• e enjte, 04 korrik 2024

Habib: Libani nuk dëshiron luftë me Izraelin

Habib: Libani nuk dëshiron luftë me Izraelin

Bejrut, 3 korrik 2024 (MIA) - Shefi i diplomacisë libaneze, Abdullah Bu Habib, ka thënë se vendi i tij nuk dëshiron luftë me Izraelin dhe se është i interesuar për paqen, shkruan "Jerusalem Post".

Këtë mesazh Habib ia dërgoi homologut të tij izraelit, Izrael Kac, përmes ministrit të Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit Xhejhun Bajramov.

Kac, nga ana tjetër, i dërgoi një mesazh Habibit në të cilin i tregonte se Izraeli duhet të kthejë në shtëpitë e tyre banorët e tij në veri të vendit, të cilët u evakuuan për shkak të sulmeve të vazhdueshme të grupit militant libanez pro-iranian Hezbollah, dhe se nëse kjo nuk është e mundur në bazë të një zgjidhjeje diplomatike, do të arrihet me luftë.

Në bisedën me Bajramovin, Kac akuzoi Iranin, një vend në kufi me Azerbajxhanin, për nxitje të tensioneve në rajon.

Libani dhe Izraeli nuk kanë marrëdhënie diplomatike, ndaj komunikimi mes dy vendeve shpesh bëhet përmes një pale të tretë.

Habib nisi nismën e dialogut mes frikës në rritje për një luftë të re midis Libanit dhe Izraelit pas gati nëntë muajsh sulme ndërkufitare midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut.

Pas fillimit të luftës në Gaza tetorin e kaluar, Hezbollahu nisi sulmet në disa pjesë të Izraelit verior në solidaritet me Hamasin.

Hezbollahu ka njoftuar se nuk do të ndalojë sulmet në veri të Izraelit derisa të arrihet një armëpushim i përhershëm në Rripin e Gazës.

Rreth 60,000 izraelitë që u evakuuan nga shtëpitë e tyre në veri të vendit në tetor nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre. sa/

foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR