12:00/17 dhjetor/2024
Shkup - Presidentja Gordana Siljanovska Davkova zhvilloi takim me Piter Smolvud, anëtar i njohur i Partisë Konservatore britanike dhe me Ron Nering, drejtor i programeve ndërkombëtare në Institutin amerikan të lidershipit dhe ish kryetar i Partisë Republikane të Kalifornisë.
Shkup - Delegacioni i kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, nga 17-19 dhjetor 2024 do të realizojë vizitë pune në Paris. Vizita organizohet para së gjithash me qëllim të dinamizimit të bashkëpunimit bilateral në të gjitha nivelet, si dhe për vazhdimin e bashkëpunimit parlamentar aktual në fushën e çështjeve që kanë të bëjnë me procesin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe rolin e Kuvendit në atë proces.
Shkup - Gjyqtari i procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale Shkup, duke vepruar sipas propozimit të Prokurorisë Themelore Publike, caktoi masa kujdesi kundër katër personave të përfshirë në hetimin për "Lotarinë Shtetërore në RMV". Personat dyshohen për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar. Siç informojnë nga Gjykata Themelore Penale Shkup, atyre u janë konfiskuar dokumentet e udhëtimit dhe janë urdhëruar që të paraqiten rregullisht te personi zyrtar, ndërsa është dorëzuar edhe propozim për caktimin e masës së paraburgimit kundër dy personave.
Shkup - Në Filarmoninë e Maqedonisë në Shkup nën organizimin e Ministrisë së Mbrojtes dhe Shtatmadhorisë së Armatës sonte do të mbahet koncert para Vitit të Ri në orkestrën e Armatës me muzikantë nga orkestrat e Forcave të Armatosura të Francës, Hungarisë, Italisë dhe SHBA-së. Siç njoftojnë nga MM-ja, në koncert, i cili këtë vit realizohet me moton "Së bashku më të fortë në harmoninë e tingujve", do të interpretohet një repertor me këngë të ndryshme të autorëve me famë botërore: Zhorzh Bize, Johanes Brams, Xhorxh Gershvin dhe Xhoakino Rosini, si dhe disa këngë nga kompozitorë të njohur nga vendet e orkestrave.
Shkup - Në Universitetin e Tetovës është shpalosur mozaiku kushtuar figurës historike të themeluesit dhe Rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmani. Kjo vepër, siç njofton UT-ja është përgatitur nga Fakulteti i Arteve i Universitetit të Tetovës dhe është shpalosur në kuadër të aktiviteteve të shënimit të 30-vjetorit të Universitetit të Tetovës. Drejtuesit e UT-së vlerësuan se kjo vepër artistike e përjetëson kontributin e Rektorit të parë të Universitetit, për arsimin e lartë në gjuhën shqipe dhe mbetet orientim për të tashmen dhe të ardhmen e studentëve dhe të inteligjencës së vendit tonë e më gjerë.
Shkup - Grupacioni 4iG, përmes filialit të tij ONE Telekomunikacioni i Maqedonisë, zyrtarisht ka deponuar letër për qëllime në Agjencinë për Komunikime Elektronike (AKE), ku e shprehu interesimin e tij për ofrimin e radio frekuencave në dispozicion si pjesë e planit për të hyrë në tregun e telekomunikacionit si operator i ri në Maqedoninë e Veriut. Ky hap, thonë nga grupacioni, përfaqëson një moment historik të rëndësishëm në planet e 4iG për të kontribuar në modernizimin e infrastrukturës së telekomunikacionit në vend dhe për të sjellë konkurrencë në rritje në sektor. Në muajt e ardhshëm, kompania do të bashkëpunojë me AKE-n për disponueshmërinë e frekuencave të radios, për të siguruar përputhjen me kuadrin rregullator dhe për të vazhduar me strategjinë afatgjatë të zhvillimit në rajon.
Shkup - Mëngjesi i sotëm më ftohtë është në Berovë, -6 gradë, ndërsa më shumë borë ka në Kodrën e Diellit, 40 centimetër. Siç njofton DPHM-ja, deri në orën 8:30 janë matur -4 gradë në Tetovë, -3 në Shkup-Petrovec dhe Manastir, -2 në Hanet e Mavrovës, Ohër, Prilep, Demir Kapi, Strumicë, Krushevë, Dibër dhe Veles, -1 në Kriva Pallankë, Pretor, Shtip, Kumanovë, Kavadar, 0 në Shkup-Zajçev Rid dhe Vinicë, 2 në Kodrën e Diellit, si dhe 6 gradë në Gjevgjeli.
Ankara - Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen sot në Ankara do të takohet me presidentin turk Rexhep Taip Erdogan, lajmëruan mediat turke. Situata në Siri pritet të jetë çështja kryesore për të cilën do të bisedojnë. Bisedat do të fokusohen në përpjekjet për ruajtjen e unitetit kombëtar të Sirisë dhe mbrojtjen e pakicave pas rënies së ish presidentit Bashar al Asad, shënoi Fon der Lajen në profilin e saj në rrjetin social X. Ajo, gjithashtu, planifikon të bisedojë me Erdoganin për dërgesën e ndihmës humanitare në Siri.
Kiev - Rusia humbi 765.110 ushtarë në Ukrainë nga fillimi i pushtimit të saj më 24 shkurt të vitit 2022, publikoi sot Shtatmadhoria e forcave të armatosura të Ukrainës. Ajo shifër përfshin 1.600 viktima që i pësuan forcat ruse ditën e kaluar. Sipas raportit, Rusia ka humbur edhe 9.567 tanke, 19.751 automjete të blinduara, 31.550 automjete dhe rezervuar për karburant, 21.159 sisteme artilerike, 1.256 sisteme raketore për lansim, 1.025 sisteme për mbrojtje kundërajrore, 369 aeroplanë, 329 aeroplanë dhe 20.406 dronë dhe një nëndetëse.
Pekin - Platforma kineze për shpërndarjen e videove të shkurtra "TikTok" ka bërë përpjekjen e fundit të parandalojë ndalesën eventuale në SHBA me ngritjen e padisë te Gjykata Supreme, transmetoi DPA. Platforma, në pronësi të BajtDens (ByteDance) me seli në Pekin, dje ngriti padi për ta kontestuar ligjin e SHBA-së me të cilin kërkohet ta ndryshojë pronësinë deri më 19 janar ose të bëhet e padisponueshme për shkarkim në SHBA. Arsyetimi pas ligjit, i cili hyri në fuqi në prill, përmend rrezikun që Kina mund të fitojë akses në të dhënat e SHBA-së përmes platformës dhe të ushtrojë ndikim politik në vend.
Uashington - SHBA-ja ka vendosur sanksione të reja kundër Koresë së Veriut dhe Rusisë, të drejtuara drejt aktiviteteve financiare të Phenianit dhe mbështetjes ushtarake që Koreja e Veriut i ofron Moskës. Masat e reja u kumtuan mbrëmë nga Ministria e Financave të SHBA-së. "Aktivitetet e vazhdueshme provokuese nga regjimi i Kim Xhong Un, duke përfshirë... testimin e fundit të raketës balistike ndërkontinentale dhe rritjen e mbështetjes ushtarake për Rusinë, e minojnë stabilitetin në rajon dhe mbështesin agresionin e vazhdueshëm të Putinit në Ukrainë", deklaroi Bredli T.
Xheda - Sulmuesi francez i Al Itihad, Karim Benzema mendon të tërhiqet nga futbolli. Sipas "Relevo", futbollisti 36-të vjeçar ende nuk ka marrë vendimin përfundimtar, por nuk e përjashton këtë opsion, sepse ka filluar të lodhet nga kushtet në të cilat mbahen stërvitjet e rregullta në Arabinë Saudite. Benzema dëshiron të jetojë në Madrid dhe të kthehet në Real si ambasador. Është vërejtur se sulmuesi ka marrëveshje me "Los Blankos" që ai ta marrë këtë pozitë në klubin e Madridit në fund të karrierës së tij.