjykata Themelore Penale Shkup për të akuzuarit të cilët dje e pranuan fajin në lëndën "Zinxhiri", i cili ka të bëjë me evazion fiskal. Akuzohen për "shoqërim kriminal", "pastrim parash" dhe "evazion fiskal".  I akuzuari i parë Sasho Vuçkov mori dënim me burg prej dy vjet e gjysmë, babai i tij dy vjet burg dhe një mijë euro dënim, nëna e të akuzuarit të parë mori një vit e njëmbëdhjetë muaj dënim me burg dhe një mijë euro dënim. Dy të akuzuarit e tjerë, të cilët e pranuan fajin, morën nga dy vite burg dhe nga një mijë euro dënim. Vetëm një nga gjashtë personat të cilët dje para Gjykatës e pranuan fajin, mori dënim burg me kusht.

Shkup - Konfederata e organizatave sindikale (KOSM) sot në një konferencë për mediat para ndërtesës së Administratës së NQP-së, ka akuzuar se autobusi që ka goditur dje në murin mbrojtës në afërsi të QT Mavrovasja ka qenë teknikisht në gjendje jo të rregullt. Shoferi i autobusit tha gjithashtu se kishte vërejtur se autobusi nuk ka qenë në rregull. Për drejtorin e ri të NQP-së, Dragi Kushovski, këto deklarata janë paushale dhe mendon se duhet pritur raporti zyrtar i MPB-së.

Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa pengesa, nëpër rrugë të thata. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në VK Tabanoc, koha e pritjes për hyrje në shtet është rreth gjysëm ore, ndërsa në VK Bogorodicë për dalje nga vendi është rreth 15 minuta. Në vendkalimet e tjera kufitare nga ana e jonë, nuk ka pritje më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.

Shkup - Nën ndikimin e masës shumë të nxehtë ajrore nga jugu, vazhdon periudha e motit me diell dhe shumë të nxehtë, përveç të dielën kur në orët e pasdites do të ketë kushte për paqëndrueshmëri të izoluar me shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima, njoftoi DPHM. Temperatura e ditës kudo do të jetë mbi 30°C, ndërsa në disa vende do të kalojë  40°C. Veçanërisht nxehtë do të jetë nga e enjtja deri në mes të javës së ardhshme kur në disa vende do të aktivizohet niveli portokall i rrezikut nga temperaturat e larta. 

Prishtinë - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca deklaroi se ekziston rrezik që Serbia ta përsërisë sulmin si në Banjskë, duke theksuar se për të parandaluar një gjë të tillë është e nevojshme që ajo të dënohet, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Pas takimit me kryetarin e Këshillit Kombëtarë të Zvicrës, Erik Nusbaumer, Konjufca deklaroi se Kosova po përballet me rrezik për shkak të pretendimeve të autoriteteve serbe.

Prishtinë - Dy kamionë dhe një automjet janë djegur sot në orët e hershme të mëngjesit në Mitrovicën e Veriut, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe, njofton korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Zëvendësdrejtori i policisë së Kosovës për rajonin verior, Veton Elshani deklaroi për mediat se rasti është iniciuar si zjarrvënie, ndërsa para djegies ka thënë se janë dëgjuar tre shpërthime të shkaktuara nga koktej molotovi.

Tiranë - Ushtarë dhe zjarrfikës sot janë angazhuar për shuarjen e zjarrit në jug të Shqipërisë në afërsi të kufirit grek, kumtoi Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë. Në kumtesë thuhet se ekipet e zjarrfikësve, të mbështetur nga një helikopter dje kanë vënë nën kontroll disa zjarre pyjore, por temperaturat e larta dhe erërat kanë nxitur përhapjen e flakëve në afërsi të Dropulit, Finiqit dhe pjesëve të tjera në jug të vendit."Helikopteri "Kugar" dhe rreth 30 pjesëtarë të forcave tona të armatosura, së bashku me njësitë zjarrfikëse, vazhdojnë operacionet për shuarjen e zjarreve në fshatin në afërsi të Dropulit, Finiqit, Sarandës, Gjirokastrës dhe Përmetit", publikoi në Fejsbuk ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Pelleshi.

Ankara - Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan  sot deklaroi se Turqia e mbështet integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, por në të njëjtën kohë i përmbahet qëndrimit parimor se NATO-ja nuk duhet të jetë palë në konflikt. në luftën ruso-ukrainase. "Dihet se  e mbështesim integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës. Nëse flasim për hapat e ardhshëm për mbështetjen e Ukrainës, ne gjithashtu i përmbahemi qëndrimit tonë parimor se NATO-ja nuk do të jetë palë në luftë", tha Erdogani përpara se të niset për në samitin e NATO-s në Uashington. 

Bruksel – Një delegacion qeveritar maqedonas i kryesuar nga kryeministri Hristijan Mickoski nga sot deri të enjten do të marrë pjesë në Samitin e NATO-s në Uashington, i cili do të shënojë 75 vjetorin e themelimit të Aleancës në vitin 1949 dhe në të cilin temat kryesore do të jenë ofrimi i mbështetjes së sigurt dhe të qëndrueshme për Ukrainën, planet për të penguar dhe mbrojtur anëtarët e Paktit, forcimi i industrisë së mbrojtjes dhe investimeve dhe forcimi i partneriteteve globale.   

Bratislavë - Kryeministri sllovak, Robert Fico, sot merr pjesë në seancën e Qeverisë, për herë të parë që nga të shtënat e 15 majit në të cilat mbeti i plagosur, njoftuan sot mediat sllovake. Sipas rendit të ditës së seancës, Qeveria do të merret me përmbushjen e objektivave të planit për rikuperim (ekonomik) dhe tërheqje të mjeteve nga BE-ja. Kryeministri Fico u plagos rëndë më 15 maj pas seancës së qeverisë të mbajtur në fshatin Handlovë, kujton agjencia sllovake e lajmeve.

Kiev - Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski e ka kritikuar sot vizitën e kryeministrit indian Narendra Modi në Moskë në momentin kur raketat ruse e goditën spitalin e fëmijëve në Kiev. Zelenski tha se vizita është "zhgënjim i madh dhe goditje e rëndë për përpjekjet për paqe", thekson Si-En-En. Dje në sulmet me raketat ruse ndaj Ukrainës humbën jetën të paktën 41 persona, ndërsa 166 u plagosën, njoftuan autoritetet ukrainase. Në Kiev u prek institucioni më i madh pediatrik në Ukrainë, si dhe një maternitet privat.

Moskë - Kremlini njoftoi se me "kujdes maksimal" e vëzhgon Samitin e NATO-s që sot fillon në Uashington. "Kjo është aleancë e cila Rusinë e konsideron si armikun e saj, kundërshtarin e saj. Aleanca e cila deklaron hapur se qëllimi i saj është t'i shkaktojë Rusisë disfatë strategjike në fushën e betejës", tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov.

Minsk - Kina dhe Bjellorusia kanë filluar stërvitjet e përbashkëta ushtarake, njoftuan ministrat e Mbrojtjes së Pekinit dhe Minskut. Manovrat po zhvillohen vetëm pak kilometra nga kufiri i Polonisë anëtare të NATO-s dhe në prag të takimit të nivelit të lartë të aleancës, raportojnë mediat britanike. "Ngjarjet në botë janë alarmante, situata është e komplikuar, prandaj duhet të praktikojmë forma dhe metoda të reja të kryerjes së detyrave taktike", deklaroi gjeneral-majori Vadim Denisenko, komandant i forcave bjelloruse për operacione speciale, duke cituar nga Ministria e Mbrojtjes së Bjellorusisë. 

Damask - Në sulmin e sotëm izraelit është qëlluar një pozicion në afërsi të qytetit bregdetar Banias, në perëndim të Sirisë, informon Agjencia siriane e lajmeve SANA, duke iu referuar burimeve ushtarake. Rreth orës 12 e 20 minuta (sipas kohës lokale) armiku izraelit kreu sulm ajror nga Deti Mesdhe, duke qëlluar pozicion në afërsi të qytetit Banias. Sulmi shkaktoi dëm material, thekson SANA.

Tehera - Presidenti i sapozgjedhur i Iranit, Masud Pezeshkian, sot deklaroi se marrëdhëna e Iranit ndaj Izraelit mbetet e njejtë dhe se lëvizja e rezistencës në të gjithë rajonin nuk do të lejojnë vazhdimin e, siç tha, "politikës kriminale izraelite" ndaj palestinezëve."Republika islamike gjithmonë e ka mbështetur rezistencën e popullit në rajon kundër regjimit të paligjshëm sionist”, tha Pezeshkiani në mesazhin drejtuar Hasan Nasralas, lider i grupit libanez Hezbollah, të mbështetur nga Irani, raportojnë mediat britanike. 

Milano - Simone Inzagi do të marrë 6.5 milionë euro neto për sezon me kontratën e re si trajner i Interit, bëri të ditur sot gazetari italian Fabricio Romano. Pritet që eksperti 48-vjeçar të nënshkruajë kontratën e re me kampionët e Italisë deri në fund të sezonit 2025-2026. Nëse Inzagi i çon "nerazurët" përsëri drejt titullit të Seria A, për të është planifikuar bonus special prej dy milionë eurosh.

Dortmund - Seleksionuesi Ronald Kuman konfirmoi se dëshiron të jetë në krye të reprezentacionit të Holandës në Kampionatin botëror në vitin 2026. "Për momentin nuk kam qëllime të tjera. Mendoj se nuk do të mund të lirohen nga unë për momentin", deklaroi seleksionuesi me ton tallës për gazetën "De Telegraf". Kuman 61-vjeçar informoi edhe për shëndetin e bashkëshortes së tij e cila po lufton me kancerin e gjirit.

QËNDRONI TË LIDHUR