• e hënë, 28 tetor 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

12:00/ 28 tetor/ 2024

Shkup - Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, i ka dërguar një letër zyrtare kryetarit të VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, lidhur me vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese dhe ndikimin e tyre mbi kohezionin ndëretnik dhe qëndrueshmërinë e vendit. Siç bënë të ditur sot nga BDI, letra është përgjigje ndaj sfidave serioze me të cilat përballet Maqedonia e Veriut në një moment jashtëzakonisht të ndjeshëm gjeopolitik, kur çdo tension i ri mund të ketë pasoja negative për marrëdhëniet ndëretnike dhe zhvillimin e brendshëm shtetëror. Ahmeti thekson se vendimet për heqjen e mekanizmave mbrojtës për komunitetet dhe ndryshimet në Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve jo vetëm që janë politikisht të diskutueshme, por janë shume të rrezikshme dhe të dëmshme për përparimin dhe qëndrueshmërinë e shoqërisë.

Shkup – Ditët e edukimit mediatik janë ngjarja më e rëndësishme kombëtare për mobilizimin e qytetarëve, organizatave civile, institucioneve arsimore, mediave dhe institucioneve shtetërore, si dhe për ngritjen e vetëdijes së tyre për rëndësinë e edukimit mediatik, deklaroi drejtori i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audivizuele, Zoran Trajçevski.  Në hapjen e edicionit të gjashtë të Ditëve të edukimit mediatik 2024 të cilat do të zgjasin deri më 4 nëntor, Trajçevski tha se këtë vit, në përputhje me temën e përgjithshme në Javën globale të edukimit mediatik dhe informativ, i organizuar nga Aleanca e edukimit mediatik dhe informativ të UNESKO-s, DEM 2024 do të mbahen nën moton “Vetëdija jote është filtri më i rëndësishëm”.

Shkup - Uji në Shkup është i sigurt tregojnë rezultatet e analizave fiziko-kimike dhe mikrobiologjike nga 44 pika matëse në qytet. "Sektori për kontroll sanitar në periudhën nga 21 deri 25 tetor të vitit 2024 ka marrë 161 mostra fiziko-kimike dhe 161 mostra për analizë mikrobiologjike të ujit të pijshëm nga 44 pika matëse në qytetin e Shkupit. Sipas rezultateve të marra nga analizat, të gjitha mostrat e analizuara korrespondojnë me Rregulloren për kërkesat për sigurinë dhe cilësinë e ujit të pijshëm", njoftuan sot nga NP "Ujësjellësi dhe kanalizimi". 

Shkup - Gjatë fundjavës së kaluar, ekipet e NP “Higjiena Komunale” - Shkup ngritën dhe transportuan 115 metra kub mbetje nga disa deponi të egra të vendosura në komunat Qendër, Karposh, Gazi Babë dhe Gjorçe Petrov të Shkupit.Aktivitetet u zhvilluan në rrugën “Pero Nakov” në komunën e Gazi Babës, ku janë larguar 70 metra kub mbetje komunale të vëllimshme dhe të përziera të hedhura në mënyrë të paligjshme,  si dhe në rrugët “Nikolla Parapunov” në komunën Karposh dhe “Hristo Batanxhiev” në komunën Gjorçe Petrov, ku janë ngritur gjithsej 25 metra kub mbetje nga deponitë e egra.

Tetovë - Në kuadër të aktiviteteve të vitit jubilar, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli së bashku me Kryetarin e Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektorin për Arsim Prof. Dr. Ibrahim Neziri, Prorektorin për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti, drejtoreshën e Parkut Teknologjik Artina Kamberi dhe shefen e kabinetit të Rektorit Valmisa Novi, gjatë vizitës në SHBA, realizuan takim me ish-kongresistin amerikan, Joseph DioGuardi dhe bashkëshorten e tij Shirley Cloyes DioGuardi si dhe përfaqësues të tjerë të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane. 

Sofje - Kandidatët e GERB-SDS të Bojko Borisovit kanë marrë numrin më të madh të votave nga shtetasit bullgar që kanë votuar në Maqedoninë e Veriut në zgjedhjet e djeshme - gjithsej 109 vota, njofton BTA.  I dyti është koalicioni "Vazhdojmë me ndryshimet - Bullgaria demokratike (VN-BD) me 53 vota, ndërsa “Prerodba” (Rilindja) pro ruse është në vendin e tretë me 48 vota. Pjesa tjetër e votave shpërndahet ndërmjet "Ka një popull të tillë" (24 vota), DPS - Fillimi i Ri (7 vota), BSP (8 vota), Aleanca për të drejta dhe liri (5 vota) dhe MEÇ (3 vota). Këto të dhëna janë publikuar në ueb faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Bullgarisë (KQZ).

Ankara– Gjithsej 216 pjesëtarë të dyshuar të grupit xhihadistë të Shtetit islamik janë arrestuar në një operacion të madh antiterrorist në Turqi, bën të ditur në rrjetin social X, ministri për Punë të Brendshme të Turqisë, Ali Jerlikaja. Operacioni antiterror është kryer në 45 qarqe, duke përfshirë Adanën, Ankaranë, Antalia, Bursa, Eskishehir, Stamboll, Izmir dhe Koxhaeli.

Bruksel - Bashkimi Evropian i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Gjeorgjisë dhe organeve të tjera që të përmbushin detyrën e tyre për hetim të shpejtë, transparent dhe të pavarur për kinse parregullsitë zgjedhore, tha përfaqësuesi i lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Zhosep Borel në lidhje me zgjedhjet parlamentare në vend të mbajtura të shtunën. "Ato parregullsi duhet të sqarohen dhe të zgjidhen. Ajo është një hap i domosdoshëm për rindërtimin e besimit në procesin zgjedhor", thekson Borel në një deklaratë në emër të BE-së. Sipas Borelit, BE-ja me kujdes i ndjek ngjarjet që sollën deri te zgjedhjet parlamentare në Gjeorgji dhe lidhjen e popullit gjeorgjian drejt vlerave demokratike dhe rrugës evropiane të vendit të tyre të demonstruar gjatë muajve të fundit.

Nikozia - Ftesë për vizitë zyrtare në SHBA të mërkurën ka marrë presidenti i Qipros, Nikos Hristodulidis nga presidenti amerikan Xho Bajden, njoftuan mediat e Qipros duke iu referuar informacioneve të publikuara në mediat amerikane, njofton korrespondentja e MIA-s nga Athina. Burime qeveritare për agjencinë e lajmeve CNA të Qipros thanë se në orët në vijim pritet të dalin me njoftim zyrtar.  Mediat në Qipro shkruajnë se kjo do të jetë vizita e parë në SHBA e presidentit të Qipros pas 28 viteve, duke pasur parasysh se i fundit ishte në vitin 1996 kur presidenti i atëhershëm Glaukos Kliridis u takua me presidentin e atëhershëm amerikan, Bill Klinton.

Londër – Shefi i diplomacisë britanike Dejvid Lami deklaroi se dje ka zhvilluar biseda të ndara në telefon me homologun e tij izraelit dhe iranian, në përpjekje që të shmanget përshkallëzimi i luftës “katastrofale” në rajon. Lami, në deklaratën pas sulmit ajror izraelit ndaj caqeve luftarake në Iran, tha se dje “ka zhvilluar biseda të rëndësishme” me ministrin izraelit Izrael Kac dhe ministrin iranian të Punëve të Jashtme, Abas Aragçi, transmetojnë mediat britanike.  “Britania e Madhe vazhdon të kërkojë qetësim të situatës dhe fund të konfliktit në Liban dhe Gazë”, tha Lami.

Teheran - Komandanti suprem i Gardës revolucionare të Iranit, Hosein Salami, sot paralajmëroi Izraelin se do të ketë "pasoja të hidhura" për sulmet izraelite ndaj objekteve ushtarake të Iranit të shtunën, publikuan mediat iraniane. Salami tha se Izraeli "ka dështuar në arritjen e objektivave tmerruese" të sulmeve duke e quajtur atë "gjykim të gabuar dhe pafuqishëm". Ai paralajmëroi se "pasojat e hidhura do të jenë të paparamenduara" për Izraelin i cili lufton kundër organizatave të mbështetura nga Teherani në Gazë dhe Liban.

Gazë – Drejtoria e mbrojtjes civile në Gazë njoftoi se të paktën 1.000 palestinezë janë vrarë në sulmet e kryera nga armata izraelite në pjesën veriore të Rripit të Gazës gjatë tri javëve të fundit.  Zëdhënësi i Drejtorisë për Mbrojtje Civile, Mahmud Basak, deklaroi se të paktën 1.000 njerëz ishin vrarë në sulmet e kryera nga armata izraelite në pjesën veriore të Gazës për rreth tri javë.  Basal deklaroi se të paktën 100.000 njerëz u ishin nënshtruar bllokadave dhe sulmeve në Xhabalia, Beit Hanun dhe Beit Lahija, ndërsa edhe 100.000 njerëz ishin të zhvendosur në qytetin Gazë. 

Nju Jork - Këshilli i Sigurisë së KB-së do të mbajë sot seancë urgjente me kërkesë të misionit iranian për shkak të sulmit izraelit ndaj Iranit midis natës së premtes dhe të shtunës, publikoi dje përfaqësuesi zviceran i cili për momentin kryeson me KS të KB-së. Misioni zviceran i KB-së kumtoi se takimin e ka kërkuar Irani me mbështetjen e Algjerisë, Kinës dhe Rusisë. Më herët sot, ministri i Punëve të Jashtme të Iranit Abas Arakçi, në një letër drejtuar Sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteresh përsëriti thirrjen për seancë urgjente të Këshillit të Sigurisë së KB-së dhe tha se Irani mbështet të drejtën për t'iu përgjigjur "agresionit kriminal" të Izraelit.

Uashington - Rrjeti social X herët në mëngjes e suspendoi profilin e ri të liderit të lartë të Iranit, ajatollah Ali Hamnei ku u publikuan mesazhe në gjuhën hebraike. Platforma X, ish Tuiter është në pronësi të Ilon Maskut.  Llogaria u suspendua me një njoftim të shkurtër se "X pezullon profilet që shkelin rregullat e platformës", por nuk është e qartë se cila pjesë e rregullave është shkelur.

Milano - Trajneri i Interit, Simone Inzagi është shprehur i zhgënjyer pas barazimit (4:4) me Juventusin në mbrëmjen e djeshme në derbin e xhiros së 9-të të Serisë A. Interi udhëheqi me 4:2 në njëzet minuta para fundit, por lejoi kundërshtarin të shpëtojë nga disfata. "Ka zhgënjim, por si trajner më duhet të analizoj katër golat që i pësuam. Luajtëm kundër një skuadre të fortë, por nuk kemi mundur të pësojmë katër gola. Më duhet të ndjek edhe anët pozitive. Juventusi është një ekip që ka pësuar vetëm një gol nga loja në tetë ndeshje në Serie A, sot duhej të kishte pranuar shtatë ose tetë. Fatkeqësisht, kishim katër pesë raste për të shënuar golin e pestë. Pastaj erdhi penaltia për shanset e humbura. Ka hidhërim, por si trajner duhet të analizoj dhe të flas me lojtarët, ata dukeshin të dëshpëruar në dhomën e zhveshjes. Është frustruese sepse luajtëm kundër Juventusit, mbrojtja e të cilit është e fortë dhe krijuam shumë shanse për gol, por nuk fituam", deklaroi trajneri i Interit për "Sky Sport Italia".

Madrid - Presidenti i Real Madridit, Florentino Perez është i gatshëm të blejë portier të ri pas disfatës nga Barcelona (0:4) në xhiron e 11-të të La Ligës spanjolle, transmeton “Realmadridexclusivo”. Për shkak të një dëmtimi që ka marrë Tibo Kurtoa, në El klasiko mbrojti Andrej Lunin. Sipas burimit, për shkak të rezultatit të pasuksesshëm të ndeshjes, Perez ka vendosur të blejë portier të ri. Portieri i Lil, Luka Shevalie thuhet se është një nga kandidatët.

QËNDRONI TË LIDHUR