• e martë, 06 gusht 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

12:00/ 6 gusht/ 2024

Shkup - Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot mbledhje do të mbajë Komisioni Ligjvënës - Juridik. Në rend dite, siç është bërë e ditur në ueb faqen e Kuvendit, është Kërkesa për interpretim autentik të nenit 7 paragrafët (2), (3) dhe (4) të Ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese ("Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë" numër 24/11, 51/11, 132. /11 148 /11, 74/12, 171/12, 27/14, 139/14, 156/14, 61/15, 154/15, 23/16, 178/16 dhe 90/17 dhe “Gazeta Zyrtare e Republika e Maqedonisë së Veriut numër 251/22), e parashtruar nga deputetët Halil Snopçe, Bojan Stojanoski, Merita Kolçi Koxhaxhiku, Kaltrina Beqiri, Imërlie Saliu-Fetai dhe Bekim Qoku.

Shkup - Gjithsej 23 zjarre në ambient të hapur janë evidentuar gjatë natës së kaluar. Prej tyre, tre janë ende aktive, gjashtë janë nën kontroll, 14 janë shuar, kumtuan sot nga Qendra për menaxhim me kriza (QMK). I pari nga tre zjarret ende aktive është në komunën Makedonsk Brodit - në zonën afër fshatrave Tazhevë dhe Breznicë - dega në drejtim të PK "Jasen". Zjarri i dytë aktiv është në territorin e dy komunave - Demir Hisar dhe Ohër, në malin Ilinska, afër fshatrave Vitovë, Bazernik, Ilino e vogël dhe Brezhan. I treti është në territorin e komunës Bogdanc dhe Dojran, afër fshatit Furkë.

Shkup - Në moshën 47-vjeçare ka ndërruar jetë gazetari Sashe Dimovski i cili në opinion ka qenë i njohur për ndjekjen e temave nga fusha e gjyqësisë. Dimovski ka qenë kryetar i Këshillit të nderit të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), ndërsa së fundmi është emëruar në Komisionin për falje të presidentes Gordana Siljanovska Davkova. Punën e tij si gazetar ai e ka kaluar në disa media, ndër të cilat në “Kanal 5”, “Sitel”, “TV Alfa”, “Fokus”, ndërsa ka qenë themelues i portalit SVEDOK.MK për ndjekjen e temave nga sfera e gjyqësorit.

Shkup - Dezinsektim ajror dhe tokësor kundër larvave të mushkonjave do të realizohet nesër në territorin e Shkupit, njoftuan nga Qyteti i Shkupit në ueb faqen e tyre.  Siç bëhet e ditur, dezinsektimi ajror do të realizohet në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa ai tokësor gjatë ditës.  "Nëse kushtet e motit nuk e lejojnë kryerjen e dezinsektimit, spërkatje do të bëhet ditën e parë të ardhshme, kur do të jenë të favorshme kushtet e motit, në terminin e njëjtë", shtohet në kumtesë. 

Shkup - Për shkak të dyshimit se ka shkaktuar zjarrin, nëpunës policor nga DPB- Prilep dhe nga Stacioni Policor për mbikëqyrjekufitare - Staravinë në Qendrën Rajonale për çështje kufitare Jug, dje kanë privuar nga liria G.K., në moshën 54 vjeçare nga fshati Shtavicë. "Rreth orës nëntë i ka vënë zjarrin barit të tharë në oborrin e shtëpisë së tij, pas së cilës zjarri është përhapur edhe në parcelat fqinje. G.K. është gjetur nga nëpunësit policor gjatë shuarjes së zjarrit dhe në një bisedë zyrtare ka pranuar veprën, shkruhet në kumtesën e sotme të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Dibër - Në vendkalimin kufitar "Qafë Thanë" në kufirin mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, në Strugë, nga 30 korriku deri 4 gusht janë regjistruar mbi 70 mijë udhëtarë, që është për 20 për qind më tepër në krahasim me periudhën e njëjtë vitin e kaluar. "Për shkak të sezonit turistik veror dhe arritjes së mërgimtarëve në vendlindje, në të dy vendet, numri i tyre është në rritje të vazhdueshme. Sipas informatave nga organet kompetente, bëhet fjalë për kapacitet të plotë dhe shpesh me procedurë të përshpejtuar që të mos krijohen radhë dhe pritje", njoftuan mediumet shqiptare.

Bruksel - Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësim serioz për shkak të shkatërrimit të vazhdueshëm të infrastrukturës kyçe civile në Rripin e Gazës përfshirë edhe impiantin e trajtimit të ujit në Rafah dhe i është bashkuar thirrjeve ndërkombëtare për zbardhjen e këtij incidenti. "I bëjmë thirrje qeverisë izraelite të tërhiqet nga veprimet që përkeqësojnë kushtet e jetesës së popullatës civile në Gazë dhe të respektojë detyrimet e saj sipas ligjit ndërkombëtar. Nevojitet armëpushim urgjent për t'i dhënë fund vuajtjeve të civilëve në Gazë si dhe pengjeve izraelite", thuhet në deklaratë në emër të Unionit nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Zhozep Borel.

Kiev - Në një sulm rus me raketa sot në qytetin Harkov në verilindje të Ukrainës, është dëmtuar një institucion mjekësor, ka shkruar kryetari i qytetit në aplikacionin Telegram. Guvernatori rajonal i rajonit Harkov tha se dy persona po mjekohen për reagime akute stresi dhe shtoi se mund të kishte më shumë njerëz nën rrënoja. Autoritetet lokale më parë kumtuan se sulmi ka shkaktuar edhe zjarr në pjesën qëndrore të Harkovit.

Uashington - Nënpresidentja e SHBA-së, Kamalla Haris zyrtarisht u bë kandidatja për presidente e Partisë Demokratike, pasi ishte zgjedhur përmes votimit onllajn në Komitetin Kombëtar Demokratik. Ajo është gruaja e parë indiane me ngjyrë që bëhet kandidate e një partie të madhe amerikane për të bërë fushatë për Shtëpinë e Bardhë. Haris ka lindur në Kaliforni në vitin 1964 si fëmijë i emigrantëve: nëna e saj ka origjinë nga India, ndërsa babai i saj ka lindur në Xhamajka. Pas ndarjes së tyre, për Kamalën dhe motrën e saj Maja kryesisht ishte kujdesur nëna e saj nën ndikimin e fortë të traditave indiane, por pastaj të gjithë e pranuan kulturën e zezë në Ouklend. "Nëna ime shumë mirë e dinte se po kujdesej për dy vajza me ngjyrë. Ajo ishte e përkushtuar në atë që unë dhe Maja të rritemi si vajza me ngjyrë me vetëbesim dhe krenare", shkroi Haris në autobiografinë e saj.

Hiroshima - Sot në Hiroshima shënohet 79 vjetori nga sulmi atomik i kryer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku rreth 50.000 njerëz i nderuan viktimat me një minutë heshtje. Kryetari i Hiroshimës, Kazumi Macui, bëri thirrje për bashkimin e popujve në mënyrë që të inkurajojë liderët botërorë të braktisin kërcënimet bërthamore, veçanërisht në kontekstin e konflikteve globale si lufta në Ukrainë dhe Lindjen e Afërt. "Sulmi i vazhdueshëm i Rusisë ndaj Ukrainës dhe përkeqësimi i situatës midis Izraelit dhe palestinezëve shtojnë frikën dhe mosbesimin midis popujve, duke përforcuar pikëpamjen se duhet të mbështetemi te forca ushtarake për të zgjidhur problemet ndërkombëtare, të cilat duhet t'i refuzojmë", tha Macui në fjalimin e tij.

Uashington - Më shumë se tetë për qind e amerikanëve nuk kishin sigurim shëndetësor në muajt e parë të vitit 2024, tregojnë të dhëant e fundit të Qendrës për kontroll dhe parandalim të sëmundjeve (CDC). Vlerësohet se 27,1 milionë amerikanë nga të gjitha moshat ishin pa sigurim shëndetësor deri në mars, thekson CDC, e cila i publikon vlerësimet për mbulimin e sigurimit çdo tre muaj bazuar në rezultatet nga anketa e agjencisë kombëtare shëndetësore, transmeton Si-BI-Es.

Teheran - Irani dhe Pakistani thirrën takim të ministrave të punëve të jashtme të anëtarëve të Organizatës për Bashkëpunim Islamik (OBI), i cili do të mbahet në Arabinë Saudite. Takimi është thirrë për shkak të vrasjes së liderit të Hamasit, Ismail Hania, në Teheran. Takimi, i cili do të mbahet në qytetin bregdetar Xheda, "do të përqendrohet në krimet e okupimit izraelit dhe atentatit të Hanias", njoftoi OBI, me seli në Arabinë Saudite. 

Barcelonë - Mesfushori i Barcelonës, Ilkaj Gundogan nuk ka për qëllim të largohet nga ekipi katalonas këtë verë, njofton "Mundo Deportivo". Përfaqësuesit e futbollistit e kanë informuar menaxhmentin e klubit për këtë vendim. Paraprakisht u publikua se Gundogan do të mund të kalojë në klubin e Katarit, Al-Sad. Sezonin e kaluar, mesfushori 33-vjeçari ka luajtur 51 ndeshje për Barcelonën në të gjitha garat, duke shënuar pesë gola dhe 14 asistime. Kontrata e tij me ekipin është deri verën e vitit 2025. 

Karakas - Kryetari i Komisionit zgjedhor të Venezuelës, Elvis Amoroso mbrëmë kumtoi se Gjykatës supreme ia ka dorëzuar të gjitha procesverbalet nga zgjedhjet presidenciale, prej të cilit presidenti Nikollas Maduro ka kërkuar ta zyrtarizojë fitoren e tij të kontestuar. "Gjithçka që ka kërkuar gjykata më e lartë, u dorëzua", tha Amoroso. Opozita vlerëson se edhe Komisioni shtetëror i zgjedhjeve është lojal ndaj pushtetit.

QËNDRONI TË LIDHUR