• e diel, 22 dhjetor 2024

Toshkovski: Më së shumti për dy muaj do të normalizohet procesi i nxjerrjes së dokumenteve të udhëtimit

Toshkovski: Më së shumti për dy muaj do të normalizohet procesi i nxjerrjes së dokumenteve të udhëtimit

Shkup, 3 korrik 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski deklaroi se mund të pritet që më së shumti për dy muaj të normalizohet procesi i dhënies së dokumenteve të udhëtimit gjegjësisht pritja e qytetarëve të vihet në kuadër të afatit ligjor prej 15 ditëve. 

Në intervistë për Top Tema në TV Telma, Toshkovski tha se më së shumti 80 ditë është pritur nga fotografimi deri në dhënien e dokumentit të udhëtimit, por tani afati është ulur dukshëm.

"Nga aspekti i pritjes, po, jemi ende në pritje, por përafërsisht për një muaj e gjysmë deri në dy, pritshmëritë tona janë që me prodhim të vazhdueshëm të numrave siç ishte për katër muajt e fundit, nga 80.000 në muaj, për shkak se numri i fotografimit është reduktuar gati në gjysmë në krahasim me atë që ishte më parë, ne do të kthehemi në normalitet për dy muaj. Nëse qytetari fotografohet, le të themi në datën një, për rreth pesëmbëdhjetë ditë, brenda afatit të lejuar ligjërisht, do të pajiset me dokument udhëtimi në procedurë të rregullt", tha ministri i Punëve të Brendshme.

Sipas tij, gjatë pesë muajve të kaluar janë dhënë rreth  400.000 dokumente udhëtimi, dhe këta janë numra, sipas fjalëve të tij, për të cilët më parë është punuar edhe nga dy vjet.

"Është fakt se atë që kemi punuar në këta katër muaj janë shifra për të cilat më parë është punuar për dy vjet e më shumë. Në katër muaj arritëm të fotografonim dhe lëshonim mbi 400.000 dokumente udhëtimi. Mendoj se është bërë ajo që mund të bëhet dhe qytetarët e kanë parë këtë, por është fakt se problemi ende ekziston, dhe është fakt se edhe shifrat janë në rënie", tha Toshkovski.

Theksoi edhe se dhënia e dokumenteve të udhëtimit me procedurë urgjente gjithashtu është kthyer në afatin normal prej 48 orëve. 

Ministri tha se në të ardhmen do të kërkohet zgjidhje softuerike e cila do t'i thjeshtësojë procedurat, dhe qytetarët do të munden me një fotografim dhe një aplikim të nxjerrin më shumë dokumente, në vend se siç është tani - fotografim i veçantë për çdo dokument personal, dokument udhëtimi ose patent shofer. fc/

Fotografia: Telma

QËNDRONI TË LIDHUR