• e shtunë, 23 nëntor 2024

Kovaçevski për MIA-n: Kemi plan të qartë për shtetin, i cili do të vazhdojë procesin e integrimit evropian

Kovaçevski për MIA-n: Kemi plan të qartë për shtetin, i cili do të vazhdojë procesin e integrimit evropian

Shkup, 18 prill 2024 (MIA) - Kryetari  i LSDM-së Dimitar Kovaçevski në intervistë për MIA-n njoftoi se kandidatët për deputetë të koalicionit "Për ardhmëri evropiane" në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare në të gjitha vendbanimet do ta prezantojnë programin dhe planin e tyre, siç shprehet, të qartë për shtetin, i cili do ta vazhdojë procesin e vet të integrimit evropian. Vlerëson se rrjedha aktuale e fushatës presidenciale deri para disa ditësh ishte demokratike dhe e qetë, por me afrimin e ditës së zgjedhjeve, po ashtu edhe retorika di të bëhet më e ashpër. 

"Por, megjithatë mendoj se me disa përjashtime, fushata presidenciale deri më tani është zhvilluar në ambient demokratik ku kandidati ynë presidencial Stevo Pendarovski prezanton programin e tij, vizionin e tij për një Maqedoni evropiane. E njëjta gjë vlen edhe për paraqitjet e mia në disa nga mitingjet e tij. Fillon fushata për zgjedhjet parlamentare, në të cilën kandidatët për deputetë nga lista e Koalicionit “Për të ardhmen evropiane” do të kalojnë të gjitha vendbanimet dhe ku do të arsyetojmë programin tonë, planin tonë të qartë për një shtet që do të jetë i begatë dhe do të vazhdojë procesin e integrimit evropian dhe një shtet që do të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian", shprehet kryetari i LSDM-së. 

Lidhur me pretendimet se ka pasur ndërhyrje ose përpjekje për të ndërhyrë nga jashtë në fushatën zgjedhore, Kovaçevski tha se sigurisht që ka pasur përpjekje dhe ndërhyrje nga palët e treta jo vetëm në zgjedhje, por edhe në jetën e përditshme politike në Maqedoni. Mbi të gjitha, siç tha, u referohet shteteve që nuk duan ta shohin Maqedoninë si pjesë të BE-së dhe që duan që ne të kemi çështje të hapura dhe konflikte të hapura jo vetëm në Maqedoni, por edhe në rajon. 

 

"Mirëpo, megjithatë konsideroj se ne si shtet kemi kapacitet, kemi gjithashtu njerëz dhe institucione që do t'u mundësojnë qytetarëve të japin votën e tyre në mënyrën më demokratike edhe në këto zgjedhje. Sigurisht, deklaratat e mia që kam bërë në të kaluarën, por edhe nga deklaratat e partnerëve tanë strategjikë të përfaqësuesve të lartë në Maqedoni ndihet ndikimi nga palët e treta, veçanërisht ato që lidhen me Rusinë ose disa prej satelitëve të tyre, përmes partive politike ose përmes organizatave të caktuara, duan të ndikojnë në imponimin e retorikës ndryshe nga ajo që duan dhe meritojnë qytetarët e Maqedonisë", bën të ditur Kovaçevski.

Një nga çështjet aktuale që është ngritur në publik këto ditë është njoftimi nga ministri teknik i Punëve të Jashtme Bujar Osmani për të rishikuar pjesëmarrjen e vendit tonë në nismën Ballkani i Hapur. Kovaçevski shprehet se Ballkani i Hapur është iniciativë origjinale me origjinë nga rajoni i formuar nga tri shtete – Maqedonia, Shqipëria dhe Serbia, e cila bazohet në katër liritë e Bashkimit Evropian.

"Ajo ka në thelbin e saj, në fundamentin e saj, postulatet e funksionimit të Bashkimit Evropian, që është lëvizja e lirë e njerëzve, lëvizja e lirë e kapitalit, e produkteve dhe lëvizja e lirë e shërbimeve. Dhe kur shikoni nismat që janë bërë brenda kornizës së Ballkanit të Hapur, ato janë pikërisht kjo. Në intervistë, Kovaçevski u referohet rezultateve të kësaj iniciative, duke theksuar se mbetet në qëndrimin se bashkëpunimi rajonal është jashtëzakonisht i rëndësishëm. 

 

 

"Nga ana tjetër, politikanët si në zgjedhje, bëjnë deklarata se çfarë duhet të bëjnë, çfarë nuk duhet të bëjnë. Unë mbetem në qëndrimin se bashkëpunimi rajonal është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Ka 72 iniciativa rajonale në Ballkanin Perëndimor, njëra prej tyre është Ballkani i Hapur. Ekziston edhe një iniciativë shumë më e rëndësishme, që është Procesi i Berlinit, në të cilin marrin pjesë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, por ekziston një problem që asnjë iniciativë nuk është jetësuar, duke marrë parasysh se gjithmonë ka problem në ndonjë shtet. Për shembull, në Bosnjë nuk mund të bien dakord midis tyre për të ratifikuar një marrëveshje, atëherë do të lindë një problem midis dy vendeve të tjera dhe procesi shkon shumë më ngadalë. Megjithatë, unë mendoj se edhe ky proces do të përshpejtohet, duke marrë parasysh se të gjitha shtetet kanë përcaktim shumë të qartë për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Negociatat tashmë i kanë filluar edhe Maqedonia, Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia. Tashmë kemi shtete anëtare të NATO-s, këto janë Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, të cilat janë vende anëtare të NATO-s. Unë besoj se dialogu midis Serbisë dhe Kosovës duhet të vazhdojë në mënyrë që ata të mund të normalizojnë marrëdhëniet e tyre në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe në përputhje me bisedimet që ata patën në Ohër, dhe mendoj se në këtë mënyrë ky rajon do të evropianizohet. Ne do të punojmë shumë më tepër së bashku, shumë më tepër në tema të përbashkëta që në fund të ditës do të rezultojnë në vendet që bëhen anëtare të Bashkimit Evropian", tha Kovaçevski

Lideri i LSDM-së foli edhe për programin e partisë për zgjedhjet parlamentare, i cili bazohet në shtatë shtylla, por edhe në bazë të cilave të dhëna dhe përllogaritje ata arritën shumën prej 1.100 euro pagë, 600 euro për pagën minimale...

"Programi i Lidhjes Socialdemokrate përfaqëson një vazhdimësi absolutisht logjike të asaj që kemi bërë në shtatë vitet e fundit. Ju e dini se për shtatë vjet ne kishim përgjegjësinë për të udhëhequr Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut së bashku me partnerët e koalicionit. Gjatë atyre shtatë viteve kuptohet që janë bërë gabime dhe nëse dikush në këtë studio mund të marrë përgjegjësi për ato gabime atëherë jam unë, sepse ai që punon mund të bëjë gabime, por ai që i pranon gabimet kjo do të thotë se nesër mund të përmirësohet. Para së gjithash, këtu po i referohem nevojës për të përmirësuar më tej standardin jetësor të qytetarëve, duke marrë parasysh çmimet e larta që kemi për shkak të luftës në Ukrainë, pastaj promovimin e sundimit të së drejtës dhe luftën më të mirë kundër korrupsionit, dhe këto janë tre gjërat që shqetësojnë më shumë qytetarët", tha Kovaçevski.

Nga ana tjetër, theksoi ai, kemi bërë një punë jashtëzakonisht të rëndësishme dhe e kemi bërë atë absolutisht të drejtë, që është të përcaktojmë vizion të qartë dhe një rrugë të qartë për Maqedoninë e Veriut në Bashkimin Evropian. 

"Ne morëm vendime të vështira si koalicion dhe si LSDM për hyrjen e shtetit në NATO. Tani shohim se çfarë do të thotë të jesh shtet anëtar i NATO-s në një kohë kur ka konflikte nga të gjitha palët si në Evropë ashtu edhe në Lindjen e Mesme dhe ne kemi filluar gjithashtu negociatat me Bashkimin Evropian me një gjuhë të mbrojtur maqedonase, një kulturë të mbrojtur maqedonase dhe një identitet të mbrojtur maqedonas që askush nuk e vë më në dyshim", tha Kovaçevski. 

 

Premtimi për pagë prej 1.100 euro, 600 euro pagë minimale, rritje të pensioneve, përfitime për të rinjtë dhe më shumë, tha Kovaçevski, janë vazhdimësi e politikave të mira ekonomike që qeveria e LSDM-së ka pasur në vitet e fundit.

"Për shkak të ambientit të qëndrueshëm si shtet anëtar i NATO-s, ju mund të shihni se investimet e huaja direkte janë dy herë më të mëdha se sa ishin në vitin 2016. Vitin e kaluar kemi pasur 700 milionë euro investime të huaja direkte krahasuar me 300 milionë euro në vitin 2016. Vendosëm mbështetje për kompanitë maqedonase për herë të parë dhe me 100 milionë euro siguruam një cikël ekonomik prej gjysmë miliardë eurosh në investime për kompanitë vendore që siguruan pesë mijë vende të reja pune domicile, vendore dhe sigurisht një sërë masash të tjera që ndikuan në rritjen e pagave. Gjëja e dytë është se paratë në buxhet janë me të vërtetë të dedikuara për qëllime produktive, respektivisht për të rritur investimet. Në dy vitet e fundit, ne kemi realizimin më të madh të investimeve kapitale që përsëri krijon vende pune në shtet dhe kjo është edhe rezultat i uljes së papunësisë prej 25 për qind siç ishte në vitin 2016, ne kemi 12 për qind papunësi sot dhe ne projektojmë 7 për qind papunësi në vitin 2028", shprehet Kovaçevski. 

Në një intervistë me MIA-n, kryetari i LSDM-së theksoi se ai dhe partia e tij kanë një qëndrim shumë të qartë për nevojën e miratimit të ndryshimeve kushtetuese sepse ato përfaqësojnë një nga detyrimet që Maqedonia e Veriut ka në fushën e Kornizës negociuese. I pyetur se kur mund të ndodhin ndryshime kushtetuese, duke marrë parasysh deklaratat nga blloku shqiptar se duhet të jetë para formimit të një qeverie ose deri në Vitin e Ri, por edhe nga deputeti gjerman që VMRO-DPMNE do të miratojë ndryshime kushtetuese deri në Vitin e Ri, Kovaçevski tha se “kur ata të mbledhin guximin në çdo moment mund t'i lajmërohen LSDM-së edhe atij dhe të votohen ndryshimet kushtetuese në Kuvend.

 

 

"Unë i kam firmosur dhe parashtruar ndryshimet kushtetuese në Kuvend. Pra, kur të vendosin, kur të mbledhin guximin, politikanët e tjerë në vend, të njëjtët që nuk mblodhën guximin për të mbështetur anëtarësimin në NATO dhe të njëjtët që nuk mblodhën guximin për të hyrë në sallë kur u votua marrëveshja FRONTEKS, ku për herë të parë kemi një gjuhë të pastër maqedonase së bashku me të gjitha gjuhët e tjera të Bashkimit Evropian të miratuar nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian, duke përfshirë Bullgarinë dhe Greqinë, e cila ishte e paimagjinueshme më parë, të njëjtët që nuk mbështetën hyrjen e Maqedonisë nën Kiro Gligorov në Kombet e Bashkuara, të njëjtët nuk kanë guximin as sot. Kur të mbledhin guximin në çdo moment, ata mund të thërrasin LSDM-në dhe ne mund të shkojmë në Kuvend dhe të votojmë ndryshimet kushtetuese që do të sjellin pjesë të popujve të tjerë në Kushtetutën tonë, sepse tashmë kemi një pjesë të popujve të tjerë në Kushtetutë, duke përfshirë popullin bullgar, ku për herë të parë do të bëhet një dallim i qartë në një dokument se ka një popull maqedonas dhe pjesë të popullit bullgar, gjë që hedh poshtë tezën e vjetër të VMRO-së se ky është një rajon në të cilin ka një popull në dy shtete. Tani për herë të parë do të kemi popullin maqedonas dhe pjesë të popullit bullgar. Kur të mbledhin guximin për ta bërë këtë, le të thërrasin, duan para zgjedhjeve, duan pas zgjedhjeve, duan në ditën e zgjedhjeve, duan në 12 të mesditës, duan në 12 të mesnatës, duan në 3 të pasdites, duan në 3 të mëngjesit, ne jemi të gatshëm të marrim vendimet e nevojshme për të ardhmen e vendit", shprehet Kovaçevski.

Kryetari i LSDM-së pret fitore në zgjedhjet e kandidatit të tyre presidencial Stevo Pendarovski dhe shumicës me të cilën ata do të formojnë qeveri proevropiane me të cilën, siç thotë ai, Maqedonia e Veriut do të përmbushë atë që presin qytetarët. Ai shprehet se çdo votë ka rëndësi për të, se ai e di se çfarë i shqetëson qytetarët dhe se nëse dikush duhet të marrë përgjegjësi për gabimet që janë bërë, atëherë ky është ai.

 

"Koalicioni "Për ardhmëri evropiane" dhe partnerët e koalicionit do të kenë mbi 61 dhe ne do të formojmë qeveri proevropiane me të cilën Maqedonia e Veriut do të ketë një drejtim shumë të qartë për sa i përket vendit ku do të lëvizë dhe si do të sigurojmë standard më të mirë evropian jetesor për qytetarët. Respektoj çdo votë qoftë anëtar, simpatizant, apo ju siç thoni ju e papërcaktuar në pjesën e zgjedhjeve. Çdo votë është e rëndësishme dhe çdo qytetar përfaqëson një votë në zgjedhje dhe qytetarëve u jepet e drejta sovrane për të vendosur atë ditë se si do të drejtohet shteti në të ardhmen. Unë tashmë ju thashë në fillim se e di se çfarë i shqetëson qytetarët, sepse nëse dikush e di se çfarë i shqetëson ata, atëherë jam unë dhe nëse dikush duhet të marrë përgjegjësi për gabimet që janë bërë, atëherë ai jam unë. Jam i gatshëm ta bëj këtë", thekson lideri i LSDM-së.

Kovaçevski thekson se ai e di se çfarë i shqetëson qytetarët dhe se këto janë çmimet e larta dhe kjo është arsyeja pse janë vendosur një sërë masash dhe se inflacioni tashmë është në nivelin 3-4 për qind. Ai thotë se kanë një plan shumë të qartë në fushën e sundimit të së drejtës me 41 masa.

"Ditën e parë që do të formojmë qeverinë, do të parashtroj ndryshimet kushtetuese në reformën e Këshillit Gjyqësor, në fushën e zgjedhjes, kohëzgjatjes së mandateve, çfarë është juristi i shquar, mënyra e sanksionimit, vlerësimit etj. të çdo anëtari të sistemit gjyqësor dhe sistemit të jurisprudencs dhe prokurorisë. E njëjta gjë vlen edhe për politikanët. E di që qytetarët janë të pakënaqur me mënyrën se si një pjesë e madhe e funksionarëve menaxhonin, pavarësisht nga partia politike me një numër të madh ndërmarrjesh shtetërore, institucionesh publike, etj. Këtu mund t'jua them se do të ketë një numër ndryshimesh në pjesën e atyre që udhëheqin. Do të ketë disiplinë shumë më të madhe në pjesën e funksionimit të atyre që kishin nderin të menaxhonin institucionet shtetërore, sepse duhet të them se në këto dy vitet e fundit nuk mund t'i përkushtohesha sjelljes personale të disa prej atyre që menaxhuan portofole të caktuara, duke marrë parasysh se kemi punuar në një krizë të madhe dhe duhej të punonim 24 orë që ekipet të ulnin çmimet dhe të siguronin energji elektrike, të subvenciononin energjinë elektrike", tha kryetari i LSDM-së. 

Në intervistë, Kovaçevski i përgjigjet një pyetjeje në lidhje me qëndrimin e BDI-së për zgjedhjen e presdientit në Parlament si kusht për formimin e Qeverisë. Ai thotë se shumë gjëra janë thënë gjatë fushatës, por se LSDM ka pasur një qëndrim shumë të qartë që nga viti 2019 për këtë çështje dhe se kjo nuk është një kërkesë e re. 

"Presidenti i shtetit duhet të zgjidhet në zgjedhje të drejtpërdrejta sepse presidenti i vendit duhet të jetë një figurë e pavarur e integritetit, e cila do të jetë korrigjuese për partitë politike që do të përfaqësojnë të gjithë qytetarët, jo partitë politike. Pikërisht i tillë është presidenti Stevo Pendarovski", potencon Kovaçevski. 

Konsideron se kjo mënyrë e zgjedhjes është zgjedhja më e mirë për presidentin dhe do të vazhdojë të jetë e tillë edhe në të ardhmen. 

"Ajo që BDI-ja konsideron se duhet të bëhet, ata mund ta thonë vetë në tubimet e tyre, por është e drejtë sovrane e institucioneve demokratike, dhe kjo i takon Kuvendit në këtë rast të vendosë se si do të funksionojë shteti. Ne kemi një sistem kushtetues në të cilin presidenti i shtetit zgjidhet nga qytetarët, "tha Kovaçevski. 

LSDM shprehet se nëse dueht të formojmë Qeveri, përveç partive në koalicionin e tyre, ata gjithashtu do të bënin koalicion shtesë me të gjitha ato parti që nuk janë pjesë e koalicionit të tyre parazgjedhor, të cilat ndajnë të njëjtat vlera për Maqedoninë Evropiane, për një standard më të mirë evropian të jetesës, për sundimin e ligjit, për zbatimin e vetingut në sistemin politik dhe gjyqësor dhe në sektorin e biznesit.   

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse zgjedhjet evropiane mund të ndikojnë në politikën e Bashkimit ndaj nesh, Kovaçevski thotë se ekziston vazhdimësi logjike e politikës së Bashkimit Evropian në fushën e zgjerimit. 

"Nëse shikoni orarin e forcave në zgjedhjet evropiane, atëherë përsëri mund të pritet që Partia e Konservatorëve Evropianë EPP të ketë fjalën kryesore, atëherë Partia e Socialistëve Evropianë ku LSDM është pjesë, nënkryetar i Partisë së Socialistëve Evropianë është ish-lryetarja jonë Shekerinska, anëtar i Kryesisë është sekretari ndërkombëtar i LSDM-së Bojan Mariçiq. Ata kanë një politikë shumë të qartë në lidhje me vendet që duan të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian, që është mbështetja dhe rritja e bashkëpunimit", tha Kovaçevski. 

 

Sipas tij, nuk është rastësi që para zgjedhjeve evropiane u miratua plani për rritje në Ballkanin Perëndimor, i cili shumë qartë stimulon të gjitha ato procese reformuese që duhet të bëhen në secilin vend, bashkëpunimin rajonal që duhet të përmirësohet dhe natyrisht duhet të mbështetet nga një paketë financiare nga Bashkimi Evropian me vlerë gjashtë miliardë euro, dy miliardë euro në grante dhe katër miliardë euro në kredi të favorshme që do të garantohen nga Bashkimi Evropian. Kjo, shton ai, do të thotë se ata do të kenë norma interesi shumë më të ulëta se ato që do të ishin nëse vetëm vendet do t'i merrnin ato individualisht nga institucionet financiare ndërkombëtare në tregun e lirë financiar.

Por, Kovaçevski shprehet se ai duhet të shprehë shqetësim për pikëpamjet e kundërshtarit të tyre politik, VMRO-DPMNE. 

"Dhe tani kur e shihni fushatën e tyre atje, absolutisht asgjë nuk qëndron në pjesën e integrimit me Bashkimin Evropian. Ata parashikojnë disa skenarë alternativë, ata parashikojnë përsëri disa rinegociata me fqinjët, me BE-në si një utopi, të cilat nuk kanë asnjë kontakt me realitetin dhe për këtë konfirmimi më i mirë erdhi nga Komisionerët Evropianë të cilët thanë se Korniza Evropiane e Negociatave është e harmonizuar me të 27 shtetet anëtare, siguron mbrojtjen e gjuhës, identitetit dhe kulturës maqedonase dhe siguron negociatat e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian sipas kritereve të Kopenhagës. Dhe tani kur i merrni deklaratat e VMRO-DPMNE-së dhe kandidatit të tyre, atëherë do të shihni se ata as në pikëpamjet e tyre nuk janë të harmonizuar. Kjo tregon një gjë, kryetar i tyre tregon diçka tjetër", thekson Kovaçevski.

 Intervista me Dimitar Kovaçevskin, kryetar i LSDM-së dhe bartës në Zonën e parë zgjedhore në zgjedhjet parlamentare është e para në një seri intervistash për zgjedhjet parlamentare të vitit 2024 të caktuar për 8 maj.

 Elizabeta Veljanoska Najdeska

Foto: MIA

Video dhe montazhi: Andrej Brankoviq dhe Vlladimir Rabasoviq

  

QËNDRONI TË LIDHUR