• e mërkurë, 20 nëntor 2024

Bisedë telefonike ndërmjet Trampit dhe Zelenskit

Bisedë telefonike ndërmjet Trampit dhe Zelenskit

Uashington, 20 korrik 2024 (MIA) - Ish presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, mbrëmë ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin ukrainas Volodimir Zelenski, kontakti i parë i tillë mes liderëve që nga biseda telefonike pesë vjet më parë që çoi në shkarkimin e Trampit.

Të dy ndanë detaje të thirrjes në rrjetet sociale. Mësohet se presidenti ukrainas ka uruar Trampin për kandidaturën e Partisë Republikane dhe ka dënuar tentativën për atentatin e tij.

Tramp, i cili këmbëngul se lufta midis Rusisë dhe Ukrainës "nuk do të kishte ndodhur kurrë" nëse ai do të kishte mbetur president, tha se thirrja ishte "shumë e mirë".

"E vlerësoj presidentin Zelenski që m'u drejtua, sepse si president i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të krijoj paqe në botë dhe do t'i jap fund luftës që ka marrë kaq shumë jetë dhe ka shkatërruar shumë familje të pafajshme. Të dyja palët do të jenë në gjendje të takohen dhe të negociojnë një marrëveshje që do t'i japë fund dhunës dhe do të hapë rrugën drejt prosperitetit", shkroi Tramp, por nuk sqaroi se si do të arrinte paqen.

Zelenski tha se Ukraina është mirënjohëse për ndihmën e SHBA-së dhe se të dy ranë dakord të "diskutojnë në një takim personal se çfarë hapash mund të ndërmarrin për një paqe të drejtë dhe të vërtetë".

Tramp ka kritikuar administratën e Bajdenit për dërgimin e miliarda dollarëve ndihmë në Ukrainë për të ndihmuar Kievin të mbrohet kundër një pushtimi të Rusisë që Moska filloi më shkurt të vitit 2022.

Nuk është e qartë nëse ai do të mbështesë vazhdimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën nëse fiton zgjedhjet. Zëvendësi i tij, senatori Xhej Di Vens nga Ohajo, ka kritikuar gjithashtu ndihmën për Ukrainën.

Në një telefonatë mes Trampit dhe Zelenskit më 25 korrik 2019, presidenti i atëhershëm i bëri presion homologut ukrainas që të hetonte rivalin e tij politik Xho Bajden dhe djalin e tij Hanter.

Dhoma e Përfaqësuesve, e kontrolluar në atë kohë nga demokratët, nisi një hetim për shkarkimin e Trampit dhe votoi për shkarkimin e tij në dhjetor të vitit 2019, por Senati i udhëhequr nga republikanët e liroi atë nga akuzat për shpërdorim detyre dhe pengim të Kongresit. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR