• e martë, 06 gusht 2024

MIA Flesh

MIA Flesh

9:00/ 6 gusht/ 2024

Shkup - Ribalanci i buxhetit e kaloi Komisionin kuvendor për financim dhe buxhet, pas çka duhet të marrë mbështetje në seancë plenare, e cila mund të zgjasë më së shumti tri ditë. Debati i përgjithshëm në Komision për ribalancin zgjati tri ditë, ndërsa ai për amandamentet përfundoi dje.  Për ribalancin deputetët parashtruan gjithsej 58 amandamente, një pjesë të tyre i tërhoqën, të tjerët ishin refuzuar. U pranuan vetëm dy amandamente - për pagesë të administratorëve dhe për reklamim politik të cilët ishin përfshirë në zbatimin e zgjedhjeve të këtij viti, të cilët i parashtruan deputetët Bojan Stojanoski dhe Dafina Stojanoska nga VMRO-DPMNE pak para përfundimit të seancës.  Stojanoski me amandamentin kërkoi 318 milionë denarë për administratën e zgjedhjeve, ndërsa Stojanoska 32,169 milionë denarë për reklamim të paguar politik. 

Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet pa pengesa, nëpër rrugë kryesisht të thata. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është shtuar. Karakteristikë për periudhën e verës është se në VK Tabanoc për hyrje dhe në VK Bogorodicë për dalje nga vendi, vërehet frekuencë e shtuar e automjeteve, por sikurse edhe në vendkalimet e tjera kufitare edhe në anën tonë, nuk ka vonesa, kumton LAMM.

Shkup - Moti sot do të jetë me diell dhe i ngrohtë, pasdite me vranësira të vogla deri mesatare lokale. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare nga drejtimi verior, më të shprehur përgjatë Vardarit.Temperatura minimale do të jetë në interval prej 12 deri 21, ndërsa ajo maksimale do të jetë prej 30 deri 38 gradë Celsius. UV-indeksi do të ketë vlerë 8. Në Shkup moti do të jetë me diell dhe vranësira të vogla deri mesatare dhe me erë të dobët deri mesatare. Temperatura minimale do të ulet deri 17, ndërsa ajo maksimale do të arrijë deri 36 gradë Celsius. DPHM për ditët e ardhshme parashikon mot me diell dhe të ngrohtë, me paraqitje të vranësirave gjatë pasdites dhe me erë të dobët deri mesatare veriore, më të shprehur përgjatë Vardarit.

Prishtinë - Veprimet e pakoordinuara të qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si një partner i besueshëm ndërkombëtar, kumtoi mbrëmë Ambasada e SHBA-së në Prishtinë. Sipas tyre, ambasada amerikane është "thellësisht e zhgënjyer" nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të ndërmarra dje nga qeveria e Kosovës kundër degëve të postës serbe në veri të Kosovës. Ata i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që të ndërpresë çdo veprim të mëtejshëm “të njëanshëm” dhe t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialog me mbështetje të BE-së, për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Beograd - Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq e ka konsideruar të turpshme thirrjen e Bashkimit Evropian që për çështjen e Bankës së Serbisë në Kosovë të dialogohet në Bruksel dhe ka pretenduar se sjelljet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, janë përpjekje për të shkaktuar konflikt të armatosur. Policia e Kosovës ka thënë të hënën se ka mbyllur tri degë të Postës së Serbisë në Mitrovicë të Veriut, tri në Leposaviq, dy në Zveçan dhe një në Zubin Potok. "Ne nuk duam luftë, duam të ruajmë paqen. Kurti po e bën këtë në mënyrë të qëllimshme dhe të organizuar, me mbështetjen e disa fuqive perëndimore”, ka thënë Vuçiq, transmeton Koha.net.

