
09:00/19 shkurt/2025
Shkup - Për vizitë në Kuvend sot do të qëndrojë Asoacioni i atasheve të mbrojtjes së akredituar në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Siç informojnë nga pres-shërbimi parlamentar, Asociacioni do të realizojë takim me anëtarët e Komisionit parlamentar për Mbrojtje dhe Siguri. Në ngjarje fjalim do të mbajë Pavle Arsoski, kryetar i Komisionit për mbrojtje dhe siguri dhe doajen i Asociacionit të atasheve të mbrojtjes.
Shkup – Me rastin e pjesëmarrjes së ardhshme si mysafir të yllit botëror tenorit, Plasido Domingo në arenën “Boris Trajkovski”, sot, në mesditë, do të mbahet konferencë për media në hollin e Operës dhe Baletit Nacional. Në konferencën për mediat do të marrin pjesë ministri i Kulturës dhe Turizmit Zoran Lutkov, Oliver Arsovski, drejtor i Operës dhe Baletit Nacional dhe Kristian Stefanovski, përfaqësuesi nga “Produksioni Pragma”.
Shkup - Në Kuvend sot do të mbajë mbledhje Komisioni për çështje Ekonomike, Punës dhe Politikës së Energjisë. Anëtarët e Komisionit do të shqyrtojnë Propozimin e ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zonat zhvillimore teknologjike industriale, në lexim të dytë. Siç qëndron në sqarimin e publikuar në ueb-faqen e kuvendit, qëllimi kryesor i ligjit të propozuar është të mundësojë qasje më efektive dhe juridikisht të unifikuar për tërheqjen e investimeve të huaja në zonat zhvillimore teknologjike industriale, si dhe harmonizimin e rregulloreve në fushën e zonave me qëllim të arritjes së konsistencës në rendin juridik të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Shkup - Ministria e Vetëqeverisjes Lokale vazhdon me vizitat në terren në komunat "Ku zemra është shtëpi" me qëllim që përmes takimeve të drejtpërdrejta, shkëmbimit të përvojave, ideve dhe propozimeve, të identifikohen sfidat me të cilat ballafaqohen komunat dhe gjetjen e përbashkët të zgjidhjeve për tejkalimin e tyre në drejtim të përparimit më të madh.
Shkup - Marrëveshje për donacion të 305 aparateve për pastrimin e ajrit me vlerë një milion euro do të nënshkruhet sot në Sallën solemne në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut me kompaninë EKOTIP Maqedoni. Siç kumtuan nga pres shërbimi i Qeverisë, pas nënshkrimit të marrëveshjes, konferencë për shtyp në media qendrën e Qeverisë do të mbajë zëdhënësja Marija Miteva.
Shkup – Ambasadorja e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Anxhela Ageler sot në hapësirat e Kryqit të Kuq të Republikës së Maqedonisë së Veriut do të bëjë pranim dorëzim të automjetit operativ mobil. Siç bënë të ditur nga Kryqi i Kuq i RMV-së, përveç ambasadores Ageler dhe sekretarit të përgjithshëm të Kryqit të Kuq të RMV-së, Sait Saiti në ngjarje pritet të marrin pjesë edhe mysafirë të tjerë, të cilët do të kenë mundësi ta shënojnë rëndësinë e këtij donacioni dhe të marrin më shumë informacione për pajisjen e re dhe përdorimin e saj në misione humanitare.
Shkup - Fondacioni për Zhvillimin e Arsimit dhe Kulturës, Albiz sot do të ndajë 175 bursa për studentë dhe 15 çmime për studentë të diplomuar me mesatare mbi 9.0 për vitin akademik 2024/2025. Siç paralajmlruan nga Fondacioni, në ndarjen e bursave dhe çmimeve, fjalim rasti do të kenë Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i Maqeodnisë së Veriut dhe Mendi Qyra, kryetar i OEMPV-së, ndërsa mysafirë do të jenë rektorë universitetesh, kryetarë komunash si dhe përfaqësues nga sektori i biznesit.
Shkup - Moti sot në mëngjes do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe ftohtë, ndërsa gjatë ditës do të jetë me diell dhe me vranësira të ulëta deri mesatare. Do të fryjë erë mesatare deri e fortë veriore, në disa vende përgjatë Vardarit me shpejtësi mbi 60 km/h. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -8 deri 0, ndërsa maksimalja prej 0 deri 8 gradë.
Paris - Presidenti francez Emanuel Makron kumtoi se sot organizon edhe një tjetër takim me përfaqësues të "disa vendeve evropiane dhe joevropiane" për Ukrainën. Kjo vjen pas takimit të hënën, ku morën pjesë një numër i vogël i vendeve kyçe, si dhe liderët e Bashkimit Evropian (BE) dhe NATO-s. Sipas burimeve diplomatike franceze, mes pjesëmarrësve janë shefa të shteteve dhe qeverive nga Greqia, Finlanda, Rumania, Suedia, Belgjika, Republika Çeke, vendet baltike, Norvegjia dhe Kanadaja, ndërsa disa liderë do të bashkohen përmes video lidhjes, duke përfshirë dhe kryeministrin grek. Pritet që Makron të konsultohet me të gjithë liderët e BE-së deri në fund të javës.
Berlin - Ministrja gjermane e Punëve të Jashtme Analena Berbok deklaroi se debati për dërgimin eventual të forcave paqesore evropiane në Ukrainë është "tepër i hershëm". "Asnjë ushtar nuk do të dërgohet në këtë konflikt të ashpër", deklaroi Berbok për servisin publik gjerman ZDF, njofton agjencia DPA. Në vendet evropiane është hapur debati pas kumtesës së njëanshme të presidentit amerikan, Donald Tramp për negociata paqesore për luftën në Ukrainë.
Uashington - Presidenti amerikan, Donald Tramp javën e ardhshme do të presë kryeministrin britanik Kir Starmer në Shtëpinë e Bardhë, duke e bërë atë liderin e parë evropian që do të realizojë një vizitë zyrtare në Uashington gjatë mandatit të dytë të Trampit. Data e saktë ende nuk është bërë e ditur nga asnjëra palë. "Javën e ardhshme, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar do të jetë këtu në Shtëpinë e Bardhë”, deklaroi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karolina Levit, për "Foks njuz".
Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi mbrëmë se planifikon të vendosë dogana për automobila prej rreth 25 për qind dhe taksa të ngjashme për gjysmëpërçuesit dhe prodhimet farmaceutike, që është më e fundit në një sëri masash që mund të prishin tregtinë ndërkombëtare. Trampi të premten tha se nuk do të vendos dogana për automobila para 2 prillit, dita kur anëtarët e qeverisë së tij pritet t'ia paraqesin të dhënat dhe zgjidhjet për një sërë tarifash importuese për mallrat amerikane. Ai gjatë kohë paralajmëron për, siç e quan, trajtimin e padrejtë të automobilave amerikane në tregjet e huaja.
Uashington – Shtëpia e Bardhë njoftoi se miliarderi Ilon Mask nuk e udhëheq ekipin për efikasitet të qeverisë që bën shkurtime në agjencitë federale amerikane, por është këshilltar i lartë i presidentit amerikan Donald Tramp. Sqarimi i rolit të Maskut mund të tregohet si kyç në betejën juridike rreth qasjes së agjencisë deri në të dhënat qeveritare, sepse administrata e Trampit po bën përpjekje të pushojë nga puna mijëra të punësuar federalë.
Uashington – Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi mbrëmë se “sipas gjitha gjasave” do të takohet me presidentin rus Vladimir Putin para fundit të shkurtit. Këtë e deklaroi disa orë pas takimit rus-amerikan në Arabinë Saudite për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë. I pyetur nga një gazetar për mundësinë për takim me Putinin para fundit të muajit, Trampi pohoi me kokë dhe u përgjigj: “Ka gjasa” derisa largohej nga hapësira në rezidencën e tij Mar -a – Lago në Floridë, ku u mbajt konferencë për media.
Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp publikoi se ka urdhëruar Ministrinë e Drejtësisë t'i pushojë nga puna të gjithë prokurorët nga koha e Xho Bajdenit, duke theksuar se ky repart ka qenë "i politizuar si asnjëherë më parë". "Duhet menjëherë ta 'pastorjmë shtëpinë' dhe ta kthejmë besimin. Epoka e artë e Amerikës patjerët duhet të ketë sistem korrekt gjyqësor - KJO FILLON SOT", tha Tramp në publikimin në rrjetin social "Truth Social".
Uashington - Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se nuk do t'u kundërshtohet evropianëve nëse dëshirojnë të dërgojnë forca paqesore në Ukrainë për garanca sigurie në rast të marrëveshjes paqesore. "Të ketë ushtarë aty do të ishte mirë, nuk do të kundërshtoja, aspak nuk do të kundërshtoja", deklaroi Tramp në Mar-a-Lago në Palm Biç.