
12:00 / 19 shkurt / 2025
Shkup - Drejtoria e policisë financiare deri tek Prokuroria Themelore Publike ka parashtruar tjetër kallëzim penal ndaj ish drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar. Ai dyshohet se ka lidhur marrëveshje për marrje me qira të objekteve për nevojat e shoqërisë aksionare, të cilat nuk ishin të përshtatshme dhe nuk i plotësonin kushtet e përcaktuara në thirrjen publike dhe çmimi i qirasë ishte dy herë më i lartë se çmimi real në treg.
Shkup - Gjykata Kushtetuese sot në seancë do të diskutojë për lëndën në të cilin kundërshtohet një dispozitë nga Rregullorja e Punës së Këshillit të Prokurorëve Publikë, e cila ka të bëjë me vlerësimin e stazhit të prokurorëve publikë gjatë periudhës së anëtarësimit të tyre në Këshillin e Prokurorëve Publikë. Në nismën, e cila është paraqitur nga prokurorja Lençe Ristoska, theksohet se mandati i anëtarëve të Këshillit të zgjedhur nga prokurorët publik hyn në në stazhin e vlerësuar pozitivisht të prokurorisë publike, përveç rasteve të parashikuara në nenin 35-a të Ligjit për Këshillin e prokurorëve publikë.
Shkup – Oda Ekonomike e Tregtarëve me shumicë dhe pakicë kryesisht me produkte ushqimore dhe joushqimore, pije dhe duhan sot përmes një kumtese shpreh shqetësim serioz për vendimet e djeshme të Qeverisë, të cilat ishin kumtuar nga zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski. Kërkojnë takim urgjent me kryeministrin Hristian Mickoski dhe me ministrin e Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi që t’i shqyrtojnë pasojat nga këto vendime dhe t’i marrin parasysh propozimet e argumentuara të kompanive nga veprimtaria tregtare.
Shkup – Më ftohtë sot në mëngjes është në Kodër të Diellit me -12 gradë, -9 është në Hanet e Mavrovës, -8 në Krushevë, -6 në Berovë, -5 në Kriva Pallankë, -4 në Prilep, -3 në Shtip dhe Vinicë, -2 në Tetovë, Ohër dhe Manastir, -1 në Shkup, 0 në Veles, Kavadar, Strumicë, ndërsa mbi zero është vetëm në Demir Kapi me 1 dhe në Gjevgjeli 2 gradë, njoftoi DPHM. Shtresa e borës në Kodër të Diellit është 32 centimetra, ndërsa në Hanet e Mavrovës është shtatë centimetra.
Athinë – “Udhëtimi” i gazsjellësit të ri Greqi – Maqedonia e Veriut filloi, duke pasur parasysh atë se “Terna” i filloi motorët, duke i filluar punët preliminare për pjesën greke të projektit, shkruan portali energjetik grek “Energji mag” lidhur me ndërlidhësin për gaz natyror mes të dyja vendeve, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina. Kompania “Terna” para katër muajve ishte zgjedhur si kontraktuese e pjesës greke të ndërlidhësit, me çka e mori projektin e hollësishëm, furnizimin e materialeve dhe ndërtimin e gazsjellësit Nea Mesimvria – Evzoni/Gjevgjeli.
Gjenevë – Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe Bankës Botërore nevojiten më shumë se 50 miliardë dollarë për rindërtimin e Rripit të Gazës, enklavës së shkatërruar në luftën 15-muajshe ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Sipas vlerësimit të shpejtë të përkohshëm të dëmeve për rindërtim dhe rinovim të Rripit të Gazës nevojiten 53,2 miliardë dollarë në dhjetë vitet e ardhshme, përderisa në tre vitet e para do të duhet të sigurohen 20 miliardë dollarë.
Bruksel - Bashkimi Evropian sot u dakordua të vendos raund të ri të sanksioneve kundër Rusisë. Marrëveshja mes ambasadorëve qëllimisht është planifikuar të jetë në prag të trevjetorit të pushtimit. Kjo është pakoja e 16-të e kufizimeve nga shkurti i vitit 2022. Sanksionet e reja vendosin ndalesë të importeve të aluminiumit primar rus, ide për të cilën është diskutuar në të kaluarën, por nuk u miratua kurrë për shkak të përmbajtshmërinë nga disa shtete anëtare, të shqetësuara për ndikimin e tij ekonomik. Aluminiumi i papërpunuar rus përbën rreth gjashtë për qind të importeve të aluminiumit në BE.
