• петок, 05 декември 2025

VLEN: Dënojmë ashpër gjuhën denigruese, ofenduese dhe paragjykuese të gazetarit të “Tetova Sot”, Nevrij Ademi, lidhur me rastin e vdekjes tragjike të Daorsa Spahiut

VLEN: Dënojmë ashpër gjuhën denigruese, ofenduese dhe paragjykuese të gazetarit të “Tetova Sot”, Nevrij Ademi, lidhur me rastin e vdekjes tragjike të Daorsa Spahiut

Shkup, 7 nëntor 2025

Koalicioni VLEN dënon ashpër gjuhën denigruese, ofenduese dhe paragjykuese të gazetarit të “Tetova Sot”, Nevrij Ademi, për komentet e tij seksiste lidhur me raportimet mbi vdekjen tragjike të Daorsa Spahiut në televizionin Klan Kosova.

Përdorimi i termave denigruese, si përshkrimi se ajo “ka qenë e lëvizshme”, apo insinuatat për “përdorim të lëndëve narkotike”, përbëjnë jo vetëm shkelje flagrante të Kodit Etik të Gazetarëve, por edhe një sulm në baza gjinore ndaj një vajze që tragjikisht humbi jetën.

VLEN kërkon nga SHGM, Këshilli për Etikë në Media, si dhe nga të gjitha redaksitë serioze, të reagojnë ndaj këtij rasti, i cili dëmton rëndë imazhin e gazetarisë në vend dhe shkel çdo standard profesional.

Në vend që të informojë me ndjeshmëri dhe përgjegjësi për një ngjarje tragjike, gazetari në fjalë ka zgjedhur të nxisë paragjykime dhe të stigmatizojë vajzat dhe gratë — një qasje e papranueshme në çdo formë të komunikimit publik.

VLEN qëndron fuqishëm në mbrojtje të dinjitetit të grave dhe vajzave dhe kërkon që drejtësia të veprojë ndaj çdo forme të linçimit publik, diskriminimit dhe gjuhës së urrejtjes në media.

Ngushëllime familjarëve të Daorsës, me dëshirën që raste të tilla të mos përsëriten kurrë.

VLEN

___________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

Foto: MIA arkiv

Остани поврзан