Kiev - Së paku pesë shpërthime janë regjistruar mbrëmë vonë në Kiev të Ukrainës ku kanë rënë sirenat nga sulmi ajror, thanë autoritetet lokale. Njësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës kanë hasur në raketa ruse drejt Kievit, shtojnë autoritetet. Shpërthime të reja janë dëgjuar rreth gjysmë ore pas shpërthimeve fillestare. Shefi i administratës ushtarake të Kievit, Sergij Popko bëri të ditur se sipas të dhënave fillestare nuk ka informacione për viktima apo dëme. Njësitë e mbrojtjes ajrore të Ukrainës janë duke operuar në Kiev dhe rrethinën e qytetit, njoftuan autoritetet e qytetit në Telegram.

Berlin - Bundesveri gjerman është duke u përgatitur për një operacion të madh për evakuimin e qytetarëve gjermanë nga Libani për shkak të frikës nga përshkallëzimi ushtarak në Lindjen e Afërt, njoftoi DPA. Për këtë qëllim, në bazën ajrore në qytetin Vunstorf në qytetin gjerman Saksonia e Ulët, mbahet gati një aeroplan transportues ushtarak A400M dhe ushtarë të cilët për një kohë të shkurtër mund të dërgohen për ndihmë gjatë evakuiimit. Po përgatiten edhe forca gjermane detare. Misioni mund të përfshijë kryesisht shtetas gjermanë që kanë mbetur në Liban pavarësisht thirrjeve të përsëritura për t'u larguar nga vendi.

Uashington - Të paktën pesë ushtarë amerikanë janë plagosur, njëri prej tyre seriozisht, gjatë sulmit ndaj bazës ajrore "Ain al Asad" në Irakun perëndimor, kumtuan përfaqësues zyrtarë amerikanë. Incidenti ka ndodhur në kohë kur Lindja e Afërt po përgatitet për valë të re eventuale të sulmeve nga ana e Iranit dhe aleatëve të tij, për shkak të vrasjes së anëtarëve lartë të pozicionuar të lëvizjes palestineze Hamas dhe grupit libanez Hezbollah javën e kaluar. Sipas forcave irakiane të sigurisë, dy raketa "Katjusha" janë gjuajtur në bazën ajrore "Ain al Asad" në Irakun perëndimor dhe kanë rënë brenda në bazë.

Ramalla - Presidenti palestinez Mahmud Abas do ta vizitojë Rusinë nga 12 deri më 14 gusht, njoftuan mediat ruse. Këshilltari i Kremlinit për politikë të jashtme, Jurij Ushakov, në qershor informoi për vizitën, por pa saktësuar datë. Abasi planifikonte ta vizitonte Rusinë qysh në nëntor të vitit të kaluar, por vizita ishte shtyrë me kërkesë të palës palestineze.  "Rripi i Gazës duhet të transferohet nën kontroll të autoriteteve palestineze legjitime, ndërsa planet izraelite për kontroll të përkohshëm të enklavës janë të papranueshme", deklaroi presidenti palestinez Mahmud Abas për agjencinë ruse të lajmeve RIA, transmeton Jahu.

Karakas - Prokurori i përgjithshëm i Venezuelës, Tarek Saab mbrëmë ka kumtuar se prokuroria e shtetit po fillon procedurë penale kundër liderëve të opozitës Maria Korina Maçado dhe Edmundo Gonzalez të cilët kontestojnë rezultatet e zgjedhjeve të 28 korrikut. Saab deklaroi se hetimi ka të bëjë me "nxitjen e policisë dhe ushtrisë për të mos iu bindur ligjit". Më herët dje, liderët e opozitës publikuan një letër ku u bënin thirrje forcave të sigurisë të "qëndrojnë në anën e popullit" dhe të respektojnë rezultatet e zgjedhjeve që sipas tyre, "ata i kanë fituar".

Nju Jork - Një gjykatës amerikan ka vendosur se Gugell ka shkelur ligjet antimonopol duke shpenzuar miliarda dollarë për të krijuar një monopol të paligjshëm dhe për t'u bërë motor standard i kërkimit në botë, që është fitorja e parë e madhe federale kundër dominimit të gjigantëve të teknologjisë të tregut. Vendimi i gjykatësit të qarkut se Gugëll ka një monopol të paligjshëm mbi kërkimin onaljn është një fitore historike, njoftoi Ministria amerikane e Drejtësisë. “Kjo fitore kundër Gugëll është një fitore historike për popullin amerikan”, thuhet në kumtesën e prokurorit amerikan Merik Garland.

Daka - Studentët protestues nga Bangladeshi sot paralajmëruan se do të angazhohen që nobelisti Muhamed Junus ta udhëheqë qeverinë kalimtare, një ditë pasi kryeministrja ishte rrëzuar dhe ushtria e mori pushtetin.  "Vendosëm se do të formohet qeveria e përkohshme në të cilën nobelisti i njohur ndërkombëtar dr.Muhamed Junus, i cili gëzon mbëshetje të gjerë, ta udhëheqë qeverinë e përkohshme", tha Nahid Islam, lideri i studentëve kundër diskriminimit në një video porosi.  Shefi i armatës së Bangladeshit, gjeneral Vaker - Uz - Zaman dje në një paraqitje përmes televizionit shtetëror deklaroi se Sheik Hasina ka parashtruar dorëheqje nga funksioni kryeministre dhe se ushtria do të formojë qeveri kalimtare.

Karakas - Opozita venezuelase u ka bërë thirrje "zyrtarëve ushtarakë dhe policorë" të qëndrojnë "në anën e popullit", pasi që Nikollas Maduro për herë të tretë është shpallur president i vendit në zgjedhjet e mbajtura paradokohe.  "I apelojmë ndërgjegjes së armatës dhe policisë të qëndrojnë në anën e popullit dhe familjeve të tyre", kanë shkruar liderja opozitare Marija Korina Maçado dhe kandidati presidencial Edmundo Gonzales, për të cilët opozita pohon se e kanë fituar bindshëm Maduron.

Uashington -Të paktën pesë persona kanë vdekur pasi uragani Debi e goditi Floridan, para se të dobësohej në një stuhi tropikale. Debi pritet të shkaktojë përmbytje të mëdha në disa pjesë të Gjeorgjisë dhe Karolinas në ditët në vijim, njoftoi Bi-Bi-Si. Qendra Kombëtare e Uraganeve paralajmëroi për një kërcënim "kërcënues për jetën" nga përmbytjet për shkak të "stuhisë që lëviz ngadalë" e cila sjell "reshje të mëdha shiu". Debi goditi dje në mëngjes si një uragan i kategorisë 1 në rajonin Big Bend të Bregut të Gjirit të Floridës. Autoritetet kumtuan së në mesin e të vdekurve është edhe një djalë 13-vjeçar, i cili vdiq kur një pemë ra në një shtëpi lëvizëse në Levi kaunti, në afërsi të Gejnsvill. Në qarkun Hilsboro, pranë Tampa, një kamion 18 tonësh u rrotullua në një kanal gjatë stuhisë. Shoferi u gjet i vdekur. Në qarkun Diksi, në perëndim të Gejnsvill, u kumtuan se një grua dhe një fëmijë 12-vjeçar kanë vdekur kur automobili i tyre u përplas të dielën mbrëma. Një tjetër vdekje u raportua në Gjeorgjinë jugore - një djalë 19-vjeçar - pasi një pemë e madhe ra në verandën e një shtëpie në Multri, sipas mediave lokale.

Paris - Përfaqësuesja e Spanjës mbrëmë e fitoi Marokun në gjysmëfinalen e turneut të futbollit në Olimpiadën 2024 me rezultat  2:1. Përfaqësuesja spanjolle e përsëriti rekordin e Brazilit për kualifikim në finalen e Lojërave Olimpike - pesë herë. "Furia e kuqe" luajti në ndeshjet për medalje të artë në Antverp 1920, Barcelonë 1992, Sidnej 2000, Tokio 2020 dhe tani në Paris.  Finalja mes Francës dhe Spanjës do të luhet më 9 gusht. 

QËNDRONI TË LIDHUR