Vendkalimi Rafah sërish i hapur - pacientët e parë evakuohen në Egjipt
- Në ditën e parë të hapjes së sërishme të kufizuar të vendkalimit kufitar Rafah mes Gazës dhe Egjiptit, vetëm 12 palestinezë e kanë kaluar kufirin, deklaroi një burim në kufi.
Gazë, 3 shkurt 2026 (MIA) - Në ditën e parë të hapjes së sërishme të kufizuar të vendkalimit kufitar Rafah mes Gazës dhe Egjiptit, vetëm 12 palestinezë e kanë kaluar kufirin, deklaroi një burim në kufi.
Mes tyre ka pasur pesë persona të lënduar dhe shtatë shoqërues, që është larg kuotës së konfirmuar prej 50 pacientëve dhe dy shoqërues për një pacient, kumtuan autoritetet lokale, sipas "Tajms of Izrael".
Pacientët e parë palestinezë janë evakuuar nga Rripi i Gazës në Egjipt përmes vendkalimit Rafah pasi është hapur sërish, publikoi "Al Xhezira".
Hapja e djeshme e vendkalimit kufitar Rafah është hap kyç në armëpushimin midis Izraelit dhe Hamasit, por në masë të madhe është simbolik, pasi për momentin vetëm 50 palestinezë do të jenë në gjendje të kalojnë në të dy drejtimet në ditë, ndërsa mallrat nuk do të lejohen të kalojnë.
Vendkalimi kufitar Rafah është në masë të madhe i mbyllur pasi Izraeli e ndërmori në maj 2024.
Izraeli njoftoi se pret numri i vendkalimeve të rritet nëse sistemi është i suksesshëm. bsh/
Foto: EPA