• e enjte, 04 korrik 2024

Konferencë "Ukraina- dy vjet heroizëm": Lufta nuk është vetëm kundër Kievit, por edhe kundër botës demokratike dhe NATO-s

Konferencë

Shkup, 26 shkurt 2024 (MIA) - Lufta nuk është vetëm kundër Kievit, por është edhe kundër botës demokratike dhe NATO-s, ndërsa mbështetja për shtetin ukrainas do të vazhdojë dhe do të bashkëpunohet në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, porositën pjesëmarrësit e konferencës "Ukraina - dy vjet heroizëm" e mbajtur sot në Shkup nën organizim të ambasadës së Ukrainës në bashkëpunim me CIVIL - Qendra për liri.

"Me hapjen e mundësive për integrimin e përshpejtuar të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me statusin e kandidatit dhe fillimin e negociatave me Ukrainën dhe Moldavinë, me hapjen e perspektivës evropiane për Gjeorgjinë, BE-ja tregon se nuk është thjesht një aleancë ekonomike apo një treg i përbashkët, por një aleancë e shteteve dhe kombeve që ndajnë të njëjtat vlera - vlerat e paqes, demokracisë, solidaritetit dhe respektit të ndërsjellë", theksoi zëvendëskryetari i parë i Qeverisë përgjegjës për Çështje evropiane, Bojan Mariçiq.

Maqedonia e Veriut, theksoi Mariçiq, është edhe një shembull tjetër i rëndësisë së të qenit në aleancë siç është NATO, por në të njëjtën kohë është shembull se nuk ka shtete të vogla dhe të mëdha, por se ka vende dhe popuj që e vlerësojnë solidaritetin dhe aleancën dhe e dëshmojnë këtë në vepër. Maqedonia e Veriut, që nga dita e parë u rreshtua së bashku me kombin ukrainas dhe të gjithë aleatët e tjerë në NATO dhe BE, në luftën kundër agresionit, krimeve të luftës dhe mospërfilljes së dinjitetit njerëzor dhe të drejtës ndërkombëtare", nënvizoi Mariçiq. 

Ai tha se ne kemi një histori të gjatë bashkëpunimi dhe miqësie me Ukrainën. Dy vendet, siç shtoi ai, kanë një histori të ngjashme dhe të tashme politike dhe të sigurisë. Viti i kaluar, kujtoi ai, Ukrainës i solli statusin e kandidatit për anëtarësim në BE, një akt që "ne e mirëpresim dhe besojmë se do të bashkëpunojmë mirë në rrugën evropiane të dy vendeve tona".

"Mbështetja për Ukrainën nuk është shpenzim, por investim në të ardhmen e një kombi të madh dhe të guximshëm, por edhe investim në sigurinë tonë, stabilitetin dhe paqen. Ukraina po lufton për lirinë dhe integritetin territorial të shtetit, por edhe lirinë dhe paqen në të gjithë botën", theksoi Mariçiq.

Zëvendëskryeministrja përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë Sllavica Gërkovska porositi se nuk duhet të harrojmë se lufta që Ukraina është e detyrueshme të udhëheqë për të ruajtur pavarësinë dhe integritetin e saj territorial është gjithashtu luftë e gjerë - luftë për parimet më të larta të njerëzimit, të humanizmit, ligjit dhe drejtësisë.

"E gjithë kjo që po ndodh në tokën ukrainase është përsëritje e një leksioni të vjetër që njerëzimi nuk mund ta mësojë kurrë. Regjim që vret të tjerët dhe të vetët për të mbijetuar, regjim që mbështetet në korrupsionin e thellë, regjim në të cilin sundojnë tekat në vend të kërcënimeve dhe në të cilin interesat e ngushta kanë përparësi mbi jetët e miliona njerëzve, regjim i tillë çon në mënyrë të pashmangshme në shkatërrim dhe vuajtje. E gjithë kjo na kujton se sa të rëndësishme janë përfitimet demokratike të qytetërimit", theksoi Gërkovska në fjalimin e saj në konferencë. 

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani tha se Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet për ta mbështetur Ukrainën deri sa të jetë e nevojshme. 

"Nëse Federata ruse fiton në Ukrainë, stacioni tjetër është thellë në Evropë. Ndërsa kush i pari, nëse jo rajonet më të cenueshme siç është Ballkani Perëndimor? Por edhe Maqedonia multietnike e Veriut. Prandaj ne duhet të jemi në mbështetje të Ukrainës", tha Osmani.

Më herët, presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski në fjalimin e tij në hapjen e konferencës, tha se lufta në Ukrainë është kërcënimi më i madh për paqen dhe sigurinë evropiane, rezultati i të cilit do të ndikojë në rendin, jo vetëm në kontinentin tonë, por edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare në vitet që vijnë.

"Lufta që do të tregojë nëse vitet e zhvillimit demokratik në Evropë, pas përfundimit të Luftës së ftohtë, janë harxhuar për realizimin e një ideje abstrakte apo megjithatë, demokracia është ende elastike dhe mjaft e fuqishme për të treguar rezistencë ndaj regjimeve retrograde dhe autoritare dhe sfidave që ato paraqesin", theksoi Pendarovski.

Ambasadorja ukrainase në vend, Larisa Dir tha se kjo luftë nuk është vetëm kundër Ukrainës, por edhe kundër botës demokratike dhe NATO-s.

Kryeministri Talat Xhaferi përmes video- fjalimit shprehu mbështetje për Ukrainën.

"Ne si Maqedoni e Veriut ose popujt që jetojnë këtu me shekuj, saktë e dimë çfarë do të thotë të luftosh për liri. Saktë e dimë çfarë do të thotë të jesh në anën e duhur të historisë. Prandaj i jemi bashkuar sanksioneve dhe politikës së sigurisë së jashtme të Bashkimit Evropian", tha ai.

Xhaferi theksoi se Ukraina në këtë qeveri ka miq dhe partnerë. 

Në konferencë fjalime kanë mbajtur edhe euroambasadori Dejvid Gir, ambasadorja amerikane Anxhela Prajs Ageler dhe përfaqësues të tjerë diplomatikë. qa/

Foto: MIA

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR