• e hënë, 01 korrik 2024

Edhe dy tentime të pasuksesshme të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit të ri, seanca vazhdon të hënën

Edhe dy tentime të pasuksesshme të Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit të ri, seanca vazhdon të hënën

Shkup, 31 maj 2024 (MIA) - Në Gjykatën Kushtetuese sot kanë dështuar edhe dy tentime për të vazhduar seanca ku duhej të zgjidhet kryetari i ri i Gjykatës.

Siç kumtojnë nga Gjykata, në dy raste është votuar për zgjedhje mes kandidatëve të njëjtë nga seanca e djeshme, gjyqtareve Tatjana Vasiq Bozaxhieva dhe Ana Pavlovska Daneva, por asnjëra nga kandidatët nuk ka marrë shumicën e nevojshme.

"Sot ka vazhduar procedura për zgjedhjen e kryetarit të ri të Gjykatës Kushtetuese. Në dy tentime gjyqtarët votuan për kandidatët e propozuar, por asnjëri nga kandidatët nuk mori shumicën e nevojshme. Me pëlqimin e të gjithë gjyqtarëve është rënë dakord që seanca për zgjedhjen të vazhdojë të hënën, më 3 qershor", thuhet në komunikatën e Gjykatës Kushtetuese. 

Dje kishte katër tentime të pasuksesshme për zgjedhjen e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese.

Kryetari i ri i Kushtetueses do ta zëvendësojë kryetaren e deritanishme Dobrilla Kacarska, mandati trevjeçar i së cilës përfundon më 2 qershor. 

Sipas Rregullores, Gjykata Kushtetuese në seancë zgjedh kryetarin e Gjykatës nga radhët e gjykatësve me shumicë prej dy të tretave të votave të numrit të përgjithshëm të gjykatësve, me votim të fshehtë.

Krahas Kacarskës, gjykatës aktual në Gjykatën Kushtetuese nga të cilët deri në fund të muajit njëri do ta marrë funksionin e kryetares janë Naser Ajdari, Osman Kadriu, Darko Kostadinovski, Fatmir Skender, Tatjana Vasiq Bozaxhieva, Elizabeta Dukovska, Jadranka Daboviq Anastasovska dhe Ana Pavlovska Daneva. 

Çdo gjykatës mund të propozojë kandidat për kryetar të Gjykatës Kushtetuese. 

Propozimin për kandidat për kryetar të Gjykatës Kushtetuese e cakton një komision prej tre gjykatësish të zgjedhur nga shumica e numrit të përgjithshëm të gjykatësve.

Nëse kandidati nuk e merr shumicën e nevojshme të votave, procedura për zgjedhjen e kryetarit përsëritet.

Mandati i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese është tre vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje. qa/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR