12:00/29 tetor/2024
Shkup – Kryeministri Hristian Mickoski konfirmoi se ekziston grup pune i ekspertëve i cili punon në përgatitjen e zgjidhjes ligjore për përfaqësim të drejtë dhe se ministri i Administratës Publike nuk është pjesë e tij. “Unë nuk i komentoj qëndrimet e individëve që vijnë nga partnerët tanë të koalicionit. Po, ka një grup pune në të cilin ka ekspertë që po punojnë për hartimin e një zgjidhjeje ligjore që do të jetë kushtetuese, e cila pasi të përcaktohet do t'i jepet publikut për mbikëqyrje, do të dëgjojmë gjykatën e publikut dhe më pas Komisionit të Venecias para se të hynte në procedurë parlamentare. Përndryshe, po, ka një grup të tillë”, ministri Minçev nuk është në atë grup, tha Mickoski i pyetur nëse ka grup punues për Ligjin për përfaqësim të drejtë, duke qenë se dy partnerët e tjerë të koalicionit në Qeveri kanë qëndrime të ndryshme për këtë çështje.
Shkup – Kryeministri Hristian Mickoski paralajmëron se institucionet do t’i shfrytëzojnë të gjitha mjetet për mbrojtje të standardit të qytetarëve në rast të rritjes enorme të çmimeve të produkteve ushqimore pas përfundimit të shportës së konsumit të vjeshtës më 31 të këtij muaji. “Pres që bashkë me odat dhe me tregtarët dhe me prodhuesit të mos ketë tërbim. Nëse vjen deri te kjo do të reagojmë ashpër dhe do ta mbrojmë standardin e qytetarëve me gjithçka që kemi si mjet në dispozicion”, deklaroi Mickoski në pyetjen e gazetarëve para pjesëmarrjes në Konferencën e parë vjetore të Blumberg Adria në Shkup.
Shkup - Kryeministri Hristijan Mickoski sot tha se e ka pranuar dhe lexuar letrën e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti në lidhje me “vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe ndikimin e tyre në kohezionin ndëretnik dhe qëndrueshmërinë e vendit". "E mora letrën, e lexova. Letrën do ta ndaja në dy pjesë, pjesa e parë është një pasqyrë gjeostrategjike e situatës në rajon, përfshirë Lindjen e Mesme dhe Ukrainën, ndërsa pjesa e dytë është akuzë ndaj gjykatësve kushtetues të zgjedhur nga ana e LSDM-së dhe BDI-së se zbatojnë programin e VMRO-DPMNE-së. Nuk e kam ditur se këta gjyqtarë të zgjedhur nga shumica mes LSDM-së dhe BDI-së kanë zbatuar programin e VMRO-DPMNE-së, se është i shqetësuar për çështjen lidhur me ligjin për gjuhët dhe se kam ndërhyrë te gjykatësit kushtetues të zgjedhur nga LSDM dhe BDI që të kenë kujdes se çfarë bëjnë, sepse në këtë mënyrë mund ta destabilizojnë shtetin. Kjo është letra, publiku le të vlerësojë nëse meriton koment", ka thënë Mickoski duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve para konferencës së "Blumberg Adria".
Shkup - Kryetari i Aleancës për Shqiptarët dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, sot merr pjesë në hapjen solemne të Takimit të 74-të rajonal të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). "Kjo ngjarje e rëndësishme është e përkushtuar për përpjekjet e përbashkëta në përmirësimin e shëndetit publik dhe zhvillimin e sistemeve shëndetësore në rajon. Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë nga vende të ndryshme, pritet një shkëmbim produktiv i ideve dhe zgjidhjeve strategjike për sfidat në sektorin e shëndetësisë", informoi Taravari.
Ankara - Ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi në kuadër të vizitës së tij në Ankara, Republika e Turqisë realizoi takim me ministrin e Tregtisë së Turqisë, Omer Bollat. Në takimin që u realizua në Ministrinë e Tregtisë në Ankara është biseduar për marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike midis Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe zhvillimin dhe thellimin e këtyre marrëdhënieve. Palët në këtë takim u përqendruan edhe në mundësitë për bashkëpunim mes dy vendeve, ndërsa u bë thirrje për rritjen e investimeve.
Shkup - Enti Shtetëror për Revizion (ESHR) publikoi raportin për revizionin e realizuar të raporteve financiare së bashku me revizionin rreth harmonizimit të Ndërmarrjes së qarkullimit publik "Shkup" për vitin 2023 ku japin mendim jo të favorshëm për realitetin dhe objektivitetin e raporteve financiare të NQP-së dhe është konstatuar se Ndërmarrja publike nuk është në gjendje të ofrojë shërbime cilësore dhe me kohë për qytetarët e Qytetit të Shkupit.
Shkup - Në pikën kufitare Morinë, në kufirin shqiptaro-kosovar, u arrestua një kosovar 38-vjeçar, i kërkuar me fletarrest ndërkombëtar, të lëshuar nga autoritetet në Maqedninë e Veriut, ku është dënuar me gjashtë vite e gjysëm burg për trafikim të narkotikëve, kumtoi policia shqiptare. Sipas policisë, Burim Bajrami (38) është ndaluar nga shërbimet e Policisë kufitare në Morinë, derisa po përpiqej të hynte në territorin shqiptar, edhe pse ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas burimeve zyrtare, Bajrami, banor i Gjilanit, ishte dënuar në Maqedoninë e Veriut me 6,5 vjet burgim për trafikim të narkotikëve dhe kishte edhe rreth një vit e gjysmë për të vuajtur nga dënimi i tij.
Gostivar - Fushata "Projektojmë bashkë" e nisur nga kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani që ka për qëllim të përfshijë qytetarët në procesin e planifikimit dhe vendimmarrjes për projekte lokale, pas takimit në Zdunjë dhe Debresh, mbrëmë vazhdoi edhe në Vërtok dhe Reçan. “Banorët e këtyre vendbanimeve në bashkëbisedim me kryetarin Limani treguan interes dhanë idetë e tyre për investimet e ardhshme, ndërkaq kryetari Limani theksoi se çdo vendbanim do të preket nga investimet që do t'i kryej komuna në të ardhmen me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës për të gjithë”, thuhet në kumtesën e komunës.
Grozni - Lideri çeçen Ramzan Kadirov deklaroi se një dron e ka sulmuar Universitetin e forcave speciale ruse në Gudermes, Çeçeni, pas çka është djegur çatia e njërës prej ndërtesave, ndërsa të lënduar nuk ka. Kadirov deklaroi se ndërtesa, në të cilën është djegur çatia, ka qenë e zbrazët. Lideri çeçen tha se sulmi me dron nuk ka ndikuar në punën e Universitetit dhe se institucioni funksionon në mënyrë normale.
Gazë – Të paktën 55 palestinezë janë vrarë sot në një sulm izraelit ndaj një ndërtese banesore në qytetin Beit Laia, në pjesën veriore të Rripit të Gazës, njoftoi shërbimi shtetëror palestinez për situata të jashtëzakonshme. Në mesin e të vrarëve ka shumë gra dhe fëmijë, informuan mediat palestineze në bazë të informacioneve nga punonjësit shëndetësorë. Autoriteti palestinez për situata të jashtëzakonshme njoftoi se rreth 100.000 njerëz janë bllokuar në Beit Laija, Beit Hanun dhe kampin e refugjatëve Xhabalia pa rezerva mjekësore dhe ushqimore, pasi tanke izraelite kishin hyrë thellë në këto lagje në pjesën veriore të Gazës.
Jerusalem - Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu nuk ka marrë propozim për marrëveshje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve në Gazë, sipas zëdhënësit të tij, pas rifillimit të bisedimeve në nivel të lartë. Mediat më herët publikuan se Egjipti ka propozuar armëpushim dyditor në Gazë të dielën, pas çka do të mundësonte shkëmbimin e katër pengjeve izraelitë të mbajtur në enklavë për një numër të papërcaktuar të burgosurish palestinezë të cilët i ka mbajtur Izraeli.
Tbilisi – Në Gjeorgji sot do të rinumërohen votat në pesë vendvotime në çdo njësi zgjedhore pasi opozita proevropiane Koalicioni për ndryshime e akuzoi partinë në pushtet Ëndrra evropiane për mashtrim dhe vjedhje të zgjedhjeve parlamentare, njoftoi komisioni zgjedhor. “Rinumërim të votave do të ketë në 14 për qind të vendvotimeve në Gjeorgji. Brukseli dhe Uashingtoni kërkuan nga Tbilisi të hapë hetim për akuzat për parregullsi në zgjedhje.
Nju Jork – Ish kryetari i Nju Jorkut, Majkëll Blumberg, donoi 50 milionë dollarë për një organizatë jofitimprurëse e cila mbështet kandidaturën e kandidates demokrate në zgjedhjet në SHBA, Kamalla Haris, shkruan “Nju Jork Tajms”. Edhe pse Blumberg zakonisht flet publikisht për donacione, këtë herë ka dashur ta ruajë në fshehtësi, shton gazeta e Nju Jorkut. Ai i ka ridedikuar paratë për Future Forward USA Action, i cili është pjesë e Komitetit për aksion politik të Kamalla Haris dhe merret kryesisht me donacione anonime.
Uashington - Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Oregon dhe Uashington ka shpërthyer zjarr në kutitë e votimit gjatë votimit të parakohshëm të zgjedhjeve presidenciale. Policia në Portland kumtoi se kanë identifikuar një "automjet të dyshuar" lidhur me zjarret. Në zjarrin në Portland, u dëmtuan gjithsej tre qendra të votimit, ndërsa në Vankuver, Uashington, janë shkatërruar qindra fletëvotime. Pajisjet që shkaktuan zjarrin ishin ngjitur në pjesën e jashtme të kutive. Kutitë e votimit në Uashington dhe Oregon kanë sisteme për shuarjen e zjarrit për t'u aktivizuar kur temperatura brenda tyre arrin një pikë të caktuar, duke i mbuluar fletëvotimet me pluhur me qëllim shuarjen e zjarrit. Duket se sistemet kanë funksionuar në kutinë e votimit në Portland, ndërsa personeli i sigurisë ishte afër për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit.