• петок, 05 декември 2025

Vazhdon procedura për zgjedhjen e kryetarit të Komisionit Antikorruptues

Vazhdon procedura për zgjedhjen e kryetarit të Komisionit Antikorruptues

Shkup, 18 nëntor 2025 (MIA) - Në seancën e Komisionit kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve sot do të fillojë realizimi i intervistave të kandidatëve për zgjedhje të kryetarit të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit. Procedura për zgjedhjen e kryetarit të KSHPK-së vazhdon pas përfundimit të Zgjedhjeve lokale, ndërsa Kuvendi kryen rizgjedhjen e njeriut të parë të antikorrupsionit pas dorëheqjes së Tatjana Dimitrovska, e dyshuar për përzierje në rastin "Aditiv".

Komisioni para mbajtjes së zgjedhjeve lokale ka konstatuar se 10 nga 12 kandidatët e paraqitur për kryetar të KSHPK-së i plotësojnë kushtet. Ata janë Vesna Dorevska, Vladimir Naumoski, Antonio Snev, Branko Smilevski, Valentina Todorovska, Nenad Trifunovski, Blagica Troshansko, Kimo Çavdar, Adem Çuçul dhe Feuzi Xhaferi. Siç është parashikuar intervistat do të zhvillohen sot dhe nesër.

Komisioni Kuvendor për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve më 13 gusht themeloi Komisionin për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetar të Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), i cili, sipas ligjit, përbëhet nga shtatë anëtarë - Ylber Rufati, zëvendës Avokat i Popullit, Darko Avramovski, përfaqësues i një shoqate ose fondacioni i emëruar si anëtar i Këshillit për Bashkëpunim midis Qeverisë dhe sektorit civil për fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, Bardhyl Jashari, përfaqësues i shoqatës ose fondacionit i emëruar si anëtar i Këshillit për bashkëpunim midis Qeverisë dhe sektorit civil për fushën e medias dhe shoqërisë së informacionit dhe deputetët Bojan Stojanoski nga VMRO-DPMNE, Saranda Imeri Stafai nga VLEN, Mitko Trajçuleski nga LSDM dhe Arbana Pasholli nga Fronti Evropian.

Në afat prej tre ditësh nga realizimi i intervistës, Komisioni për selektim konfirmon rang-listën e kandidatëve përkatësisht me kriteret e konfirmuara dhe e dorëzon në Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve në Kuvend, i cili në afat prej dy ditësh, kandidatët më mirë të renditur ia propozon Kuvendit në një propozim listë të vetme për kryetar dhe  anëtarë të KSHPK-së me një shpjegim për secilin nga kandidatët e propozuar.

Për Kryetar të Komisionit Shtetëror mund të emërohet një person që është shtetas i Maqedonisë dhe ka vendbanim të përhershëm në vend, i cili duhet të ketë aftësi afariste, i cili duhet të ketë arsim të lartë me të paktën 300 ECTS ose nivelin VII/1 të arsimit në fushën e shkencave juridike ose arsim të lartë me të paktën 240 ECTS kredi ose nivelin VII/1 të arsimit në fushën e shkencave politike, të komunikimit ose ekonomike, i cili duhet të ketë të paktën dhjetë vjet përvojë pune pas përfundimit të arsimit të lartë, nga të cilat të paktën tetë vjet përvojë pune në fushat e zbulimit ose parandalimit të korrupsionit, sundimit të ligjit ose qeverisjes së mirë, i cili nuk duhet të jetë ndaluar të kryejë profesionin, aktivitet ose detyrë, në dhjetë vitet e fundit nuk duhet të ketë qenë anëtar i Kuvendit, anëtar i Qeverisë, i cili nuk duhet të ketë qenë donator i një partie politike ose i cili nuk duhet të ketë mbajtur funksion në organet e një partie politike. sa/

Foto: Arkivi

Остани поврзан