Bruksel - Debatet mbarë Evropën për vendosjen e mundshme të forcave paqeruajtëse në Ukrainë paraqesin rrezik për të rënë në "kurthin rus", sepse diskutimet për një mision paqeruajtës janë të parakohshme në kushte kur "rusët nuk dëshirojnë paqe dhe nuk ka paqe", porositi pëfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kalas. "Nëse flasim për paqeruajtës, atëherë hyjmë në grackën ruse, sepse ata nuk duan paqe dhe nuk ka paqe. Nëse i lexoni komentet e rusëve, ata ishin mjaft të lumtur. Ata tashmë morën gjithçka. Së pari, duhet të bëjmë presion mbi (presidentin rus Vlladimir) Putin për të ecur drejt arritjes së paqes", deklaroi Kalas në intervistë për portalin "Euroaktiv" nga Brukseli, lidhur me debatet të cilat u intensifikuan në BE pas takimit të liderëve në Paris të hënën për dërgimin e paqeruajtësve evropianë në Ukrainë
Paris - Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio, porositi ministrat evropianë të Punëve të Jashtme se SHBA-ja dëshiron të arrijë marrëveshje të përhershme paqesore në Ukrainë, deklaroi sot ministri i Punëve të Jashtme të Francës, Zhan-Noel Baro. "Bisedova me kolegun tim amerikan dje. Ai më tha se qëllimi i tyre nuk është armëpushim i brishtë apo ndërprerje e përkohshme (e luftimeve), që do t'i mundësojë Rusisë të ripërtërisë forcat e saj, por paqe e qëndrueshme", deklaroi Baro për RTL.
Abu Dhabi - Sekretari shtetëror amerikan Marko Rubio sot është për vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), që është ndalesa e fundit e turneut të tij në Lindjen e Afërt, në kuadër të së cilit u mbajt edhe takimi i djeshëm ndërmjet delegacioneve amerikane dhe ruse në kryeqytetin saudit Riad. Rubio mbërriti në Abu Dabi mëngjesin e sotëm, ku do të pritet nga presidenti sheik Mohamed bin Zajed Al Nahjan dhe ministri i Punëve të Jashtme Sheik Abdullah bin Zajed Al Nahjan.
Londër - Forcat e sigurisë për garantimin e stabilitetit në Ukrainë, të udhëhequra nga Bashkimi Evropian, nuk duhet domosdoshmërisht të përfshijnë një numër të madh të ushtarëve të stacionuar në front dhe mund të jenë të pranishme në terren në përbërje prej dhjetëra mijëra ushtarë ose madje edhe më pak, theksuan burime britanike ushtarake të informuara mirë për Gardian. Sipas gazetës britanike, pakoja e sigurisë për të siguruar paqen në Ukrainë në masë të madhe do të mbështetet në kapacitetet e inteligjencës, vëzhgimit dhe zbulimit për të monitoruar çdo përpjekje të Rusisë për të shkelur vijën e kontrollit, nëse arrihet një marrëveshje armëpushimi ose një zgjidhje përfundimtare e paqes.
Kiev – I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Tramp për Ukrainën mbërriti sot në Kiev para takimit të planifikuar me përfaqësues zyrtarë dhe presidentin Volodomir Zelenski, njoftuan mediat ukrainase. Në xhirimin e publikuar nga mediat ukrainase shihet si Kit Kelog mbërrin në kryeqytetin ukrainas Kiev me tren dhe e pret ambasadorja amerikane në Ukrainë Brixhit Brink.
Kiev - Kit Kelog, i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Tramp për Ukrainën, arriti sot në Kiev si pjesë e përpjekjeve të Uashingtonit për t'i dhënë fund luftës ruse. Pas arritjes së tij, funksionari amerikan tha se misioni i tij ishte kryesisht për të "dëgjuar" shqetësimet e Ukrainës dhe t'i përcjellë në Shtëpinë e Bardhë. "E kuptojmë nevojën për garanci sigurie. E kuptojmë...rëndësinë e sovranitetit të këtij kombi. Pjesë e misionin tim është të ulem, të dëgjojë dhe të shoh se cilat janë shqetësimet e tuaja", tha Kelog.
Kiev - Sulmet ruse në qytetin jugor ukrainas, Odesa, gjatë natës lanë dhjetëra mijëra njerëz pa ngrohje dhe energji elektrike, deklaroi sot presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski. "Të paktën 160.000 banorë të Odesas janë tani pa ngrohje dhe rrymë. Trembëdhjetë shkolla, kopshte dhe disa spitale gjithashtu mbetën pa rrymë ose ngrohje", theksoi Zelenski.
Moskë - Në takimin e djeshëm mes delegacionit rus dhe amerikan në Riad, u bisedua edhe për mundësinë e bashkëpunimit në projekte energjetike në Arktik, deklaroi negociatori rus Kiril Dimitriev për portalin Politiko nga Brukseli. Drejtroi i Fondit rus shtetëror për investime deklaroi se të dy palët kanë diskutuar për "fusha specifike të bashkëpunimit”.
Moskë – Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov, i cili për momentin po mban fjalim në Dumën ruse, deklaroi se Rusia ka biseduar me sekretarin shtetëror amerikan Marko Rubio për “heqjen e kërcënimeve ndaj Rusisë” të cilat, sipas tij, dalin nga përpjekjet për përfshirjen e Ukrainës në NATO, informon Bi-Bi-Si. “Duhet t’i heqim të gjitha kërcënimet për Rusinë të cilat ishin krijuar me përpjekjet që të përfshihet Ukraina në NATO”, tha Lavrovi. Ai theksoi se “aksionet e regjimit të Kievit” duhet të “ndërpriten”. “Qëllimi i tyre është të shkatërrojnë gjithçka që ka lidhje me Rusinë”, shtoi ministri rus.
Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp në deklaratat e tij të fundit bëri komentet më armiqësore për Ukrainën deri më tani, duke i dhënë një goditje të re vendit dhe një nxitje të re Presidentit rus Vlladimir Putin, vlerëson Si-En-En-i. Pasi përjashtoi Presidentin ukrainas Vollodimir Zelenski nga bisedimet e para ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë për t'i dhënë fund luftës, të mbajtura në Riad të martën, Tramp fajësoi Ukrainën për fillimin e konfliktit që shkatërroi vendin e saj dhe vrau mijëra njerëz të saj, njoftoi televizioni amerikan.
Uashington - Çdo marrëveshje për Ukrainën që do të komprometonte sovranitetin dhe integritetin territorial të Kievit, do të inkurajonte forcat secesioniste dhe irredentiste në Ballkan, Bosnja e Hercegovinë dhe Kosova do të ndodhen nën rrezik, ndërsa Maqedonia e Veriut nuk do të jetë e gatshme të pranojë kërkesat bullgare pa garanci, deklaroi për MIA-n eksperti për Ballkanin, Daniel Server. Server, një ish-përfaqësues amerikan për Bosnje e Hercegovinë në rolin e tij si ndërmjetësues midis kroatëve dhe boshnjakëve për Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, deklaroi se pozicioni i rusëve në negociatat aktuale për Ukrainën "është i favorshëm dhe ata nuk do të përsërisin skenarin me dështimin e Minsk-2" në vitin 2015.
Madrid - Trajneri i Real Madridit, Karlo Ançeloti është tallur se ndjehet i lodhur nga ndeshjet kundër Mançester Sitit nën udhëheqjen e Pep Guardiolës. Ekipin spanjoll e pret ndeshja kthyese në plejofin e Ligës së Kampionëve me kampionin aktual anglez. "Shumë jam i lodhur nga ndeshjet kundër Guardiolës. Ende mendoj se ai është trajner fantastik dhe më vjen mirë që shihemi shpesh. Në të vërtetë, të dy e kemi të qartë se përballja nuk është mes nesh, por mes Mançester Sitit dhe Real Madridit", deklaroi Ançeloti për "Eurosport".