KB: Shqipëria përballet me plakjen demografike
- Deri në vitin 2055, numri i foshnjeve në Shqipëri pritet të jetë gjithsej 4 herë më i vogël se numri aktual.
- Post By Fami Bajrami
- 12:26, 15 prill, 2025

Tiranë, 15 prill 2025 (MIA) - Deri në vitin 2055, numri i foshnjeve në Shqipëri pritet të jetë gjithsej 4 herë më i vogël se numri aktual.
Në raportin e fundit të KB-së për natalitetin, Shqipëria është renditur si një nga vendet me rënien më të madhe të lindjeve.
"Projeksionet e KB-së parashikojnë se lindjet do të ulen në 6.000 nga që janë aktualisht 23.000. Ulja pritet të jetë drastike në 10 vitet e para, gjegjësisht deri në vitin 2035, kur lindjet do të ulen në 15 mijë, duke arritur në 10 mijë në vit në vitin 2045", publikojnë mediat shqiptare.
Sipas KB-së, ekzistojnë dy faktorë kryesorë pas rënies së natalitetit: emigracioni dhe plakja e popullsisë.
"Migrimi ndërkombëtar ndikon indirekt në numrin e lindjeve në vendet e destinacionit dhe në vendet e origjinës. Në vende dhe zona si Shqipëria, Armenia, Gvadalupa apo Xhamajka, emigrimi i një numri të madh të grave në moshë riprodhuese redukton numrin e lindjeve që ndodhin në ato vende", thuhet në raport.
Shqipëria nuk është e vetmja e cila pritet të përballet me këtë fenomen, pasi projeksionet për uljen e natalitetit prekin të gjithë rajonin e Ballkanit. Ulje drastike parashikohen edhe në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Për shkak të numrit të madh të lindjeve në një vit, Serbia do të jetë vendi që do të ketë rënie më të vogël të natalitetit, ku momentalisht shënon 53 mijë lindje në vit. rq/
Foto: arkivi i MIA-s