MIA Flesh
- - Disa nga marketet tashmë filluan ta zbatojnë në praktikë vendimin e Qeverisë për kufizim të bruto marzheve të fitimit dhe për ngrirje të çmimeve të disa produkteve, e cila dje doli edhe në Gazetë zyrtare, me çka u bë zyrtare dhe duhet të vlejë deri më 30 prill të këtij viti. Edhe pse në pajtim me vendimin, prej sot pritej të lirohen mbi 1.000 produkte ushqimore dhe joushqimore në praktikë në markete nuk shihet ndonjë ulje e konsiderueshme e çmimeve të produkteve. Marketet janë të obliguara në mënyrë adekuate t'i shënojnë produktet për të cilat janë ulur çmimet me "Më pak shpenzime, më shumë për ty" apo, ndërkaq, ato të cilat kanë çmime të ngrira me "Çmime të ngrira", por në disa markete nuk ka fare produkte të shënuara. Më të lira janë vetëm produktet të cilat janë në aksion dhe ato janë të ndryshme në secilin market.
- Post By Fitore Curri
- 11:45, 20 shkurt, 2025

12:00/ 20 shkurt/ 2025
Shkup - Disa nga marketet tashmë filluan ta zbatojnë në praktikë vendimin e Qeverisë për kufizim të bruto marzheve të fitimit dhe për ngrirje të çmimeve të disa produkteve, e cila dje doli edhe në Gazetë zyrtare, me çka u bë zyrtare dhe duhet të vlejë deri më 30 prill të këtij viti. Edhe pse në pajtim me vendimin, prej sot pritej të lirohen mbi 1.000 produkte ushqimore dhe joushqimore në praktikë në markete nuk shihet ndonjë ulje e konsiderueshme e çmimeve të produkteve. Marketet janë të obliguara në mënyrë adekuate t'i shënojnë produktet për të cilat janë ulur çmimet me "Më pak shpenzime, më shumë për ty" apo, ndërkaq, ato të cilat kanë çmime të ngrira me "Çmime të ngrira", por në disa markete nuk ka fare produkte të shënuara. Më të lira janë vetëm produktet të cilat janë në aksion dhe ato janë të ndryshme në secilin market.
Shkup - Në Kuvend sot mbledhje do të mbajnë katër komisione - Komisioni për mbrojtje dhe siguri, Komisioni për sistemin politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Komisioni ligjvënës-juridik dhe Komisioni për mbikëqyrjen e zbatimit të masave për monitorimin e komunikimeve. Anëtarët e Komisionit për mbrojtje dhe siguri do të debatojnë për Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për depozitim dhe mbrojtje nga lëngjet dhe gazrat djegëse dhe Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për mbrojtje ndërkombëtare dhe të përkohshme, të dyja në lexim të dytë. Para anëtarëve të Komisionit për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive është Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për dokumentet e udhëtimit të shtetasve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në lexim të dytë.
Shkup - Sot në mëngjes më së ftohti është në Berovë, -14 gradë, ndërsa më së shumti borë ka në Kodrën e Diellit, 32 centimetra. Deri në orën 08:30 janë matur edhe -13 gradë në Kodrën e Diellit dhe në Hanet e Mavrovës, -12 në Krushevë dhe Kriva Pallankë, -10 në Shkup-Petrovec, Pretor, Prilep, Shtip dhe Kumanovë, -9 në Veles, Shkup-Zajçev Rid, Tetovë dhe Demir Kapi, -8 në Sturmicë, Vinicë, Pretor dhe Kavadar, -6 në Ohër, si dhe -4 gradë në Gjevgjeli. Lartësia e shtresës së borës është 8 centimetra në Hanet e Mavrovës dhe një centimetër në Krushevë.
Herson– Gjashtë persona, në mesin e të cilëve edhe dy binjakë 14-vjeçar, janë lënduar në një sulm rus ndaj një ndërtese banimi në Herson, njoftoi shefi i administratës ushtarake rajonale, Oleksandar Prokudin. Sulmi ka shkaktuar shkatërrimin e 15 banesave, nga kati i parë deri në katin e dhjetë, ndërsa dritaret e 80 shtëpive janë thyer.
Kiev – Në një sulm me dronë mbi Odesë, në të cilin ishin goditur objekte për ushqim publik dhe depo, një burrë 55-vjeçar është plagosur dhe hospitalizuar me lëndime të mesme të rënda, njoftoi guvernatori i rajonit, Oleg Kiper. Sulmi ka shkaktuar zjarre dhe dëmtime të ndërtesës administrative dhe një autolarje. Si pasoja e sulmit, rreth 5.000 banorë të një prej rajoneve të qytetit mbetën pa energji elektrike. Të gjitha shërbimet kompetente punojnë në largimin e pasojave.
Bratisllavë - Tri partitë nga koalicioni qeverisës në Sllovaki mbrëmë kanë kumtuar se kanë rënë dakord për ndryshime në Qeveri, me qëllim të stabilizimit të saj dhe përforcimitn e fuqisë së partisë Smer-SD të kryeministrit Robert Fico. Dy partitë e vogla në koalicion do t'i lëshojnë partisë Smer-SD nga një ministri. Me shtimin e ministrive, përgjegjëse për investime, zhvillimin rajonal dhe informacionin, turizmin dhe sportin, partia e Ficos do të ketë kontrollin mbi nëntë ministri, ndërsa partnerët e koalicionit mbi gjashtë, gjegjësisht dy ministri. Smer-SD do ta përdorë këtë ndikim politik për të stabilizuar koalicionin qeverisës dhe për të rifituar shumicën e saj parlamentare, publikoi Fico në Fejsbuk.
Johanesburg - Ministrat e punëve të jashtme të grupit G20 sot u mblodhën në Johanesburg, ku do të mbajnë takim dyditor, lajmëroi DPA. Tema kryesore në agjendë janë konflikti në Lindjen e Afërt dhe lufta e Rusisë në Ukrainë. Megjithatë, vendet në zhvillim, si Republika Jugafrikane, Brazili dhe India janë të fokusuara në çështjet për ristrukturim të institucioneve globale, adaptim ndaj ndryshimeve klimatike dhe zhvillimit më të drejtë ekonomik. Rusia do të përfaqësohet nga ministri i Punëve të Jashtme, Sergej Llavrov, prëderisa nga Kina pritet prania e ministrit Vang Ji. Nga SHBA-ja do të marrë pjesë diplomati nga ambasada amerikane, sepse sekretari amerikan i Shtetit, Mark Rubio e anuloi vizitën për shkak të kontestit me Republikën Jugafrikane rreth ligjit për shpronësim të tokës.
Uashington - Pentagoni kumtoi se ka urdhëruar rishqyrtimin e shpenzimeve me qëllim që 50 miliardë dollarë të rikahëzohen drejt programeve të cilat janë "më të harmonizuara me prioritetet e presidentit amerikan, Donalld Tramp për mbrojtje nacionale". Revizioni mund të jetë përgatitje për sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pit Hegset t'i realizojë qëllimet në rajonin aziatiko-pacifik dhe të japë prioritet në sigurimin e kufirit të SHBA-së me Meksikën, së bashku me reforma të tjera.
Uashington – Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se Rusia ka “përparësi” në çfarëdo lloj bisedimesh paqësore për Ukrainën, sepse “ka pushtuar territor të madh”. Në intervistë për Bi-Bi-Si, Trampi tha se beson se Moska dëshiron fund të luftës, e cila filloi me pushtimin para gati tre vjetëve. “Mendoj se rusët duan fund të luftës, me të vërtetë. Ata kanë përparësi të caktuar, sepse pushtuan territor të madh. Te ata janë kartat”, tha Trampi në bisedën nga aeroplani presidencial ‘Er Fors Uan’, derisa kthehej në Uashington nga samiti investues në Floridë. Trampi e sulmoi presidentin ukrainas Volodomir Zelenski, duke e quajtur “diktator”, pasi Zelenski e akuzoi se “jeton në hapësirë të dezinformatave” të kontrolluara nga Moska.
Tel Aviv - Grupi militant palestinez Hamas sot i dorëzoi trupat e katër pengjeve izraelite në Kryqin e Kuq në Rripin e Gazës. Transmetimi i drejtpërdrejtë nga Kan Junis tregoi skenën me njerëz të tubuar të cilët duartrokisnin, derisa militantë të armatosur të maskuar vëzhgonin ceremoninë. Katër arkivole të zeza u shfaqën në podium, prapa të cilit ishte një poster i kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu i përshkruar si një vampir gjakatar mbi fotografitë e katër të vdekurve. "Krimineli i luftës Netanjahu dhe armata e tij i vranë me raketa nga aeroplanët luftarakë sionist", shkruhej krahas fotografive. Televizioni izraelit e quajti ngjarjen një "teatër terrori".
Uashington - Senatori amerikan Berni Sanders ka akuzuar presidentin Donald Tramp dhe aleatët e tij se janë në anën e presidentit rus Vlladimir Putin, duke paralajmëruar se një aleancë e tillë paraqet kërcënim për vlerat demokratike dhe aleancat ndërkombëtare. "Tramp dhe oligarkët e tij amerikanë tani janë hapur në anën e Putinit dhe oligarkëve të tij rusë. Kjo aleancë do të thotë braktisje të aleatëve tanë, të mbështesim autoritarizmin dhe të minojmë traditën tonë demokratike", ka shkruar Sanders në platformën Iks. Sanders akuzoi Trampin se "ka marrë anën e një prej diktatorëve më brutalë në botë, duke kërcënuar pavarësinë e Ukrainës dhe duke braktisur aleatët evropianë me dekada".
Pretoria - Babai i Ilon Mask, Eroll ishte mysafir në emisionin "Uajd auejk" (Wide Awake), vetëm dy ditë pasi influenserja Eshli Sent Kler kumtoi se miliarderit i ka lindur fëmija e 13-të. I ftuari foli për atësinë e djalit të tij dhe për tragjedinë e madhe familjare në vitin 2002, kur Ilonit i ka vdekur djali Nevad, kur ishte vetëm nëntë javë. "Ai nuk ishte një baba i mirë. Fëmija i parë kaloi shumë kohë me dado dhe vdiq nën kujdesin e tyre. Ilon do të më mbys për atë që flas, por ky është mendimi im. Kjo nuk është mirë. Ishin shumë të pasur... Shumë dado", tha Eroll. Ai pohon se fëmijët e tjerë të Maskut nga martesa e tij e parë me Xhastin Uilson: Grifin, Vivien, Kaj, Sakson dhe Demijan - secili kishte dadot e veta.