10:00 / 30 tetor / 2024
Shkup - Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot do të mbahet "Ura digjitale: Hakatoni i Kuvendit, i cili ka për qëllim t'i lidh programuesit e rinj me Kuvendin përmes zhvillimit të zgjidhjeve inoivative softuerike. Hakatoni realizohet në kuadër të Programit për Mbështetjen Parlamentare, organizator dhe mikpritës është Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai ka për qëllim t'i lidhë programuesit e rinj me Kuvendin përmes zhvillimit të zgjidhjeve inovative softuerike, duke përdorur set të të dhënave nga Portali i të Dhënave të Hapura të Kuvendit, Portali Nacional i të Dhënave të Hapura dhe Portali i Financave të Hapura.
Shkup - Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut sot do të mbahet Mbledhja konstituive e Grupit parlamentar ndërpartiak për avancimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Në seancë do të mbajnë fjalim Afrim Gashi, kryetar i Kuvendit, Vesna Bendeska, nënkryetare e Kuvendit dhe ish-kryesuese e Grupit parlamentar ndërpartiak për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, Jovan Mitreski, ish-kryesues i Grupit parlamentar ndërpartiak për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, Nikolla Micevki, koordinator i Grupit parlamentar të VMRO-DMPNE-së dhe kryesues i Grupit parlamentar ndërpartiak për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
Shkup – Konventa Kombëtare për Bashkimin Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut KKBE-MK) sot në Shkup do ta mbajë sesionin e 15-të të Grupit të Punës 4 (Kapitulli 24) – “Drejtësi, liri dhe siguri”. Tema e sesionit do të jetë “Sfidat në luftën me krimin financiar në Republikën e Maqedonisë së Veriut: Rëndësia e hetimeve efikase financiare”. Në panel-diskutimin do të prezantohen pikëpamje të ndryshme eksperte për mënyrën në të cilën institucionet përballen dhe do të duhet të përballeshin me format e ndryshme të krimit financiar, si dhe për qasjet multidisiplinare në hetimet financiare të cilat janë kyçe për luftë të suksesshme kundër krimit të organizuar.
Shkup - Me "Konferencën kombëtare për edukimin mediatik në arsim", e organizuar nga Instituti i Maqedonisë për Media (IMM) dhe IREKS, që do të zhvillohet sot prej orës 10 deri 12, në Hotel Limak në Shkup, vazhdojnë Ditët e edukimit mediatik 2024. Siç informojnë nga IMM, në fillim të konferencës fjalim do të mbajnë ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska dhe Xheri Dajbëll, përfaqësuesja e Zyrës së USAID-it në Maqedoninë e Veriut. Përfaqësues nga Byroja për Zhvillimin e Arsimit, IMM, IREKS, Qendra shtetërore e provimeve dhe Agjencia për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele do të prezantojnë aktivitetet e deritanishme të lidhura me përfshirjen e edukimit mediatik në arsimin formal, mes të cilëve edhe gjetjet nga hulumtimet e realizuara në mesin e nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme.
Shkup - Bashkësia e njësive të vetëqeverisjes lokale (BNJVL) dhe Ministria e Vetëqeverisjes Lokale sot janë nikoqir të takimit të 23-të të Komitetit të përbashkët konsultativ ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Komitetit të rajoneve të BE-së (KPK). Delegatët në këtë organ janë nda radhët e kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve nga vendi ynë dhe nga vendet e Bashkimit Evropian. Takimi do të mbahet në hotelin "Aleksandar Pallas" në Shkup, ndërsa do ta hapë kryetari i BNJVL-së dhe kryetari i komunës së Kisella Vodës, Orce Gjorgjievski.
Shkup – Në mëngjes në disa lugina do të ketë kushte për paraqitje të mjegullës. Gjatë ditës mot me diell me vranësira të vogla deri mesatare lokale. Në rajonet malore do të ketë vranësira të rritura dhe kushte për shi të lehtë të kohëpaskohshëm. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të jetë në interval prej 1 deri 10, ndërsa ajo maksimale do të lëvizë prej 18 deri 24 gradë.
Prishtinë – Komandanti i ri i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneral major Enriko Barduani, vlerëson se siguria e Kosovës është përmirësuar dukshëm nga periudha e pasluftës, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina. Në intervistën e mbrëmshme për radion e Prishtinës K4, duke folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Barduani tha se “zgjidhja përfundimtare për sfidat e sigurisë nuk është ushtarake, por politike” dhe i bëri thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të përfshihen në dialog politik.
Tiranë – Ish presidenti i Shqipërisë dhe lider i Partisë opozitare Partia e Lirisë, “Ilir Meta, reagoi nga burgu 313 në Tiranë, lidhur me protestën e mbrëmshme të opozitës, me bllokadë të gjashtë akseve kryesore rrugore kombëtare. Në publikimin në Fejsbuk, ku ka edhe fotografi me momente nga protesta, Meta iu falënderua pjesëmarrësve në tubim, duke theksuar se “shqiptarët me guxim qëndruan në përballje për ta marrë në dorë fatin e Shqipërisë.
Bruksel - Komisioni Evropian sot duhet ta publikojë Pakon e raporteve për progresin e rrugës evropiane të 10-të vendeve kandidate dhe kandidatëve potencialë për anëtarësim në BE në vitin 2024, mes të cilave edhe për Maqedoninë e Veriut. Siç paralajmëroi dje zëdhënësi i Komisionit Evropian, Stefan de Kersmaker, pasi "Pakoja për zgjerim" të miratohet nga Kolexhi i komesarëve, ajo zyrtarisht do të prezantohet nga përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri Zhozep Borell dhe eurokomisarit për zgjerim dhe politikë të fqinjësisë, Oliver Varheji.
Bruksel - Bashkimi Evropian dënoi sulmin e djeshëm me raketa ndaj pjesëtarëve të Misionit të KB-së në Liban (UNIFIL), me siguri të kryer nga lëvizja Hezbollah ose ndonjë grup militant i lidhur me të, me ç'rast u plagosën tetë paqeruajtës austriakë. "Sulmet ndaj paqeruajtësve të KB-së paraqesin shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe janë krejtësisht të papranueshme", thuhet në deklaratën me shkrim të përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Zhosep Borrel, të dërguar në emër të Bashkimit Evropian.
Jerusalem – Shefi i shtatmadhorisë izraelite, general Herzi Halevi, dje u kërcënua se do të sulmojë Iranin “shumë fuqishëm”, nëse Teherani i përgjigjet sulmit të Izraelit ndaj objektivave ushtarake të shtunën. “Nëse Irani bën gabim dhe realizon edhe një sulm me raketa ndaj Izraelit, ne përsëri do të dimë se si ta godasim Iranin dhe do ta godasim shumë, shumë fuqishëm”, theksoi general-nënkolonel Herzi Halevi.
Tajpei – Tajvani pret që tajfuni i fuqishëm Kun Rei të bie në tokë dhe dha paralajmërim për alarm para stuhisë, e cila do të sjellë shira të dendura dhe erëra të fuqishme në pjesën më të madhe të ishullit. Parashikohet që tajfuni do të jetë i kategorisë 4 kur do të bie nesër në mëngjes. Së pari do ta godasë bregun e banuar rrallë dhe malor lindor të Tajvanit në rrethin Taitung. Pastaj do të kalojë përgjatë pjesës jugore të Tajvanit, do të hyjë në Ngushticën e Tajvanit dhe do të niset drejt Kinës, njoftoi Drejtoria Qendrore Meteorologjike e ishullit.
Kiev - Mbrojtja ajrore e Ukrainës shkatërroi 33 nga gjithësej 62 dronët e dërguar nga Rusia gjatë natës, kumtuan Forcat ajrore të Ukrainës. Për 25 dronët tjerë nuk dihet gjendja, por një pjesë e tyre me siguri janë shkatërruar, thuhet në kumtesën e publikuar në “Telegram”. Në mesin e nëntë të plagosurve në Kiev, gjatë një sulmi të ri rus me dron, ndodhet dhe një vajzë 11 vjeçare, kumtuan autoritetet ukrainase.
Kiev – Në sulmet e djeshme ruse ndaj Rajonit Herson u vranë tre persona, ndërsa 15 janë lënduar, njoftoi në Fejsbuk shefi i Administratës Shtetërore Rajonale të Hersonit, Oleksandër Prokudin. “Antonovka, Komisani, Pridneprovsk, Zelenivka, Çernobayevka, Sadov, Bilozerka, Stanislav, Mikilske, Berislav, Dudçani, Zolota Balka, Lvivi dhe Herson ishin nën zjarr dhe sulme ajrore të armikut”, bëri të ditur Prokuidin.
Uashington – Kandidati për president të SHBA-së nga Partia Republikane, Donald Tramp deklaroi se nëse fiton në zgjedhjet e 5 nëntorit Bashkimi Evropian do të duhet “të paguajë çmim të lartë” për shkak të asaj që nuk blen mjaftueshëm mallra amerikane. “Shihni çka do tu them: Bashkimi Evropian tingëllon shkëlqyeshëm, apo? Të gjitha shtetet e bukura të vogla evropiane të mbledhura bashkë, tha ai në një tubim në Pensilvani, duke paralajmëruar se do të vendosë “Ligj Tramp për tregti reciproke”.
Uashington – Presidenti amerikan Xho Bajden është kritikuar ashpër nga Donald Tramp dhe republikanët për shkak të deklaratës që i ka quajtur mbështetësit e ish presidentit “plehra”. "Të vetmet plehra që shoh këtu janë mbështetësit e tij", tha Bajden në një manifestim zgjedhor përmes video-konferencës. Ishte në përgjigje të një komenti racist nga një komedian që gjatë tubimit të Donald Trampit në Nju-Jork e quajti Porto Rikon një "ishull lundrues nga plehra".
Uashington – Kamala Harris, nënpresidente e SHBA-së dhe kandidate demokratike presidenciale, mbrëmë ka mbajtur tubim të madh në vendin para Shtëpisë së Bardhë, i quajtur Elipsa, vendi i njejtë ku kundërkandidati i saj, ish presidenti Donald Tramp më 6 janar të vitit 2021 u ka bërë thirrje përkrahësve të tij që të hyjnë në Kapitol. Para rreth dhjetë mijë përkrahësve të saj, Harris ka bërë thirrje për ndryshime dhe “gjeneratë të re të liderëve të Amerikës”.
Uashington - Gjykata Supreme e SHBA-së ka refuzuar kërkesën e kandidatit të pavarur amerikan për president Robert Kenedi Xhunior për ta hequr atë nga fletëvotimet në dy shtete kyçe. Viskonsin dhe Miçigen janë ndër shtetet që mund të mbështesin cilin do kandidat dhe të përcaktojnë rezultatin e garës presidenciale. Kenedi Xhunior u tërhoq nga zgjedhjet dhe e mbështeti kandidatin republikan Donald Tramp.