15:00/29 tetor/2024
Shkup - Propozim buxheti për vitin 2025 sot do të shqyrtohet në mbledhjen e Qeverisë, bëri të ditur kryeministri Hristijan Mickoski. Në pyetjen e gazetarëve Mickoski vlerësoi se treguesit janë duke u përmirësuar dhe po lëvizin punët për projektet e mëdha infrastrukturore. Ai theksoi se është mirë që nuk ka rritje dramatike të deficitit dhe se ka barazim gradual me investimet kapitale. "Investimet kapitale janë diku në vlerë prej 50 miliardë denarë prej të cilave 32 miliardë janë nga buxheti bazë dhe rreth 80 nga huatë dhe programe që janë tashmë në vazhdim ose ende për t'u marrë. Deficiti buxhetor mendoj është rreth 41-42 miliardë denarë. Këtë vit është mirë ajo që nuk kemi rritje dramatike të deficitit, investimet kapitale dhe deficiti buxhetor gradualisht po barazohen. Tani janë diku në nivelin 300 deri në 400 milionë euro, pres që deri në fund të vitit të jenë shumë afër edhe pse e dini se kemi trashëguar një deficit buxhetor trefish më të madh në krahasim me investimet kapitale, por në këto pak muaj Ministria e Financave dhe Qeveria arritën ta konsolidojnë dhe tani për tani situata është diku mbi 18 miliardë denarë investime kapitale, diku rreth 24,5 miliardë denarë", tha Mickoski.
Shkup - Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske se çfarë projektesh parashihen me vendimin për projekte për investime kapitale për komunat nga segmenti i Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, sepse një pjesë nga akuzat janë se kjo fushë është e lënë pas dore, informoi se Qeveria investon në projekte që janë pjesë e mbrojtjes së mjedisit jetësor. Fillojnë të realizohen projektet për impiantet për trajtimin e ujërave të zeza në Manastir dhe Shkup, ndërsa pritet të fillojë edhe projekti për impiantet për trajtimin e ujërave të zeza në Tetovë, për të cilin janë planifikuar 680 milionë denarë.
Shkup - Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot para fillimit të konferencës Blumberg Adria në temë "Potenciali ekonomik dhe mundësitë zhvillimore për Maqedoninë", duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske se si Qeveria mund të ndihmojë Maqedoninë të diversifikojë eksportin dhe në atë mënyrë të bëhet më konkrete, ai theksoi se një sistem i ndërtuar me dekada nuk mund të ndryshohet brenda natës dhe që kjo të ndodhë duhet të realizohen qëllimet strategjike të shtetit.
Shkup - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski sot në Budvë, ku po merr pjesë në Forumin Ministror Ballkani Perëndimor për Punët e Brendshme, pati një takim dypalësh me ministrin e Sigurisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, Nenad Neshiq. Dy ministrat, siç kumtoi Ministria e Punëve të Brendshme, theksuan bashkëpunimin e shkëlqyer mes dy ministrive, i cili në periudhën e fundit ka marrë intensitet të shtuar në të gjitha kanalet ndërkombëtare dhe rajonale brenda standardeve të përcaktuara dhe të pranuara të INTERPOL-it. Kjo nënkupton shkëmbim të shpejtë, cilësor dhe efikas të njohurive operacionale, pra veprim të rregullt ndaj kërkesave të dërguara nga të dy vendet për lloje të ndryshme kontrollesh në të gjitha format e krimit të organizuar.
Shkup - Ministri i Drejtësisë, Igor Filkov në Budvë ka relizuar takim me ministrin hungarez të Drejtësisë, Bence Tuzson. "Raportet tona me Hungarinë janë miqësore, ndërsa vendi është përkrahës i rëndësishëm në procesin e qasjes në Bashkimin Evropian", ka shkruar në profilin e tij në Fejsbuk, ministri Fillkov. Ai publikoi se me kënaqësi e ka pranuar ftesën nga ministri Tuzson dhe do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare "Konkurrenca juridike - instrumente të së drejtës për një Evropë më konkurruese", që do të mbahet në Budapest më 11 dhe 12 nëntor.
Shkup - Inteligjenca artificiale nuk trajtohet më si koncept futuristik, por është realitet dhe ka zbatim të gjërë në përditshmëri. Ne planifikojmë futjen e saj në etapa në programet mësimore, ky është detyrim i yni me qëllim që të rinjtë përmes procesit formal të arsimit të njihen me përfitimet, por edhe me sfidat e përdorimit të saj. Këtë e theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës në debatin me titull “ A kemi ne kapacitet kombëtar për përshtatje të shpejtë të fuqisë punëtore ndaj sfidave të cilat i mbart inteligjenca artificiale?”, organizuar në kuadër të konferencës së 19-të vjetore të MASIT – Dhoma e Tregtisë për Teknologjitë e informatikës dhe komunikimit e cila mbahet sot dhe nesër në Shkup
Shkup - Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) përmes konferencës së sotme për shtyp ka shprehur kënaqësinë që Korridori 8 dhe 10d po vazhdon të ndërtohet, pavarësisht që i njëjti realizohet nga një qeveri pa legjitimitet etnik. Kjo, sipas Ejup Rustemit vetëm sa konfirmon vizionin e qëndrueshëm dhe politikat e tyre afatgjate për përparimin e vendit dhe ndërtimin e infrastrukturës moderne rrugore. “Nuk mund të mos vëmë në dukje se ata që deri dje e kundërshtonin ashpër këtë projekt dhe kërcënonin me anulimin e tij, sot e quajnë atë një projekt historik. Ky ndryshim qëndrimi tregon vlerën e pamohueshme që Korridori 8 paraqet për zhvillimin e Maqedonisë së Veriut dhe përmirësimin e lidhjeve të saj me rajonin dhe Evropën”, ka thënë ish drejtori i NP “Rrugë Shtetërore”, Rustemi.
Shkup - Deputeti Skender Rexhepi-Zejd dhe kryetar i Lëvizjes Populli sot në Gjykatën Kushtetuese dorëzoi iniciativë për të kundërshtuar Metodologjinë e realizimit të regjistrimit në RMV - të vitit 2021 në pjesën e ndarjes së popullsisë në rezidentë dhe jorezidentë, sepse tani punësimi dhe shpërndarja e parave në komuna bëhet sipas këtyre shifrave të regjistrimit. Në deklaratën për media ai tha se janë shkelur nenet 8, 9 dhe 51 të Kushtetutës dhe nenet 6, 7 dhe 17 të Ligjit për regjistrim.
Shkup – Zhvillimi i teknologjive të reja dhe ndryshimet që po ndodhin në ekonominë globale do të sjellin ndryshime më të mëdha, se sa gjatë 100 viteve të kaluara, porositi drejtoresha për përmbajtjen e “Blumberg Adria”, Jelisaveta Llazerviq në hapjen e konferencës në temë “Potenciali ekonomik dhe mundësi zhvillimore për Maqedoninë”. “Kur flasim për biznes, në fakt po flasim për faktin se ne patjetër jetojmë në një botë ku në periudhën e ardhshme zhvillimi i teknologjive të reja dhe ndryshimet që ndodhin në ekonominë globale do të sjellin ndryshime më të mëdha dhe më të shpejta se sa ishte rast në 100 vitet e mëparshme. Në një mjedis të tillë pasigurie dhe ndryshimesh të shpejta, “Blumberg Adria” në fakt synon të sigurojë progres dhe në fakt është një vend që ofron mundësi për përparim”, theksoi Llazareviç.
Shkup - Sfidat dhe mundësitë në kontekst të transformimit të shpejtë digjital dhe ndikimi i inteligjencës artificiale (IA) ndaj fuqisë punëtore janë në fokus të konferencës së 19-të vjetore të Odës Ekonomike për teknologji informative dhe komunikuese MASIT, që filloi sot në Shkup. Kryetarja e MASIT-it, Aneta Pesheva, në hapje të konferencës theksoi se, edhe pse IA do të ndihmojë në jetën e njerëzve, kjo do të sjellë shumë trazira. Ajo potencoi se institucionet kryesore financiare parashikojnë që në pesë deri në dhjetë vjet, 300 milionë persona do të humbasin punën e tyre dhe programuesit do të duhet të bëhen serviserë të rrjeteve dhe robotikës.
Shkup - Rreth 60 kompani me aktivitete të ndryshme që morën para nga shteti për projekte inovative dhe zhvillim në vend që t'i realizonin ato, kanë pasur projekte pa rezultat ose kanë qenë fiktive apo “fantome”. E kanë dëmtuar buxhetin dhe i kushtojnë gjithsej 192.888.642 denarë ose rreth 3,2 milion euro Fondit për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik (FIZHT) ku në vitet e fundit kanë marrë grante për të mbështetur projekte. Këtë e ka treguar revizioni aktual i brendshëm i realizuar nga menaxhmenti i ri i FIZHT-së. U.d drejtor Nikolla Dodov sot në konferencën për media tha se janë zbuluar parregullsi të rënda në punën e Fondit i cili ka ndarë para pa plotësuar kriteret për mbështetjen e projekteve dhe në kundërshtim me rregulloret dhe dispozitat e Ligjit për veprimtari inovative, para janë marrë edhe nga institucionet private shëndetësore të cilat i kanë përdorur për të blerë pajisje mjekësore.
Shkup – Në SPB Shkup sot në mëngjes është raportuar se në një fabrikë në lagjen Ilinden është vendosur një pajisje shpërthyese. Pas kontrolleve të bëra, është konstatuar se bëhet fjalë për alarm të rremë. “Më 29.10.2024 në orën 8:20 në SPB Shkup, një e punësuar në një personit juridik nga lagjja Ilinden në Shkup ka raportuar se në emailin zyrtar të personit juridik në orën 6 ka ardhur një porosi se në fabrikë është vendosur një pajisje shpërthyese”, thuhet në kumtesën e MPB-së.
Tetovë - Komuna e Tetovës sot ka përuruar vendparkimin e ri në Bllokun Urban 100, një projekt që transformon këtë zonë të qytetit, duke e kthyer atë në një hapësirë moderne parkimi dhe përmirësuar ndjeshëm pamjen e saj. Në përurim mori pjesë Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili shprehu angazhimin e tij për ta bërë Tetovën një qytet të denjë për standardet e një mjedisi urban të zhvilluar. Ky projekt, siç njoftoi Komuna e Tetovës, u realizua pas largimit të garazheve të improvizuara nga qytetarët, të cilat ishin ndërtuar pa standarde dhe i jepnin një pamje të papërshtatshme këtij blloku.
Shkup - Nëpunës policorë të Ekipit Operativ për Ndjekje në SPB Shkup në orën 11:20 minuta në rr. "Betovenova" në Shkup e kanë privuar nga liria D.M. (41) nga Shkupi, bënë të ditur nga MPB-ja. Ai është kërkuar me urdhërarrest në bazë të urdhëresës së Gjykatës Themelore Penale Shkup pët vuajtjen e dënimit me burg prej shtatë vjetëve e tetë muajve për më shumë vepra penale të kryera sipas nenit 236 paragrfi 1 (vjedhje e rëndë) të KP-së.
Shkup - Nëpunës policorë të SPB Tetovë e kanë privuar nga liria M.L. (32) nga Tetova, për shkak se gjatë bastisjes, në bazë të urdhëresës gjyqësore, e kryer rreth orës 16 në shtëpinë e tij dhe hapësirat ndihmëse, është gjetur dhe sekuestruar marihuanë dhe peshore digjitale. Siç bëri të ditur sot MPB, M.L. është mbajtur në stacionin policor dhe kundër tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.
Shkup - Të mërkurën do të ketë vranësira të rritura me kushte për reshje të dobëta të shiut lokal. Më pas në ditët në vijim do të mbajë mot stabil dhe i thatë, me erë të dobët deri mesatare, ndërsa përgjatë Vardarit herë pas here me erë të fortë veriore, njoftoi DPHM-ja. Në disa lugina do të ketë kushte për paraqitje të mjegullës në mëngjes ose vranësira të ulëta. Temperaturat ditore do të jenë më të ulëta.
Sarajevë - Përfaqësuesi i lartë i BeH-së, Kristian Shmit njoftoi para Këshillit të sigurisë së KB-së se vendi nuk e shfrytëzon momentin e arritur në fillim të vitit në rrugën drejt integrimit evropian dhe tani është duke mbetur prapa vendeve të tjera të rajonit, duke u përballur në të njëjtën kohë me sfida të njohura si kërcënimet secesioniste. Kështu thuhet në raportin e fundit të rregullt gjashtëmujor që zyrtarët e lartë i kanë dërguar Kombeve të Bashkuara që nga viti 1996. Raporti duhet të jetë temë e diskutimit në seancën e Këshillit për siguri në nëntor.
Athinë - Reparacionet gjermane dhe huaja pushtuese janë kërkesa solide kombëtare të Greqisë, tha zëdhënësi i qeverisë greke, Pavlos Marinakis në brifingun e sotëm të rregullt me gazetarët, por nuk bëri të ditur nëse kjo temë do të përfshihet në takimin e nesërm të kryeministrit grek Kirjakos Micotakis me presidentin gjerman Frank-Valter Shtajnmajer, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina. "Nuk e di agjendën e takimit, por fakti është se çështjet e reparacioneve gjermane dhe të huasë pushtuese në tërësi janë kërkesa të forta kombëtare dhe kërkesa të forta greke, kërkesa të patjetërsueshme të shtetit grek, nga të cilat asnjëherë nuk hoqëm dorë dhe është diçka që duam ta sqarojmë dhe se do të vazhdojmë ta ngritim në mënyrën e duhur", tha Marinakis.
Reikjavik – Në takimin e sotëm në Reikjavik mes kryeministrit të Islandës, Bjarni Benediktson dhe presidentit të Ukrainës, Volodomir Zelenski është biseduar për investime në prodhimtarinë në mbrojtje dhe mbështetjes së rrugës drejt NATO-s. Zelenski i falënderoi shtetet nordike për mbështetjen për Ukrainën nga dita e parë e konfliktit me Rusinë. “Çdo ditë i mbrojmë jetët tona, shtëpitë tona, fëmijët tanë. Por, kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e juaj të fuqishme, mbështetjen e çdo partneri. Ne jemi shumë mirënjohës, por sot duhet të jemi më të fuqishëm që ta ndalojmë (presidentin rus Vladimir) Putin. Dhe dëshiroj të bisedoni për këtë me partnerët tanë, me të gjithë aleatët. Kemi “Plan të fitores”, angazhohemi drejt mbështetjes së tij të vërtetë”, theksoi Zelenski.
Bruksel - I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit, Mirosllav Lajçak, deklaroi se, pa dallim se në takimin e fundit të dialogut nuk ka përparim në zbatimin e Marrëveshjes për normalizim deri në vitin 2023, ai është optimist për përparimin në lidhje me disa çështje të tjera kyçe. "Javën e kaluar isha nikoçir i edhe një raundi tjetër të dialogu me mbështetjen e BE-së në nivel të negociatorëve kryesorë, me fokus avancimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, veçanërisht përmes zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit nga viti 2023. Edhe pse nuk kemi bërë përparim në këtë çështje, jam optimist për një përparim në disa çështje të tjera kyçe, të cilat do t'i ndjekim në javët në vijim", ka shkruar Lajçak në Fejsbuk.
Bruksel – Komisioni Evropian në mbledhjen e nesërme të Kolegjit të komisarëve duhet ta miratojë Pakon e raporteve për vitin 2024 për progresin në rrugën evropiane të vendeve kandidate për anëtarësim në BE. Siç informoi sot zëdhënësi i Komisionit Evropian, Stefan de Kersmaker, Pakoja do të përfshijë raporte për progresin e 10 vendeve të përfshira me procesin e zgjerimit, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut. Pas miratimit të pakos, ajo do të prezantohet zyrtarisht nga ana e përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme dhe siguri, Zhozep Borel dhe eurokomisarit për zgjerim dhe politikë të fqinjësisë, Oliver Varheji.
Vilnus - Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauzeda sot i bëri thirrje NATO-s t'i përgjigjet ndihmës nga Koreja e Veriut në luftën ruse kundër Ukrainës dhe t'i sigurojë Kievit gjithçka që i nevojitet për të fituar. Duke përfshirë edhe leje për sulme me armë perëndimore ndaj territorit të Rusisë. "NATO duhet të përgjigjet me sigurim për Ukrainën me gjithçka që i nevojitet për fitore: raketa me rreze të gjatë veprimi, leje për sulm të objekteve ushtarake në Rusi, rritje të ndihmës ushtarake", shkroi Nauzeda në platformën Iks.