• e hënë, 23 dhjetor 2024

Gjykata Kushtetuese mori vendim që qytetarët me aftësi të kufizuar mbi 65 vjeç të marrin kompensim konform Ligjit për mbështetje financiare të kategorive vulnerabël të qytetarëve

Gjykata Kushtetuese mori vendim që qytetarët me aftësi të kufizuar mbi 65 vjeç të marrin kompensim konform Ligjit për mbështetje financiare të kategorive vulnerabël të qytetarëve

Shkup, 29 mars 2024 (MIA) - Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar nenin 3 paragrafi 1 pika 2 në pjesën “më shumë deri në 65 vjeç” nga Ligji për përkrahje financiare të kategorive të rrezikuara sociale të qytetarëve, me të cilin qytetarët me aftësi të kufizuara mbi 65 vjeç, të cilët nuk kanë marrë kompensim, tani kanë mundësi të kërkojnë që t'u paguhet kompensimi në periudhën e kaluar, që kur Ligji ka hyrë në fuqi.

Sipas nenit 3 paragrafi 1 pika 2 e Ligjit “përfitues të së drejtës për kompensim për shkak të aftësisë së kufizuar” janë personat që kanë mbushur moshën 26 vjeç dhe maksimumi deri në 65 vjeç, me aftësi të kufizuar intelektuale të rëndë ose të thellë, me invaliditet të rëndë trupor, plotësisht të verbër dhe të shurdhër, konform me të dhënat nga evidenca e qendrave për punë sociale.

Nga përmbajtja e nenit të lartpërmendur të Ligjit, rezulton se në grupin e përfituesve të së drejtës së kompensimit për shkak të aftësisë së kufizuar nuk përfshihen personat mbi moshën 65 vjeçare dhe në këtë mënyrë këta persona përjashtohen nga mbështetja financiare në përputhje me Ligjin për mbështetjen financiare të kategorive të rrezikuara sociale të qytetarëve.

Gjykata vlerësoi se kjo dispozitë cenon vlerën themelore të shtetit të së drejtës nga neni 8 paragrafi 1 alinea 3 e Kushtetutës dhe parimin e sigurisë juridike të qytetarëve në ushtrimin e të drejtave të tyre në sferën sociale.

"Me përjashtim të këtyre personave nga e vetmja kategori e përfituesve të së drejtës së dëmshpërblimit për shkak të aftësisë së kufizuar, sipas Gjykatës, krijohet edhe trajtim i pabarabartë ndërmjet personave që ndodhen në të njëjtën pozitë juridike (të gjithë janë përfitues të kompensimit për shkak të aftësisë së kufizuar), por disa mund të përfitojnë të drejtën e mbështetjes financiare, ndërsa të tjerë nuk munden, vetëm për shkak të moshës", thuhet në kumtesën e Gjykatës Kushtetuese.

Në dhjetor të vitit 2022, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi paragrafin 2 të nenit 44 të Ligjit për mbrojtje sociale, i cili pamundëson që personat me aftësi të kufizuara mbi 65 vjeç të realizojnë të drejtën e kompensimit për shkak të invaliditetit.

MIA ka shkruar paraprakisht për Ligjin për mbrojtje sociale, konkretisht për qëndrimin kufizues të lartpërmendur për aksesin dhe ushtrimin e së drejtës për dëmshpërblim për shkak të aftësisë së kufizuar, që përmbante pabarazi, pra një dispozitë diskriminuese ndaj personave të tjerë që ushtronin këtë të drejtë. mb/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR