• e premte, 22 nëntor 2024

Katar: Ende zgjasin negociatat indirekte mes Izraelit dhe Hamasit për armëpushim në Gaza

Katar: Ende zgjasin  negociatat indirekte mes Izraelit dhe Hamasit për armëpushim në Gaza

Doha, 26 mars 2024 (MIA) - Autoritetet e Katarit kanë njoftuar sot se negociatat indirekte ndërmjet lëvizjes ekstremiste palestineze Hamas dhe Izraelit janë ende duke vazhduar në nivel të ekipeve teknike.

"Ne vazhdojmë përpjekjet tona ndërmjetësuese me partnerët tanë", deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit, Majed Al-Ansari në një konferencë për shtyp në Doha.

Ai shtoi se ka vështirësi në terren lidhur me negociatat për armëpushim në Rripin e Gazës.

"Nuk ka kornizë të caktuar kohore për negociata indirekte", theksoi Al Ansari.

Qeveria izraelite më herët gjatë ditës së sotme tërhoqi ekipin e saj negociator nga bisedimet indirekte me Hamasin në Doha, duke akuzuar grupin palestinez se nuk ishte i interesuar për rifillimin e bisedimeve pasi dyshohet se refuzoi një kompromis të ndërmjetësuar nga SHBA, raporton Anadollu.

Hamasi tha dje se po i qëndronte ende propozimit fillestar të armëpushimit të paraqitur dy javë më parë. Grupi palestinez tha se përgjigja e Izraelit ndaj propozimit të armëpushimit nuk i plotësonte kërkesat palestineze.

Hamasi po kërkon fundin e ofensivës vdekjeprurëse të Izraelit në Rripin e Gazës dhe tërheqjen e forcave izraelite nga territori për çdo marrëveshje për shkëmbimin e pengjeve dhe të burgosurve. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR