• петок, 21 февруари 2025

Zelenski: Ukraina pret unitet nga Perëndimi, ndërsa Trampi përhap dezinformata ruse

Zelenski: Ukraina pret unitet nga Perëndimi, ndërsa Trampi përhap dezinformata ruse

Kiev, 19 shkurt 2025 (MIA) - Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski në konferencën e sotme për shtyp deklaroi sot se vendi i tij shpreson për një "pozicion aleat në Evropë, BE dhe SHBA" në, siç e quajti "luftën e padrejtë" kundër Ukrainës, njoftoi Bi-Bi-Si. 

"Nuk është e lehtë, por Kievi po punon në të", deklaroi Zelenski duke shtuar se Ukraina po përpiqet të organizojë takime, pa zbuluar detaje rreth pjesëmarrësve. 

Zelenski, gjithashtu, theksoi se nuk do të lejojë askënd ta zëvendësojë si lider për momentin, pasi rejtingu i tij mbetet i lartë. Sipas anketës që iu referua, 59 për qind e ukrainasve kanë besim në të si president.

Lideri ukrainas paralajmëroi se vendi është ekspozuar ndaj "dezinformatave të mëdha" nga Rusia dhe e lidhi atë me deklaratat e presidentit amerikan Donald Tramp. “Me gjithë respektin për Presidentin Tramp... ai jeton në atë hapësirë ​​dezinformimi”, tha Zelenski.

Kjo deklaratë vjen pasi Trampi pretendonte se Zelenski ka rejting prej vetëm 4 për qind - pretendim të cilin presidenti ukrainas e hodhi poshtë si dezinformim rus. 

"Kemi prova se ky dezinformim përhapet nga Rusia dhe se këto shifra përmendet në bisedimet mes Amerikës dhe Rusisë", tha ai. 

Zelenski iu referua edhe propozimit të Trampit me të cilin SHBA-ja do të fitonte përqindje nga mineralet e rralla ukrainase, përfshirë litiumin dhe titanin. 

"E refuzova këtë sepse në draftin e parë u theksua se Ukraina duhet t'i japë SHBA-së 50 për qind të pronësisë ndaj këtyre burimeve, pa asnjë garanci sigurie", sqaroi Zelenski.

"Unë e mbroj Ukrainën, nuk mund ta shes. Nuk mund ta shes vendin tonë", shtoi ai.

Sipas tij, shpenzimet e ushtrisë deri më tani kanë arritur në 320 miliardë dollarë - prej të cilave 120 miliardë janë mbuluar nga qytetarët ukrainas përmes taksave, ndërsa 200 miliardë kanë ardhur nga SHBA-ja dhe BE-ja. Nga kjo ndihmë, SHBA-ja ka dërguar 67 miliardë dollare financim ushtarak dhe buxhetor. ls/

Foto: Arkiv 

 

Остани поврзан