Zelenski: Donbasi do të jetë në fokus të negociatave paqësore me Rusinë dhe SHBA-në në EBA
- Negociatat paqësore ndërmjet Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së në Emiratet e Bashkuara Arabe, sot dhe nesër, do të përqëndrohen kryesisht në çështjet territoriale, deklaroi presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, transmetoi DPA.
Kiev, 23 janar 2026 (MIA) - Negociatat paqësore ndërmjet Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së në Emiratet e Bashkuara Arabe, sot dhe nesër, do të përqëndrohen kryesisht në çështjet territoriale, deklaroi presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, transmetoi DPA.
"Çështja për Donbasin është çështje kyçe në bisedimet", deklaroi ai sot para gazetarëve.
Rajoni lindor ukrainas Donbas përfshin një pjesë të madhe të provincave ukrainase Doneck dhe Lugansk.
Sipas këshilltarit të Zelenskit, Dmitro Litvin, bisedimet në Abu Dabi do të fillojnë sot. Tashmë disa muaj nuk ka pasur takime zyrtare të drejtpërdrejta midis dy palëve ndërluftuese. I fundit ishte në Stamboll, ndërsa përfaqësuesit rusë dhe ukrainas deri më tani e kanë përdorur Abu Dabin për takime joformale për të shkëmbyer robër lufte, transmeton agjencia gjermane.
Uashingtoni me muaj udhëheq përpjekjet që Rusia dhe Ukraina të arrijnë një zgjidhje paqësore, por të dyja palët ende kanë qëndrime të kundërta.
Moska po kërkon të gjithë krahinën lindore ukrainase Doneck, në të cilën kontrollon pak më pak se 80 për qind të territorit të saj. Kievi deri më tani ka refuzuar të tërhiqet vullnetarisht. Ndërkaq, krahina fqinje Lugansk është pothuajse tërësisht nën kontrollin e trupave ruse.
Jurij Ushakov, këshilltar për politikë të jashtme i presidentit rus Vladimir Putin, deklaroi mbrëmë se pa një zgjidhje të çështjes territoriale, nuk do të ketë paqe të qëndrueshme.
Ai shtoi se, derisa të mos ketë një zgjidhje të qëndrueshme për konfliktin, Rusia do të vazhdojë me luftimet.
Ukraina po mbrohet nga pushtimi rus për gati katër vjet, por në muajt e fundit ka pësuar goditje të mëdha ndaj kapaciteteve të prodhimit të energjisë elektrike, ndërsa forcat ruse në front kanë avancuar ngadalë, kujtoi DPA. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s