Zëvendëskryeministri Fetai realizoi takim pune me Daniel J. Louton nga Departamenti i Shtetit
- Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, zhvilloi një takim pune me Daniel Xh. Louton, zëvendës-ndihmës sekretar i Shtetit në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike (EUR) të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
- Post By Besnik Shuki
- 18:48, 5 dhjetor, 2025
Shkup, 5 dhjetor 2025 (MIA) - Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, zhvilloi një takim pune me Daniel Xh. Louton, zëvendës-ndihmës sekretar i Shtetit në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike (EUR) të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
Gjatë takimit, siç njoftuan nga Kabineti i zëvendëskryeministrit, u diskutua për partneritetin strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe për thellimin e bashkëpunimit në fushat e sundimit të ligjit, reformave institucionale, luftës kundër korrupsionit dhe forcimit të praktikave të qeverisjes së mirë.
Zëvendëskryeministri Fetai theksoi përkushtimin e Qeverisë për avancimin e standardeve demokratike, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, si dhe zbatimin e reformave që garantojnë funksionimin e drejtë dhe efikas të institucioneve publike.
Zëvendës-ndihmës sekretari Louton riafirmoi mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për proceset reformuese në vend, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të politikave të qëndrueshme që nxisin integrimin euroatlantik, stabilitetin institucional dhe zhvillimin demokratik.
Zëvendëskryeministri Fetai dhe zëvendës-ndihmës sekretari Louton u dakorduan të vazhdojnë komunikimin dhe koordinimin e rregullt për çështjet me interes të përbashkët, me fokus të veçantë në përforcimin e qeverisjes së mirë dhe integritetit institucional.
Në kuadër të vizitës, Fetai zhvilloi takim pune edhe me Mark Tervakoski, drejtori i Zyrës për Evropë dhe Azi pranë Byrosë për çështje ndërkombëtare të narkotikëve dhe zbatimit të ligjit. bsh/
Foto: Kabineti i zëvendëskryeministrit të obliguar për Qeverisje të Mirë