• e mërkurë, 03 korrik 2024

"Der Shpigel": Disa vende anëtare të NATO-s mund të dërgojnë ushtarë në Ukrainë

Berlin, 27 maj 2024 (MIA) - Vendet baltike mund të dërgojnë trupat e tyre në Ukrainë nëse situata në fushëbetejë përkeqësohet dukshëm, njoftoi gazeta gjermane "Der Shpigel" (Der Spiegel).

Sipas gazetës, kancelari gjerman Olaf Sholc dëshiron ta bindë publikun gjerman dhe evropian se nuk dëshiron përshkallëzim të mëtutjeshëm të konfliktit në Ukrainë, prandaj është shumë i kujdesshëm kur bëhet fjalë për dërgimin e armëve, veçanërisht për atë që ukrainasit mund ta përdorin për sulme në territorin rus.

Shollci gjithashtu e bllokon dërgimin e raketave kryqëzuese Taurus dhe refuzon mbrojtje të hapësirës ajrore ukrainase nga territori i NATO-s ose trajnim të ushtarëve ukrainas nga ana e Aleancës në Ukrainë.

Por, derisa Shollci paralajmëron për përshkallëzim të luftës dhe e lavdëron përmbajtjen gjermane dhe amerikane, vendet anëtare të evropës lindore në NATO frikësohen se pikërisht kjo politikë mund të shkaktojë përshkallëzim tjetër.

"Der Shpigel" përkujton se javën e kaluar, në margjinat e Konferencës për politikë të jashtme dhe siguri të Lenart Meri në Talin, përfaqësuesit e shteteve baltike i paralajmëruan përfaqësuesit qeveritarë nga Berlini për pasojat nga politika gjermane. Argumenti i tyre është: nëse rusët arrijnë depërtim strategjik në Ukrainën lindore sepse Perëndimi vetëm me gjysmë zemër i ndihmon Kievit, situata mund të përkeqësohet në mënyrë dramatike.

Gazeta gjermane bën të ditur se përfaqësuesit e vendeve baltike dhe të Polonisë nuk do të prisnin që ushtarët rusë të shpërndahen në kufirin e tyre, por do të dërgonin ushtarë në Ukrainë. Ndërsa me këtë NATO do të merte anë në luftë.

Gjermania është në vendin e dytë, pas SHBA-së për ndihmën e dërguar për Ukrainën. fc/

Fotografia: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR