
09:00/18 shkurt/2025
Shkup - Propozimet e tregtarëve sot duhet të shqyrtohen në mbledhje të Qeverisë, ndërsa siç është paralajmëruar, do të shqyrtohen edhe mundësi shtesë, pas çka Qeveria do të marrë qëndrim për atë se cilat ose çfarë masa do të ndërmerren për kufizimin e çmimeve të produkteve të caktuara. Në përputhje me marrëveshjen, deri te Ministria e Ekonomisë dhe Punës kanë mbërritur disa propozime nga ana e tregtarëve, disa prej të cilave kanë të bëjnë me kufizimin e marzhit, ndërsa të tjerat me uljen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë.
Shkup - Këshilli i prokurorëve publikë të Republikës së Maqedonisë së Veriut sot do ta mbajë seancën e 18-të. Në rend dite të seancës, janë miratimi i vendimit për zgjedhjen e prokurorit themelor publik në Prokurorinë Themelore Publike në Prilep dhe miratimi e vendimit për zgjedhjen e prokurorit themelor publik në Prokurorinë Themelore Publike në Gjevgjeli.
Shkup - Në Shkup sot do të shënohet jubileu - 80 vjet NP Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në shënimin e jubileut, siç është bërë e ditur, fjalim do të ketë edhe zëvendëskryetari i Qeverisë përgjegjës për Sistem Politik, Lupço Dimovski.
Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte dimërore, nëpër rrugë kryesisht të lagështa. Reshje të borës me intensitet të ulët në orët e para të mëngjesit janë shënuar në Stracin, Koçan dhe Demir Kapi, por për momentin nuk paraqesin pengesë për zhvillimin e komunikacionit. Ulje e dukshmërisë për shkak të paraqitjes së mjegullës deri në 100 metra ka në qafën malore Bukovë, informojnë nga LAMM. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë mjediseve urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut nuk ka vonesa të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.
Shkup - Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe me reshje të kohëpaskohshme të dobëta të borës. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, ndërsa në fund të ditës dhe gjatë natës do të fryjë erë e fuqishme nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të jetë në interval prej -5 deri në 1, ndërsa maksimalja do të arrijë prej -1 deri 7 gradë. Në Shkup moti do të jetë me vranësira të përkohshme kohë pas kohe me borë të dobët. Do të fryjë erë mesatare, ndërsa në fund të ditës dhe gjatë natës do të fryjë erë e fortë veriore. Temperatura minimale do të ulet deri në -1, ndërsa maksimalja do të arrijë deri 5 gradë.
Paris – Evropa është e gatshme të ndërmarrë nismë për sigurimin e garancive të sigurisë për Ukrainën, deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rute, pas takimit të djeshëm të jashtëzakonshëm për Ukrainën në Paris. “Evropa është e gatshme dhe ka vullnet të aktivizohet, të ndërmarrë nismë që t’i mundësojë garanci të sigurisë Ukrainës”, tha Rute, duke theksuar se ai është konkluzioni kyç nga takimi të cilin e organizoi presidenti francez Emanuel Makron.
Ankara - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski dhe zonja e parë Olena Zelenska mbrëmë kanë mbërritur për vizitë zyrtare në Turqi. "Vizitë zyrtare në Turqi së bashku me zonjën e parë. Takime me Presidentin Rexhep Tajip Erdogan dhe zonjën e parë Emine Erdogan. Ne vazhdojmë të gjitha përpjekjet për të shkëmbyer të burgosurit e luftës – njerëzit tanë duhet të kthehen në shtëpi”, publikoi Zelenski në rrjetet sociale.
