• e mërkurë, 29 janar 2025
MIA Flesh

18:00/ 27 janar/ 2025

Shkup – Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe sot në konferencë për media njoftoi se në Prokurori ka dorëzuar raporte tremujore për gjashtë muaj për punën e Klinikës së Onkologjisë, si dhe nga grupet eksperte të punës nga koha kur ai ishte ministër. Kërkoi përgjigje nga VMRO-DPMNE, nga deputetja Rashella Mizrahi e cila e udhëhiqte Komisionin e Onkologjisë, si dhe ish ministrin e Shëndetësisë Fatmir Mexhiti pse ishin fshehur këto raporte. Nga Prokuroria pret që të analizohen raportet, por edhe që të hetohet se kush dhe pse i ka fshehur. Filipçe thotë se derisa ishte ministër i Shëndetësisë ka pasur ilaçe në Onkologji, duke përfshirë edhe krizën e Kodivit.  Sipas tij, e vërteta për Klinikën e Onkologjisë të cilën duhet ta dijë publiku ka lidhje të drejtpërdrejtë me Komisionin Anketues të cilin e udhëhiqte Rashella Mizrahi, duke i quajtur të rreme akuzat se nuk ekzistojnë raporte për punën.

Shkup - Gjendja aktuale, bashkëpunimi ekonomik dhe politik, ishin në fokus të bisedës telefonike të kryeministrit Hristijan Mickoski me sekretarin britanik të shtetit për punë të jashtme, Komonuelth dhe Zhvillim, Dejvid Lami.  Kryeministri Mickoski, siç kumtoi shërbimi për shtyp qeveritar, e theksoi angazhimin për bashkëpunim më të ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar në projekte të përbashkëta që do të sjellin përfitime ekonomike dhe politike për qytetarët. Bashkëbiseduesit konstatuan se ekziston hapësirë për intensifikimin e marrëdhënieve miqësore dhe për projekte të përbashkëta në infrastrukturë, energjetikë dhe shkëmbime ekonomike.

Shkup - Në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme sot me hapjen e ekspozitës nga Jad Vashem - Izrael, të quajtur "Aushvic - një vend në Tokë: Album me fotografi nga Aushvic", e cila paraqet një dokumentim unik vizual të vujtjeve të hebrenjve të dëbuar në Birkenau, është shënuar Dita ndërkombëtare e përkujtimit të viktimave të Holokaustit. Siç publikoi në profilin e tij në Fejsbuk ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ai në fjalimin e tij e theksoi rëndësinë e kujtimit të ngjarjeve tragjike të Holokaustit dhe bëri homazhe për viktimat, veçanërisht për hebrenjtë maqedonas që u deportuan në Treblinka në vitin 1943.

Shkup - Kryetari i LSDM-së Venko Filipçe e përkrah kryeministrin Hristijan Mickoski se sa më shpejtë duhet të kërkojë takim me kryeministrin bullgar, Rosen Zheljazkov që të konfirmohet nëse mund të merren garanca shtesë lidhur me veton për negociata me BE-në. "Një nga argumentet është se nuk ka Qeveri politike në Sofje. Ja tani ka dhe absolutisht e përkrahi kryeministrin që të kërkojë sa më shpejtë takim me qeverinë politike dhe kryeministrin e Bullgarisë, që edhe ajo pjesë më në fund të zbardhet. Që të shohim nëse mundemi apo jo të marrim garanca shtesë. Do ta përkrahim, përsëris, çdo propozim më të mirë. Absolutisht, çdo formë të garancave shtesë, megjithatë, le të ndodh sa më shpejtë, pasi koha po kalon. Shqipëria dhe Mali i Zi  me hapa të mëdhenj po ecin përpara", deklaroi sot në pres konferencë në selinë e partisë, Filipçe. Ne (qeveritë e mëparshme të LSDM-së), tha ai, kemi bërë makismumin që kemi mundur.

Shkup - Inspektorati Shtetëror i Tregut (ISHT) paralajmëroi se në periudhën e ardhshme do të bëjë kontrolle të përforcuara në terren, në përputhje me Ligjin për veprimtari hotelierike dhe Ligjin për mbrojtjen nga duhani. Kontrollet do të kryhen në koordinim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, në të gjithë territorin e vendit, me theks në parandalimin e shërbimit të alkoolit për të miturit.  "Shërbimi i alkooolit për të miturit është vepër penale, ndërsa dënimet për ato hotelierkë që do të gjenden duke ju shërbuar alkool të miturve janë rigoroze dhe lëvizin deri 4.000 euro. Përveç gjobave me para, shqiptohen edhe dënime për ndalimin e punës për një periudhë një muajshe. Apelojmë te hotelierët që të veprojnë në përputhje me obligimet që dalin nga Ligji për veprimtari hotelierike, sipas të cilit janë të obliguar të përcaktojnë moshën e personit të cilit i shërbehet alkool! Nëse Inspektorati i Tregut konstaton parregullsi, do të veprojë në mënyrën më rigoroze!", theksojnë nga ISHT.

Shkup - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, sot ka zhvilluar një takim pune me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Malit të Zi, Andrija Mandiq, i cili do të marrë pjesë edhe në ceremoninë e sotme me rastin e Shën Savës – festës kombëtare të bashkësisë etnike serbe në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Takimi, siç kumtuan nga Kabineti i Stoilkoviqit,  u mbajt në një atmosferë miqësore dhe konstruktive, ku u diskutuan disa tema aktuale me interes për të dyja shtetet, të cilat do të forcojnë më tej marrëdhëniet tashmë të mira. "Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se marrëdhëniet e mira mundet dhe do të kultivohen dhe se duhet të mbështetemi tek njëri-tjetri si dhe bashkëpunimi të ruajë nivelin e deritanishëm", thuhet në kumtesë.

Shkup - Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska sot në deklaratë për media tha se nuk është e vërtetë se lëndët filozofia dhe logjika janë hequr nga koncepti për reformë në arsimin e mesëm, pasi një pjesë e profesorëve të gjimnazit në këto lëndë hapur vlerësuan se është vetëvrasje të propozohet një koncept për arsimin e mesëm pa filozofi, logjikë dhe etikë.  "Nuk është e vërtetë, nuk hiqen as filozofia, as logjika. Por gjithsesi, ky është një draft version i vënë për diskutim publik. Tani jemi duke mbledhur sugjerime, vërejtje, propozime dhe pasi të përfundojë debati publik do të arrijmë në një përfundim përfundimtar. Para dy ditësh isha në Fakultetin Filozofik, pata një takim me profesorët e Fakultetit Filozofik, patëm një bisedë shumë konstruktive. Pres edhe mbështetjen e tyre, sepse i kemi dëgjuar dhe do të veprojmë sipas rekomandimeve të përbashkëta, por para së gjithash për të mirën e nxënësve", tha Janevska.

Shkup - Për edukim më të mirë të studentëve, përveç profesorëve të mirë, duhet edhe literaturë cilësore. Teksti i parë i integruar në gjuhën maqedonase, "Gjinekologjia dhe Obstetrika", është hap i rëndësishëm drejt avancimit të arsimit të mjeksisë. Edhe në këtë kohë kur studentët flasin rrjedhshëm së paku një gjuhë të huaj, të mësuarit në gjuhën amtare - maqedonase mundëson përvetësimin më efektiv të njohurive të qëndrueshme. Këtë e tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska në promovimin në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup. Ministrja gjithashtu theksoi se nuk është e lehtë të bësh një tekst cilësor, prandaj duke i uruar autorët, ju bëri thirrje punonjësve shkencorë dhe profesorëve që të ndjekin shembullin si investim për arsim më cilësor për studentët tanë.

Shkup - Në Ministrinë e Punëve të Brendshme sot është kryer pranim-dorëzimi i pajisjeve për luftimin e posedimit të paligjshëm, keqpërdorimit dhe tregtisë së paligjshme me armë të vogla dhe të lehta. Pajisja, siç kumtoi MPB-ja, do të përdoret në departamenet për polici kufitare dhe kriminalistike. Pajisja është dhuruar në kuadër të projektit "Mbështetje për përforcimin e luftës kundër posedimit të paligjshëm, keqpërdorimit dhe tregtisë me armë të vogla dhe të lehta në Ballkanin Perëndimor" nga UNDP-ja dhe Bashkimi Evropian, ndërsa e realizuar përmes Agjencisë për kontrollin e armëve të vogla dhe të lehta në Evropën juglindore dhe lindore (SEESAK). Vlera e përgjithshme e pajisjes është 662.532,10 dollarë amerikanë. 

Shkup - Në kuadër të Kryesimit Polak me Bashkimin Evropian, zëvendëskryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Igor Zdravkovski, merr pjesë në Konferencën e Kryetarëve të Komisioneve Parlamentare për Çështje Evropiane të Vendeve Anëtare të BE-së - KOSAK, që mbahet në Varshavë të Polonisë. Siç kumtoi shërbimi për shtyp i qeverisë, konferenca u hap me fjalim përshëndetës nga Małgorzhata Kidava-Błonska, marshall i Senatit të Republikës së Polonisë, e cila, duke iu referuar prioriteteve polake, vuri në dukje se Polonia mori kryesimin në gjysmën e parë të 2025, në një periudhë sfidash të mëdha për vendet anëtare dhe Bashkimin Evropian në tërësi.

Shkup - Uji për pije në Shkup është i sigurt, tregojnë rezultatet nga hulumtimet e bëra fiziko-kimike dhe mikrobiologjike nga 47 vende matëse në qytet. "Sektori për kontroll sanitar në periudhën prej 20 deri 24 janar 2025 ka marrë 195 mostra për analizë fiziko-kimike dhe mikrobiologjike të ujit për pije nga 47 vende matëse në Qytetin e Shkupit. Në pajtim me rezultatet nga analizat, të gjitha mostrat i përgjigjen Rregullores për kërkesë dhe cilësi të ujit për pije", informojnë nga NP "Ujësjellësi dhe kanalizimi" - Shkup.

Shkup– Për shkak të intervenimeve teknike në rrjetin e shpërndarjes elektrike, nesër pa energji elektrike do të mbeten një pjesë e shfrytëzuesve të komunave Aerodrom, Butel dhe Gjorçe Petrov, njoftoi QRMK – Shkup.  Në periudhën prej orës 08:00 deri në orën 15:00 pa rrymë do të mbesin shfrytëzuesit e rrugës “Todor Çangov”, më saktë nga udhëkryqi me “Todor Çangov” numër 10 deri në udhëkryqin me “Gjorgi Kapçev” numër 25 në Komunën Aerodrom.  Në periudhën prej orës 09:00 deri në orën 11:00 pa furnizim me energji elektrike do të jenë shfrytëzuesit e rrugëve "3" dhe “Radishanska” në Komunën Butel. 

Bruksel – Këshilli i Punëve të Jashtme të BE-së mori vendime për vazhdimin e masave restriktive ekonomike drejt Rusisë për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës për edhe gjashtë muaj të tjerë, si dhe për shfuqizimin e regjimit pa viza për diplomatët dhe zyrtarët gjeorgjianë.  Këshilli vendosi t’i vazhdojë sanksionet e BE-së drejt Rusisë deri më 31 korrik 2025 si rezultat i “aktiviteteve të vazhduara të Federatës Ruse me të cilat destabilizohet situata në Ukrainë”.  Sanksionet ekonomike drejt Rusisë për shkak të “aktiviteteve destabilizuese” ishin vendosur në korrik të vitit 2014 pas okupimit rus dhe aneksimit të gadishullit ukrainas Krime, ndërsa ishin zgjeruar edhe më shumë nga fillimi i agresionit ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Bruksel - Këshilli i BE-së sot me propozim të përfaqësueses së lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas e emëroi diplomatin danez Peter Sorensen për përfaqësues të ri të posaçëm të Unionit për dialogun Prishtinë - Beograd. Siç kumtoi Këshilli, detyra e Sorensenit do të jetë ta lehtësojë dialogun që do të kontribuojë për normalizimin e përgjithshëm të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e posaçërisht për zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe të Aneksit për implementimin e tij. Sorensen, i cili është shef i mëparshëm i Delegacionit të BE-së në Shkup, do ta ndërmerr detyrën e re nga përfaqësuesi i lartë i deritanishëm Mirosllav Lajçak më 1 shkurt. Mandati i parë i Sorensenit zgjat 13 muaj.

Bruksel - Përfaqësuesit hungarezë e kanë bllokuar kumtesën e përbashkët të vendeve të Bashkimit Evropian, ku zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi cilësohen të rreme, njoftoi Radio Evropa e Lirë. Në mungesë të nënshkrimeve nga përfaqësuesit e të gjitha 27 vendeve të BE-së, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas dha deklaratë të posaçme, ku thotë se zgjedhjet më 26 janar nuk kanë qenë të lira dhe korrekte dhe u bëri thirrje autoriteteve bjelloruse që t'i lirojnë të gjithë të burgosurit politikë. "Vendimi i regjimit që t'u bërë thirrje vëzhguesve zgjedhorë nga OSBE-ja dhjetë ditë para zgjedhjeve, i pengoi të kenë qasje deri te fazat kyçe të procesit zgjedhor", tha Kallas.

Bruksel - Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rute sot u ka bërë thirrje anëtarëve të Aleancës që t'i rrisin harxhimet për mbrojtje mbi qëllimin e përbashkët prej dy për qind nga Bruto Prodhimi i tyre Vendor (BPV), të vendosur para një dekade dhe tani konsiderohet për shumë të ulët për shkak të sfidave të reja. Rute këtë e bëri me dije në konferencë për shtyp me kryeministrin portugez, Luis Montenegro në Lisbonë. "E dimë se qëllimi prej dy për qind, i vendosur para një dekade nuk do të jetë i mjaftueshëm tani për t'u përgjigjur sfidave ditën e nesërme", tha Rute.

Bruksel - Pesë vitet e ardhshme nuk do të jenë më të lehta, deklaroi kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajden pasi komisionerët e rinj evropianë u betuan para Gjykatës së Drejtësisë së BE-së. Në fjalimin e saj kushtuar kësaj ngjarje, ajo theksoi se komisionerët evropianë po premtojnë sot se do të bëjnë gjithçka që munden për të mbrojtur BE-në. Sipas Fon der Lajen, do të vazhdojnë përpjekjet për ndryshimin e rendit ndërkombëtar, synimi i të cilit është mbjellja e frikës dhe ndarjes në shoqëritë demokratike. "Liritë personale nuk duhet të merren kurrë si të mirëqena, KE dhe Gjykata e Drejtësisë e BE-së janë kujdestarë të sundimit të ligjit, demokracisë dhe përparimit shoqëror," shtoi ajo.

Madrid – Stuhia Herminio solli reshje të mëdha dhe borë në Spanjë, si dhe erë të fuqishme, ndërsa në stuhinë janë lënduar tre persona, përderisa 13.000 persona mbetën pa rrymë në provincën Galicia, informuan sot mediat spanjolle.  Moti i ligë solli edhe valë të mëdha të cilat arrijnë lartësi deri 12 metra, transmeton Kadena Ser.  Për shkak të stuhisë Herminio deri më tani janë regjistruar më shumë se 1.400 incidente.

Kajro - Egjipti dërgoi autokolonën më të madhe deri më tani të ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, kumtoi Shëbrimi shtetor informativ. Gjithsej 305 kamionë të ngarkuar me gjashtë mijë ton ndihma dhe njëmbëdhjetë autoambulanca u nisën nga Kajro drejt enklavës së bllokuar palestineze. Ndihma përbëhet nga ilaçe, materiale dhe pajisje mjekësore, sasi të mëdha të ushqimeve të konservuara, qumësht, lëngje, ujë, veshje, batanije, tenda, qilima, qumësht formulë për foshnja, pelena, mjete dezinfektuese dhe të tjera.

Bejrut - Ministria e Shëndetësisë e Libanit njoftoi se sot armata izraelite ka vrarë një person, ndërsa ka lënduar shtatë në pjesën jugore të vendit.  Në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë bëhet e ditur se në mesin e të lënduarve është edhe një fëmijë.  Sulmi ka ndodhur një ditë pasi vazhdoi armëpushimi ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut.  Ushtarët izraelitë dje hapën zjarr ndaj banorëve në jug të Libanit, të cilët bënë përpjekje që të ktheheshin në fshatrat e tyre, me çka janë vrarë 22 njerëz, ndërsa 124 janë lënduar.

Bejrut– Pjesëtarë të armatës libaneze sot janë shpërndarë edhe në disa fshatra në jug të Libanit, pasi armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut ka vazhduar deri më 18 shkurt. Forcat libaneze pjesërisht u kthyen në qytetet Mais al Xhabal dhe Hulu, të cilët gjenden përgjatë kufirit jugor me Izraelin fqinj.  Kolona të automobilave dhe njerëz me flamuj të Hezbollahut prisnin të hynin në fshatrat e tyre në jug të Libanit, të shoqëruar nga armata libaneze.  Sipas Zyrës së KB-së për koordinim të çështjeve humanitare (OCHA), dhjetëra mijëra banorë ishin kthyer në pjesën jugore dhe në zonat e tjera të Libanit pas armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut në nëntor. 

Gazë - Izraeli sot kumtoi se lista e grupit palestinez Hamas tregon se tetë nga 33 pengjet që duhej të liroheshin në fazën e parë të armëpushimit në Gazë janë të vdekur. Zëdhënësi i qeverisë Dejvid Mencer sot deklaroi se Hamasi ka informuar se 25 të tjerët ishin gjallë. Izraeli njoftoi mbrëmë se kishte marrë një listë nga Hamasi me informacione për gjendjen e pengjeve. Izraeli paralajmëroi më parë se raundi tjetër i lirimeve të pengjeve do të jetë të enjten, ndërsa më pas i radhës do të jetë të shtunën. Deri më tani, që nga hyrja në fuqi e armëpushimit të dielën, më 19 janar, ka pasur dy raunde të shkëmbimit të pengjeve për palestinezët e mbajtur në burgjet izraelite.

Milano - Mbrojtësi anglez Kajl Uoker do të ketë mundësi të debutojë për Milanin në derbin kundër Interit të dielën në kuadër të xhiros së 23-të nga Seria A. Futbollisti 34-vjeçar javën e kaluar iu bashkua Milanit si lojtar i huazuar nga Mançester Siti. Stërvitja e tij e parë dhe testet fizike shpejtë e kanë bindur trajnerin Serhio Konseisao dhe ekipin e tij se Uoker është i gatshëm menjëherë të inkuadrohet në ndeshjet për Milanin, shkruan gazeta italiane "Gazeta delo Sport".

 

QËNDRONI TË LIDHUR