
15:00/20 shkurt/2025
Shkup – Zëvendëskryetari i parë i Qeverisë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti në pyetjen e gazetarëve pse lideri i BDI-së, Ali Ahmeti nuk është ftuar në Prokurori dhe në polici nëse është i sigurt se ai është në komunikim të përditshëm me ish zëvendëskryeministrin Artan Grubi i cili është në arrati, tha se adresa për atë pyetje janë dy institucione të përmendura. “Kjo nuk është puna ime, ajo është punë e Prokurorisë dhe e Policisë, por unë i njoh nga afër, shoh se si funksionojnë dhe shoh se ende janë nën ndikim të tij”, tha Mexhiti.
Shkup - Ndryshimet klimatike paraqesin një prej sfidave më të mëdha të kohës sonë. Në mënyrë që të përballemi me efikasitet me këto sfida, duhet të investojmë në kapitalin njerëzor - aftësinë tonë kolektive për t'u adaptuar, të krijojmë inovacione dhe të ndërtojmë shoqëri rezistente. Në atë drejtim, e finalizojmë propozimin e Ligjit për aksion klimatik, ku, krahas të tjerave, janë sendërtuar çështjet për arsimim për klimën dhe transferin e teknologjive, deklaroi sot zëvendëskryetari i parë i Qeverisë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti.
Shkup - Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti ka deklaruar se nuk po zhvillohen negociata për himnin dhe stemën, por edhe se nuk ka tabu tema dhe po diskutohet gjithçka që është në interes të qytetarëve dhe shtetit. "Fokusi ynë është te programi i qeverisë ku ka shtylla të konfirmuara, nuk ka negociata në lidhje me himnin, stemën, por nuk ka as tabu tema, domethënë po flasim. Ka marrëveshje politike për programin e Qeverisë, i cili ka shtylla të vendoura, siç janë zhvillimi ekonomik, standardi i jetesës, integrimi në BE, rivendosja e sundimit të ligjit, decentralizimi, këto janë fokusi ynë i përditshëm dhe ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj këtyre shtyllave. Për tjetër nuk ka negociata, nuk ka marrëveshje politike, por si Qeveri, gjithçka që është në interes të qytetarëve dhe shtetit, diskutojmë, debatojmë, pro dhe kundër, kjo është në nivel të bisedave, nuk ka tabu tema...Nuk dua të futem në diçka për të cilën nuk ka negociata, nuk ka marrëveshje politike. Nuk po fshehim asgjë", tha Mexhiti.
Shkup - Ne si aktorë jemi vend i vogël, por e kemi dënuar qartë agresionin rus dhe mbështesim gjithçka që shkon në favor të paqes dhe mbrojtjes së integritetit dhe kufijve të Ukrainës, tha zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, i pyetur për qëndrimin e shtetit në lidhje me negociatat për zgjidhje paqësore për agresionin në Ukrainë dhe nëse është dakord që BE-ja të jetë në tavolinë, pasi bisedimet paralajmërohen vetëm mes SHBA-së dhe Rusisë. Ai përsëriti të njëjtën përgjigje në lidhje me mendimin e disa analistëve se në rast të një ndryshimi të mundshëm të kufijve në Ukrainë, do të rritet irredentizmi në Ballkan.
Shkup – Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçovska papritur dhe paparalajmëruar erdhi në protestën të cilën e mbajtën kontabilistët profesional të cilëve siç thonë ata, u është marrë e drejta e punës. “Duhet të gjendet zgjidhje korrekte, shënoni me shkrim të gjitha vërejtjet dhe mi dërgoni mua”, i porositi ministrja kontabilistët. Ajo i ftoi të hyjnë edhe në arkivin e Ministrisë që t’i lënë të gjitha dokumentet.
Shkup - Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari sot deklaroi se nuk ka lëshim mjekësor për vdekjen e binjakëve në Spitalin e Prilepit në janar të këtij viti. "Nuk ka gabim profesional, po të kishte, menjëherë do të ishit njoftuar dhe do të ndërmerreshin hapa për masa disiplinore. Megjithatë edhe ISHSSH edhe komisioni profesional që ishte nga Ministria e Shëndetësisë, konstatuan se nuk ka lëshim mjekësor", tha Taravari pas vizitës në spitalin e Prilepit.
Shkup – Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari sot pas vizitës në spitalin në Prilep deklaroi se pritet leje nga Ministria e Financave për rregullimin e statusit të punëtorëve me kontrata në spitalet në shtet. “Do të rregullohet statusi i kontratave në nivel shtetëror. Bëhet fjalë për1.180 kontrata dhe pritet miratimi nga Ministria e Financave, shpresoj do të nënshkruhet sa më shpejtë që është e mundur, nga Ministria e Shëndetësisë tashmë është nënshkruar. Garantoj, jo vetëm që do t'u vazhdohet kontrata, por do të marrin edhe vendime. Ne këtë e paralajmëruam, ndërsa më 30 dhjetor e kaluam edhe në Qeveri, Shëndetësi dhe Financa. Por në sistematizimet e reja, për shkak të specializantëve privatë që janë 300 në gjysmën e parë të këtij viti dhe 300 të tjerë në gjysmën e dytë të 2025, na duhej një sistemim i ri dhe drejtorët tani do të shpallin konkurse, do të pranojnë punëtorët me kontratë, por jo domosdoshmërisht njëqind për qind të punëtorëve me kontratë. Unë kam informacione se disa nga ata punëtorë me kontratë nuk janë kompetentë dhe nuk punojnë si duhet. Kështu që drejtori ka të drejtë ekskluzive që pas konkursit të vendosë se çfarë do të shpallet”, tha Taravari.
Shkup - Shporta minimale sindikale për muajin shkurt është 63 773 denarë dhe është për 521 denarë më e lartë se sa në janar të këtij viti kur ishte 63 252 denarë. Me banesë me qira prej 60 metra katrorë, ndërkaq, është 79 148 denarë, kumtoi Lidhja e sindikatave të Maqedonisë (LSM). Sipas përllogaritjeve të LSM-së, nga shporta minimale sindikale një familje katëranëtarëshe për ushqim dhe pije duhet të ndajë 23 427 denarë apo 36,7 për qind, për veshmbathje 5.800 denarë apo 9,1 denarë, për taksën e banimit, ujë, energji elektrike dhe ngrohje 6.096 denarë apo 9,6 për qind. Për higjienë dhe mirëmbajtje të higjienës në shtëpi duhet të ndahen 2.195 denarë apo 3,4 për qind, prë shlndet 1.135 denarë apo 1,8 për qind, për transport 4.844 denarë apo 7,6 për qind.
Shkup - Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka publikuar konkurs publik për ndarjen e çmimeve vjetore. SHGM çdo vit ndan dy çmime për gazetarët, çmimi “Kërste Petkov Misirkov” për vepër jetësore dhe çmimi “Jashar Erebara” për gazetari hulumtuese. Përveç këtyre çmimeve, SHGM do të ndajë edhe një çmim për raportimin më të mirë gazetaresk mbi tema me rëndësi lokale dhe rajonale dhe një çmim për projektin më të mirë filmik me interes publik për vitin 2024. Nga SHGM njoftuan se për çmimin për vepër jetësore, kandidatët mund të aplikojnë vetë ose me propozim nga tre gazetarë. Përveç të dhënave personale të kandidatit dhe një biografi të shkurtër, në aplikim duhet të përfshihet edhe një arsyetim për arritjet e kandidatit, të cilat kanë lënë gjurmë të veçanta në gazetarinë e Maqedonisë së Veriut.
Shkup – Kompania ajrore hungareze me buxhet të ulët “Vizer” e heq linjën ajrore nga Shkupi deri në Budapest dhe nga 9 marsi i këtij viti më nuk do të fluturojë në këtë destinacion, ndërsa kohën e fundit nuk shet edhe bileta për këtë rutë. Nga “Vizer” për MIA-n e konfirmuan informacionin dhe deklaruan se në vazhdimësi i ndjekin performancat e rutave të tyre që të mundësojnë që destinacionet më të famshme të kenë çmime më të ulëta të mundshme. “Siç është praktikë e zakonshme, ‘Vizer’ optimizon rrjetin e saj bazuar në rezultatet e këtyre kontrolleve. Me një përkushtim të fortë për ruajtjen e kapaciteteve në Maqedoninë e Veriut dhe Evropën Qendrore Lindore, ‘Vizer’vazhdon të përmirësojë shërbimet e saj dhe të eksplorojë mundësi të reja rritjeje në rajon. Të gjithë udhëtarët e prekur janë njoftuar për ndryshimet dhe janë ofruar opsione alternative të udhëtimit, si dhe opsione për rikthim të plotë në formën e pagesës origjinale ose kredisë për vizë”, theksuan nga kompania për MIA-n.
Shkup - Janë regjistruar 2.726 raste të reja të personave të sëmurë me grip, që është për 5,3 për qind më pak në krahasim me javën e kaluar. Numër më të madh të personave të sëmurë ka në Shkup, gjegjësisht 616 persona. Drejtorsha e Institutit të Shëndetit Publik, Marija Andonova sot në një deklaratë për media rekomandoi që qytetarët të evitojnë tubime, t'i ajrosin hapësirat dhe t'i përcjellin rekomandimet tjera. Ajo theksoi se këtë javë nuk është regjistruar asnjë rast me vdekje.
Shkup - Kopshti zoologjik në Shkup demanton se kanë ngordhur mbi 40 kafshë. Siç informuan sot nga atje kanë 646 kafshë nga 91 lloje, për të cilat kujdesen kujdestarët e kopshtit të cilët profesionalisht e bëjnë punën e vet. Shkresën drejt mediumeve, siç thonë nga Kopshti zoologjik Shkup, e dërgojnë me qëllim dhe shpresë se disa individë të caktuar do të ndalen me përhapjen e dezinformatave dhe të pavërtetave dhe me plasimin e informatave me qëllim që ta shqetësojnë opinionin.
Shkup - Nesër dhe të shtunën do të mbajë mot kryesisht me diell, në mëngjes do të jetë i ftohtë me temperatura shumë të ulëta, të cilat kudo do të jenë negative dhe dhe në disa vende do të ulen edhe nën -10 gradë. Siç paralajmërojnë nga DPHM-ja, nga e diela vijon periudhë me mot të ndryshueshëm, me mjegull dhe vranësira të ulëta nëpër lugina, ndërsa prej të hënës do të ketë kushte për reshje të dobëta lokale, kryesisht të shiut.
Berlin - Kancelari gjerman Olaf Sholci sot e potencoi rëndësinë e mbajtjes së perspektivës së hapur për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, ndërsa në të njëjtën kohë fuqimisht ka hedhur poshtë akuzat se vetë Ukraina është fajtore për pushtimin rus. "Ukraina nuk duhet të mbehet në vendimin e saj për të qenë një komb demokratik dhe i pavarur në rrugën e saj drejt Evropës", tha Sholci, duke hedhur poshtë akuzat e presidentit amerikan Donald Tramp kundër këtij vendi se ai është fajtor për pushtimin rus.
Bruksel – Presidenti ukrainas Volodomir Zelenski ishte zgjedhur ligjërisht në zgjedhje të drejta, të lira dhe demokratike. Ukraina është demokraci, ndërsa Rusia nën (presidentin rus Vladimir) Putin nuk është, deklaroi sot një zëdhënës i Komisionit Evropian, duke u përgjigjur në pyetje lidhur me deklaratat e presidentit amerikan Donald Tramp. “Nuk mund të supozoj prej ku presidenti amerikan merr informacione që të japë deklarata të tilla”, shtoi zëdhënësi. Ai theksoi se në kuadër të BE-së po mbahen takime në nivele të ndryshme lidhur me mundësitë për arritjen e paqes së drejtë dhe të përhershme në Ukrainë.
Pragë - Dy gra janë vrarë në një sulm me thikë në një shitore në qytetin çek Hradec Kralove, kumtuan autoritetet. Policia çeke kumtoi se mëngjesin e sotëm arrestoi një të ,dyshuar i cili goditi me thikë dy gra në një shitore në qytetin Hradec Kralove, i cili ndodhet rreth 100 kilometra në lindje të Pragës. Fillimisht u publikua se dy gratë u plagosën, prej të cilave njëra në gjendje të rëndë, por më pas u konfirmua se të dyja kishin vdekur. Për momentin identiteti i tyre ende nuk u zbulua.
Kiev - Presidenti i Ukrainës, Vollodimir Zelenski sot do të presë të dërguarin e posaçëm amerikan, Kit Kelog. Takimi do të vijojë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Tramp dje deklaroi se "rusët kanë marrë një territor të madh, prandaj i mbajnë letrat". Zelenski deklaroi se shpreson në punë konstruktive me Kelogun. "E ardhmja jonë nuk është me Putinin, por me paqen. Ndërsa zgjedhja e të gjithëve, madje edhe me të fuqishmive, është të jemi me Putinin ose të jemi me paqen", theksoi Zelenski para takimit me Kelogun.
Moskë - Plani britanik për rindërtimin e Ukrainës pas luftës tashmë ka hasur në pengesën e parë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov qartë porositi se çdo prani e NATO trupave në territorin e Ukrainës është absolutisht e papranueshme për Rusinë. "NATO në Ukrainë? Kjo thjeshtë nuk është obsion. Skenari i tillë do të kishte pasoja serioze ndaj sigurisë së Rusisë dhe është tërësisht i papranueshëm", tha Peskov.
Kajro - Kryeministri i Egjiptit, Mustafa Madbuli deklaroi se vendi disponon me ekspertizë dhe aftësi që për tre vjet ta rindërtojë Rripin e Gazës. Ai theksoi se Kajro po punon në një plan gjithëpërfshirës për të rindërtuar enklavën e shkatërruar në bashkëpunim me universitetet dhe kompanitë konsulente egjiptiane. "Nga pikëpamja teknike dhe inxhinierike, ne kemi kapacitetet e plota për ta kthyer Gazën në gjendje edhe më të mirë se ajo e mëparshme brenda tre viteve", theksoi Madbuli, duke shtuar se Egjipti po merr parasysh edhe vlerësimet e institucioneve ndërkombëtare, duke përfshirë dhe të Bankës Botërore.
Uashington - Majk Pens, nënkryetari i SHBA-së gjatë mandatit të parë të Donald Trampit reagoi në deklaratën se Ukraina e ka filluar luftën me Rusinë. Trampi dje, duke e komentuar pakënaqësinë e Ukrainës për shkak të negociatave mes SHBA-së dhe Rusisë, deklaroi se Ukraina e ka filluar konfliktin. "Sot dëgjova 'Oh, nuk jemi ftuar'. Tre vite ishit këtu, duhej ta përfundoni këtë...Asnjëherë nuk duhej as të filloni. Duhej të arrini marrëveshje", tha Tramp.