Phenian - Ministria e Punëve të Jashtme e Koresë së Veriut kumtoi se Pheniani do t'i përforcojë forcat e veta bërthamore dhe kritikoi SHBA-në për përpjekjen për ta parandaluar atë, publikuan mediat shtetërore koreanoveriore. Ministria, duke iu përgjigjur deklaratës së paradokohshme të përbashkët të Koresë së Jugut, SHBA-së dhe Japonisë se qëllimi i tyre është denuklearizimi i plotë i Koresë së Veriut, theksoi se Pheniani "do t'i përmbahet vazhdimisht linjës së re të përforcimit të fuqisë bërthamore", njoftoi KCNA.
Boston - Pjesëmarrësit në demonstratat kundër presidentit amerikan Donald Tramp dhe politikave të tij, i rezistuan temperaturave të ftohta në mbarë SHBA-në në mitingjet e organizuara me rastin e festës së Ditës së Presidentëve. Organizatori "Lëvizja 50501", i quajti demonstratat "Pa mbretër në ditën e presidentëve", ndërsa ato u zhvilluan në mes një cikloni polar në të cilin dje e humbën jetën 10 persona, kurse tani po lëviz drejt perëndimit, duke sjellë temperatura që sipas meteorologëve janë "kërcënuese për jetën".
Ankara – Gjatë kohës së bisedimeve në Konferencën e Sigurisë në Munih, ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan i ka thënë përfaqësuesit të posaçëm amerikan për Rusinë dhe Ukrainën, Kit Kelog dhe sekretarit shtetëror Marko Rubio se Ankaraja është e gatshme të pranojë bisedime paqësore për Ukrainën. Siç transmeton gazeta Turkie, duke iu referuar burimeve, Fidan për dy muaj ka realizuar katër biseda telefonike me ministrin rus të Punëve të Jashtme, Sergej Lavrov.
Riad - Përfaqësues të lartë amerikanë dhe rusë, duke përfshirë edhe ministrat e Punëve të Jashtme të dy vendeve, sot do të bisedojnë për përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale dhe negociata për përfundimin e luftës në Ukrainë. Kjo do të jetë takimi më i rëndësishëm mes SHBA-së dhe Rusisë nga pushtimi i plotë i trupave ruse në Ukrainë para pothuaj tre viteve. Bisedat në Arabinë Saudite janë edhe një hap i rëndësishëm i administratës së Trampit për ndryshimin e politikës amerikane ndaj izolimit të Rusisë dhe kanë për qëllim ta hapin rrugën për takim mes presidentit amerikan Donald Tramp dhe presidentit rus Vlladimir Putin, njoftuan mediumet amerikane.
Toronto - Tetëmbëdhjetë persona janë dërguar në spitalet lokale pas aksidentit të aeroplanit në aeroportin e Torontos, deklaroi në brifing shefi i shërbimit të zjarrfikësve të aeroportit "Tod Aitken". "Pista ishte e thatë dhe nuk kishte erë të kundërt", tha ai, duke shtuar se Bordi i sigurisë së transportit është ende duke hetuar shkaqet e incidentit. Në aeroplan ishin 22 kanadezë, ndërsa pjesa tjetër ishin të huaj, deklaroi për gazetarët Deborah Flint, drejtoreshë ekzekutive e Drejtorisë së aeroporteve të qarkut Toronto. Sipas informacioneve të saj, të lënduarit janë transportuar me shpejtësi në spital dhe asnjëri prej tyre nuk është në gjendje kritike për jetën. Paraprakisht u raportua se tre persona janë të lënduar rëndë. Dy nga pistat e aeroportit mbeten të mbyllura dhe priten shtyrje në ditët në vijim.
Londër - Futbollisti i Napolit, Viktor Osimen mund ta vazhdojë karrierën në Premier ligë, njoftoi "Teamtalk". Interes serioz për nigerianin 26-vjeçar ka shfaqur Mançester Junajted. Megjithatë, ambicjet e Osimenit për të luajtur në Ligën e Kampionëve dhe paga e tij e lartë mund ta bëjnë të vështirë nënshkrimin e kontratës. Osimeni tani luan për Gallatasarajin si lojtar i huazuar.