Paketë e re investuese e BE-së për të mbështetur tetë projekte infrastrukturore dhe ekologjike në Ballkanin Perëndimor
- Me paketën e re të gjashtë investuese në kuadër të Planit Ekonomik dhe Investues të BE-së për Ballkanin Perëndimor, që pritet të arrijë në 1,2 miliardë euro, janë parashikuar investime në tetë projekte për furnizimin me ujë dhe kanalizime, trajtimin e ujërave të zeza, transportin hekurudhor, si dhe transformimin e gjelbër të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
- Post By Sara Ademi
- 10:20, 3 korrik, 2024
Bruksel, 3 korrik 2024 (MIA) - Me paketën e re të gjashtë investuese në kuadër të Planit Ekonomik dhe Investues të BE-së për Ballkanin Perëndimor, që pritet të arrijë në 1,2 miliardë euro, janë parashikuar investime në tetë projekte për furnizimin me ujë dhe kanalizime, trajtimin e ujërave të zeza, transportin hekurudhor, si dhe transformimin e gjelbër të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.
Nga tetë projektet e parashikuara, vetëm ai për Mekanizmin e inovacionit dhe transformimit të gjelbër për të mbështetur ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe investimet e tyre të gjelbra është në nivelin e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe do t'i kushtohet mbështetjes së produkteve dhe proceseve inovative dhe projekteve të gjelbra, si dhe zbutjes së ndikimit të ndryshimeve klimatike.
Nga projektet e tjera infrastrukturore, siç lajmëroi korrespondenti i MIA-s në Bruksel, pesë janë në Mal të Zi, e nga një në Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi.
Në Mal të Zi, do të mbështeten projektet për ndërtimin e sistemeve të grumbullimit të ujërave të zeza në Nikshiq dhe Plavë, ndërtimin e impiantit të trajtimit dhe zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve në Ulqin, sendërtimin e sistemit të ujit dhe kanalizimeve në Tivar, sendërtimin e rrjetit të ujësjellësit në Kotor dhe lidhjen e rrjeteve të kanalizimeve të katër vendbanimeve në këtë komunë me impiantin e trajtimit në Bokën e Kotorit, si dhe përmirësimi i sistemit të ujësjellësit në Cetinjë.
Në Bosnjë e Hercegovinë, do të bëhen investime në zbatimin e Programit të dytë të ujësjellësit dhe kanalizimeve në Republikën Sërpska, e në Serbi për rinovimin e aksit Beograd-Velika Plana në gjatësi prej 86 kilometra, me çka do të mundësohet lëvizjen e trenave në korridorin hekurudhor 10 deri në Nish me shpejtësi deri në 200 kilometra në orë.
Projekti investues që do të zbatohet në bashkëpunim midis BE-së, vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe institucioneve financiare ndërkombëtare përfshin 300 milionë euro grante nga Instrumenti i Ndihmës Paraaderuese (IPA III), kontribute shtesë dypalëshe nga vendet anëtare të BE-së dhe Norvegjia, kredi nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe mjete nga ekonomitë e Ballkanit Perëndimor.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Lajen theksoi se me paketën e re prej 1,2 miliardë eurosh nga Plani Investues të Ballkanit Perëndimor me vlerë 30 miliardë euro, BE dëshmon se jep rezultate.
"Forcimi i lidhjeve rajonale me infrastrukturën cilësore na afron, që është qëllimi ynë përfundimtar. Partnerët tanë të Ballkanit Perëndimor po ndërtojnë të ardhmen e tyre evropiane. Këto investime, së bashku me reformat e nevojshme dhe qasjen në tregun tonë të vetëm, do të përgatisin ekonomitë e partnerëve tanë për t 'iu bashkëngjitur Bashkimit tonë", theksoi Von der Lajen.
Sipas evrokomisionerit për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë Oliver Varheji, kjo paketë investuese është tregues se Plani ekonomik dhe investues i BE-së për Ballkanin Perëndimor po zbatohet shpejt, me ambicie të përbashkët për afrimin e rajonit pranë BE-së.
"Kuadri i investimeve për Ballkanin Perëndimor ka bërë një ndryshim të dukshëm në 15 vitet e fundit, duke përfshirë ndihmën e rajonit për të lidhur infrastrukturat e tij rrugore, hekurudhore, energjetike dhe digjitale dhe për të tejkaluar krizën energjetike dhe pandeminë Kovid-19", theksoi Varheji.
Ai gjithashtu shtoi edhe se BE pret të vazhdojë të punojë me shtetet e Ballkanit Perëndimor, pasi ka për qëllim të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike të rajonit si pjesë e Instrumentit të ri të reformave dhe rritjes prej gjashtë miliardë euro dhe të sigurojë përfitime edhe për qytetarët edhe për bizneset.
Paketa investiuese u miratua nga takimi i Këshillit operativ të Kornizës investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF) i mbajtur dy ditët paraprake.
Plani ekonomik dhe investues i BE-së për Ballkanin Perëndimor 2021-2027 synon të nxisë rimëkëmbjen afatgjate të rajonit, të përshpejtojë tranzicionin e gjelbër dhe digjital dhe të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe konvergjencën me BE-në.
Plani, i cili u miratua nga Komisioni Evropian në tetor të vitit 2020, parashikon 30 miliardë euro investime gjatë shtatë viteve, duke përfshirë nëntë miliardë euro në grante të BE-së përmes IPA III dhe pesë miliardë euro përmes Kornizës investuese për Ballkanin Perëndimor.
Deri më tani, në kuadër të Planit ekonomik dhe investues, BE-ja ka miratuar programe për zbatimin e projekteve investuese në vlerë deri në 17,5 miliardë euro, duke përfshirë 5,4 miliardë euro në grante.
Korniza investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), ndërkohë, është një platformë e përbashkët financiare e nisur 15 vjet më parë, përmes së cilës Komisioni Evropian, institucionet financiare, vendet anëtare të BE-së dhe Norvegjia forcojnë bashkëpunimin në investimet në sektorin publik dhe privat në rajon, në mënyrë që të mbështesin zhvillimin e tij socio-ekonomik dhe të kontribuojnë në integrimin e tij evropian.
Përveç të qenët instrumenti kryesor financiar për zbatimin e Planit ekonomik dhe investues të BE-së, Korniza investuese parashikohet të luajë rol të rëndësishëm në zbatimin e Instrumentit të ri të reformave dhe rritjes së Ballkanit Perëndimor, i vlefshëm 6 miliardë euro, që ka qëllim të dyfishtë - forcimin e konvergjencës sociale dhe ekonomike të vendeve të rajonit me BE-në dhe përshpejtimin e procesit të aderimit të tyre drejet bllokut.
Përmes WBIF-it parashikohet të drejtohen grante dhe hua në kuadër të Mekanizmit që synon të mbështesë investimet prioritare në transport, energji, sektorin digjital dhe kapitalin njerëzor.
(FOTO) KE/Arkivi i MIA-s