• e premte, 22 nëntor 2024

Liderët e BE-së do të kërkojnë miratimin e kornizës për deportim më të shpejtë të emigrantëve të paligjshëm

Liderët e BE-së do të kërkojnë miratimin e kornizës për deportim më të shpejtë të emigrantëve të paligjshëm

Bruksel, 8 tetor 2024 (MIA) - Në Samitin e ardhshëm të BE-së, që do të mbahet më 17 dhe 18 tetor në Bruksel, disa nga liderët do të iniciojnë qasje të reja për luftimin e migrimit të paligjshëm në BE, që ndër të tjera do të përfshijnë, përshpejtimin e procedurës për deportimin e emigrantëve.

Sipas burimeve diplomatike, krerët e shteteve apo qeverive të anëtarëve të Unionit planifikojnë të ushtrojnë presion mbi Komisionin Evropian, në mënyrë që ai të përgatisë rekomandime të reja për deportimet.

"Këshilli Evropian bën thirrje për veprim vendimtar në të gjitha nivelet për të rritur dhe përshpejtuar deportimet nga Bashkimi Evropian. Ne i bëjmë thirrje Komisionit dhe Këshillit që urgjentisht të propozojnë një qasje të re të përbashkët ndaj deportimit, sipas një draft dokumenti të përgatitur për Samitin, pjesë të të cilit raportohen nga "Politiko".

Një nga kërkesat kryesore në propozim është "sqarimi i kornizës ligjore" në lidhje me deportimin e emigrantëve drejt vendeve jashtë BE-së.

Në vitin 2018, Komisioni Evropian propozoi legjislacionin për deportimin e emigrantëve, të quajtur Direktiva e Kthimit, por nuk arriti kurrë të miratohej në Parlamentin Evropian, për shkak të reagimeve të ashpra të disa eurodeputetëve dhe frikës se një propozim i tillë do të refuzohej.

Njoftimi për nisjen e një plani të ri deportimi vjen pasi dy vendet më të mëdha të BE-së, Gjermania dhe Franca, iu bashkuan vendeve të bllokut që prej disa kohësh kërkojnë një qasje më të rreptë ndaj migracionit në Evropë.

Ndryshimi i qëndrimit nga Berlini dhe Parisi, shihet si rezultat i mbështetjes në rritje për partitë nacionaliste dhe të së djathtës ekstreme në të gjithë Unionin, të cilat janë të njohura për retorikën e tyre kundër emigrantëve dhe premtimet për të ndaluar migrimin dhe dëbimin e emigrantëve.

Disa nga liderët besojnë se një propozim i ri për dëbimin e emigrantëve do të kishte një shans më të mirë për të kaluar në Parlamentin Evropian, duke pasur parasysh numrin e shtuar të eurodeputetëve nga e djathta. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR