Zëdhënësi i VLEN-it, Sulejmani: Siç u dakorduam ashtu edhe vepruam si koalicion qeveritar në këto zgjedhje
- Siç u dakorduam ashtu edhe vepruam së bashku si koalicion qeveritar në këto zgjedhje, deklaroi zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për të komentuar kritikat e zëdhënësit të ZNAM, Nikolla Memov drejtuar VLEN-it, për mosmbështetjen e kandidatit të VMRO-DPMNE-së për kryetar të Qytetit të Shkupit, Orçe Gjeorgjievski.
Shkup, 4 nëntor 2025 (MIA) - Siç u dakorduam ashtu edhe vepruam së bashku si koalicion qeveritar në këto zgjedhje, deklaroi zëdhënësi i VLEN-it, Driton Sulejmani duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për të komentuar kritikat e zëdhënësit të ZNAM, Nikolla Memov drejtuar VLEN-it, për mosmbështetjen e kandidatit të VMRO-DPMNE-së për kryetar të Qytetit të Shkupit, Orçe Gjeorgjievski.
"VLEN është forca e dytë politike në vend dhe si e tillë ne besojmë se nuk ka nevojë ta ulim diskutimin në një nivel të tillë, kjo është një tjetër përpjekje e zëdhënësit të ZNAM për të tërhequr vëmendjen e medias dy ditë pas zgjedhjeve dhe nuk duhet të merret seriozisht. Nuk shoh asnjë vend për probleme në koalicion, ne vepruam siç u dakorduam dhe ashtu vepruam së bashku si koalicion qeveritar në këto zgjedhje", tha Sulejmani në konferencë për shtyp.
Më parë Memov në profilin e tij në Fejsbuk ka shkruar se VLEN e tradhëtoi VMRO-DPME-në dhe nuk votoi për Orçe Gjorgjievskin në Shkup, ndërsa më pas në një status të veçantë sqaroi se ky ishte qëndrimi i tij personal, jo partiak.
"Postimi i djeshëm në profilin tim në Fejsbuk lidhur me mbështetjen midis partnerëve në qeveri në zgjedhjet lokale është qëndrimi im personal dhe nuk shpreh qëndrimin e Lëvizjes ZNAM për Maqedoninë Tonë. Shoh se ky postim i imi personal ka tërhequr vëmendje, por edhe reagime negative. Fitorja në këto zgjedhje lokale e arritur nga VMRO - DPMNE, ZNAM dhe VLEN është rezultat i mbështetjes sonë të ndërsjellë në të gjitha komunat në Maqedoni, që është një konfirmim i zbatimit të politikave konsistente të qeverisë në periudhën e kaluar. Pas zgjedhjeve lokale, partnerët qeveritarë duhet të vazhdojnë në të njëjtin drejtim, sepse qëllimet politike të vendosura për këto zgjedhje janë arritur", shkroi Memov në Fejsbuk.
Pas fitores së Orce Gjorgjievskit si kryetar i Qytetit të Shkupit në raundin e dytë të zgjedhjeve, kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve gazetareske në një konferencë për shtyp, tha se dalja e ulët në Saraj dhe Çair nuk do të thotë se partneri i tyre i koalicionit VLEN po i bojkotonte ato dhe se me shumë gjasa ai ishte një vendim i votuesve.
"Nuk mendoj se partneri ynë i koalicionit po na bojkoton. Askush nuk i mban votat në xhep, as nuk mund t'i japë ato direkt nga xhepi i tij. Ajo që pamë midis dy raundeve nga partneri ynë i koalicionit në Shkup, nga udhëheqja e partnerit tonë të koalicionit, është një angazhim i sinqertë ndaj Orce Gjorgievskit si kandidat në atë kohë, dhe tani kryetar i Qytetit të Shkupit. Fakti është se votuesit që votuan për VLEN nuk dolën dhe nuk e mbështetën Orce Gjorgievskin. Supozoj se ky ishte një vendim i tillë i votuesve, dhe kështu është", tha Mickoski. Ai mohoi se kjo do të ndikojë në funksionimin e koalicionit. ls/
Foto: MIA