• e shtunë, 31 maj 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Mickoski në Qeveri do të dëgjojë propozimin e Filipçes për strategji afatgjatë të vendit

Mickoski në Qeveri do të dëgjojë propozimin e Filipçes për strategji afatgjatë të vendit

Shkup, 3 prill 2025 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski dhe lideri i LSDM-së opozitare Venko Filipçe sot do të takohen në Qeveri, por paraprakisht ata "do të përballen" edhe në sallën plenare në Kuvend ku kryeministri dhe ministrat do të përgjigjen në pyetjet e opozitës. Pritet që Filipçe në takimin në Qeveri t'ia shpjegojë kryeministrit dhe liderit të VMRO-DPMNE-së planin e tij për strategjinë afatgjatë të vendit e cila do të përgatitej me dialog politik. Ky është takimi i parë mes tyre masi Mickoski e mori postin e kryeministrit dhe Filipçe postin e kryetarit të LSDM-së.

Nga Qeveria dje pasdite kumtuan se, duke marrë parasysh gatishmërinë e ndërsjellë për takim, ai është caktuar për në orën 14:00.

“Në përputhje me komunikimin publik dhe iniciativat e dërguara dhe gatishmërinë e treguar nga të dyja palët, nesër në ora 14:00 është caktuar takimi i kryeministrit Hristijan Mickoski dhe kryetarit të LSDM-së, Venko Filipçe", theksuan nga Qeveria.

Lideri i partisë opozitare Filipçe dje në konferencë për shtyp berë thirrje për dialog politik dhe shoqëror. Pas tragjedisë në Koçan, tha ai, qytetarët reaguan me revoltë dhe mllef, sistemi nuk funksionon siç duhet, ndërsa për atë faj kanë, siç tha, kanë të gjitha partitë politike. LSDM, VMRO-DPMNE, BDI. Sferat ku duhet qasje sistematike, sipas Filipçes, janë  - arsimi, jurisprudenca, mjedisi jetësor, partizimi dhe politizimi. Ai beson se duhet të zhvillohet një strategji që të përfshijë të gjithë, në formën e dialogut politik, mbi bazën e të cilit shteti do të funksionojë në dekadat e ardhshme, shumë më tepër se një mandat për çdo qeveri dhe çdo parti apo koalicion për ta udhëhequr atë qeveri. Sa i përket gjyqësorit, theksoi Filipçe, është e domosdoshme që sa më shpejt të miratohet agjenda e reformave, ligjet reformuese në një sistem të caktuar në të cilin do të arrihet një konsensus i gjerë, jo vetëm politik, por edhe nga faktorë të tjerë të gjyqësorit për të cilët kjo është vërtet ekspertizë.

"Ajo që i acaron më shumë qytetarët është partishmëria dhe politizimi. Duhet t'i lirojmë institucionet nga kthetrat e politikës dhe partisë që të rinjtë të kenë një sistem meritash vërtet të mirë, konkurrues dhe në këtë mënyrë të punësohen dhe avancohen, sepse vetëm kështu mund ta ngremë ekspertizën në nivelin e duhur dhe të merituar, theksoi Filipçe, duke shtuar se është mirë që liderët e të gjitha partive të ulen për këto tema.

Lideri i LSDM-së theksoi se në takim do t'ia sqarojë kryeministrit Mickoski më hollësisht këtë plan, por sipas asaj që ai ka shpjeguar do t'i bashkohen edhe partitë tjera politike.

Në pyetjen e një gazetari nëse në takim do ta ngrinte temën për integrimet evropiane dhe ndryshimet kushtetuese, ai tha se me shumë mundësi do të diskutohet edhe për këtë temë.

Kryeministri Mickoski dje në deklaratë për media tha se tema është serioze dhe nëse ka plan siç paralajmëruan, jam i gatshëm ta pranoj në takim kryetarin e LSDM-së ta arsyetojë planin, ta dëgjojmë planin.

"Unë jam njeri serioz, gjëra serioze janë në pyetje dhe e pakta që duhet të bëhet është estradë në skenë publike. Nëse me të vërtetë ka plan dhe dëshirë të ndihmohet, qëndroj në dispozicion në çdo kohë do tarisistemoj orarin tim, në mesnatë në mesnatë, pas mesnate, kur të thotë atëherë do ta dëgjoj planin e tij dhe të shoh nëse në atë plan mund të zgjidhet diçka. Por, nëse plani përfshin qasje "Stabri", siç ishte në të kaluarën gjatë koronës atëherë plane të tilla nuk mund të pranoj", deklaroi Mickoski. ab/

Reagime partiake pas paralajmërimit për takim dhe planit të Filipçes

LSDM-ja dhe Venko Filipçe nuk kanë absolutisht asnjë kredibilitet politik, as legjitimitet për të ofruar ndonjë koncept për Maqedoninë në këtë moment, kanë reaguar nga partia ZNAM.

“Prandaj Venko Filipçe dhe LSDM nuk mund të jenë zgjidhje e problemeve, sepse kanë treguar se janë problem për çdo zgjidhje”, theksojnë nga ZNAM dhe pyetin nëse lideri i vetëshpallur i opozitës po kërkon kështu një mënyrë që të faktorizohet si faktor politik në opinion dhe të ulet në tryezën e bisedimeve, duke pasur parasysh gjendjen e dëshpëruar të partisë së tij.

Ministri i deridjeshëm në qeveritë e Zoran Zaevit, përgjegjës për gabimet e thella sistematike në shoqëri, drejtpërdrejtë përgjegjës për tragjedinë në Tetovë me spitalin modular ku jetën e humbën 14 persona, furnizimin kriminel të vaksinave në kohën e krizës me KOVID 19, rastin në klinikën për Onkologji ku në vend të kimiterapisë të sëmurëve u jepej tretje fiziologjike, pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në miratimin e ndryshimeve të Kodit penal, ku u amnistuan funksionarët nga regjimi i Gruevskit, por edhe funksionarë të lartë të LSDM-së në krye me mentorin e tij Zoran Zaev, sot propozon KONCEPT për dialog të RI shoqëror në Maqedoni".

"Opinioni në Maqedoni nuk është demente që të harrojë se drejtori i Fondacionit ZAEV në tetë vitet e kaluara e promovonte konceptin Një Shoqëri për të GJITHË, një për Vicen", ceket në reagimin e ZNAM. 

BDI, nga ana tjetër, në kumtesë për media shpreh, siç qëndron, "shqetësim të thellë për dominimin gjithnjë e më të theksuar mono-etnik që Qeveria ka demonstruar gjatë vitit të parë të qeverisjes së saj, ndërsa tani, tashmë në skenën publike, përfshin edhe opozitën etnike maqedonase në këtë prirje të saj".

Opinionit publik i shkakton neveri ky flirtim i hapur mes Mickoskit dhe Filipçes, për takime të mesnatës në një atmosferë politike intime, ku as më pak e as më shumë po planifikohet një marrëveshje e re shoqërore për rregullimin e rrjedhave të ardhshme politike. Edhe pse as deri tani nuk janë pyetur për asgjë, heshtja e neveritshme e partnerit shqiptar në Qeveri është dëshmi e nënshtrimit total", theksuan nga BDI-ja.

Ata besojnë se modeli themelor i karakterit multietnik të shtetit është i rrezikuar në mënyrë sistematike, ashtu siç është i rrezikuar edhe procesi integrues i vendit në Bashkimin Evropian, kurse këto janë dy shtylla strategjike që seriozisht kërcënojnë stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë të vendit, dhe pikërisht këto duhet të jenë prioritetet mbi të cilat duhet të zhvillohet një dialog i vërtetë politik.

Reagime për takimin Mickoski-Filipçe ka edhe nga Aleanca e Shqiptarëve të Zijadin Selës. Nga kjo parti theksojnë se "ky takim monoetnik është zbatim praktik i platformës Maqedonia sërish e jotja". ls/ 

Foto: Arkiv 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR