• петок, 21 февруари 2025

Vendet baltike shkëputen nga rrjeti energjetik rus

Vendet baltike shkëputen nga rrjeti energjetik rus

Vilnus, 8 shkurt 2025 (MIA) - Lituania, Letonia dhe Estonia sot filluan shkyçjen nga rrjeti energjetik rus dhe kyçjen në sistemin evropian. Ky proces u iniciua disa vite më parë dhe u bë urgjent pas fillimit të invazionit rus ndaj Ukrainës.

Tre vendet baltike, ish republikat sovjetike dhe anëtare të BE-së dhe NATO-s që nga viti 2004 u shkëputën nga rrjeti rus të cilët kanë qenë të lidhur që në kohën e Bashkimit Sovjetik për të penguar Moskën që ta shndërrojë atë në armë kundër tyre.

"Mund të konfirmoj se procesi i mbylljes filloi në orën 6:00 të mëngjesit", deklaroi Matas Noreika, zëdhënës i operatorit publik të rrjetit kombëtar të energjisë elektrike të Lituanisë, Litgrid.

Ministri lituanez për energjetikë, Zigmantas Vaikunas tha se kjo e privon Rusinë nga mundësia për të përdorur sistemin e energjisë elektrike si mjet për shantazhim gjeopolitik.

Përmes rrjetit X, shefja e politikës së jashtme evropiane Kaja Kallas, ish kryeministre e Estonisë, përshëndeti "fitoren për demokracinë".

Kremtimet zyrtare për shkëputjen nga rrjeti energjetik rus janë planifikuar në tre vende.

Letonia sot do të ndërpresë fizikisht kabllon e energjisë që e lidh atë me Rusinë, ndërsa kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen është planifikuar të marrë pjesë në një ceremoni me liderët baltik të dielën në Vilnus të Lituanisë.

“Ne jemi gati”, deklaroi kryeministri lituanez Gintautas Palukas në rrjetin Iks, duke përshëndetur fillimin e epokës së re të pavarësisë energjetike të tre vendeve.

Procesi zgjati disa vite për shkak të problemeve të shumta teknologjike dhe financiare dhe nevojës për të diversifikuar furnizimin ndërkohë, nëpërmjet kabllove nënujore.

Ndryshimi u bë urgjent pas fillimit të invazionit rus të Ukrainës në vitin 2022, gjë që rriti frikën midis vendeve baltike se ato ishin caku i ardhshëm i Moskës.

Që atëherë, të tre vendet kanë ndaluar blerjen e gazit dhe energjisë elektrike ruse, por rrjetet e tyre të energjisë mbetën të lidhura me Rusinë dhe Bjellorusinë, ndërsa rregullatori kontrollohet nga Moska.

Ata vazhduan të vareshin nga Rusia për furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, veçanërisht për industrinë.

Autoritetet paralajmëruan se mund të ketë probleme.

Departamenti i sigurisë së Lituanisë vlerësoi se mund të ketë operacione kundër infrastrukturës kritike, sulmeve kibernetike dhe fushatave të dezinformimit.

Operatori polak PSE paralajmëroi dërgimin e helikopterëve dhe dronëve për të monitoruar lidhjen me Lituaninë.

Presidenti letonez, Edgars Rinkeviçs deklaroi për servisin publik LTV1 se, megjithëse të tre vendet janë plotësisht të përgatitura, ai nuk mund të përjashtojë mundësinë e provokimeve.

I pyetur për këtë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitrij Peskov tha javën e kaluar se Rusia ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar funksionimin e sigurt dhe të pandërprerë të sistemit të saj të unifikuar energjetik.

Foto: arkivi i MIA-s

 

Остани поврзан