Vazhdon mbështetja e Korpusit paqeruajtës amerikan në ndërtimin e mjedisit shkollor më gjithëpërfshirës dhe përforcimin e aftësive gjuhësore të nxënësve
- Grup i ri prej 48 vullnetarësh amerikanë të Korpusit të Paqes, gjatë dy viteve të ardhshme, do të angazhohet në shkolla në Maqedoni dhe do të ndihmojë në përforcimin e aftësive gjuhësore të nxënësve dhe në zhvillimin e mjedisit shkollor më gjithëpërfshirës.
Shkup, 5 dhjetor 2025 (MIA) - Grup i ri prej 48 vullnetarësh amerikanë të Korpusit të Paqes, gjatë dy viteve të ardhshme, do të angazhohet në shkolla në Maqedoni dhe do të ndihmojë në përforcimin e aftësive gjuhësore të nxënësve dhe në zhvillimin e mjedisit shkollor më gjithëpërfshirës.
Vullnetarët sot dhanë betim solemn në prani të presidentes së vendit, Gordana Siljanovska Davkova, ministrave të Arsimit dhe Shkencës dhe Vetëqeverisjes Lokale, Vesna Janevska dhe Zllatko Perinski, ambasadores së SHBA-së Anxhela Ageler, drejtorit të Korpusit të Paqes, Dejvid Risajd dhe kryetarëve të komunave dhe drejtorëve të shkollave.
Duke u uruar fillim të suksesshëm, ministrja Janevska tha se grupi i ri do të jetë përforcim i madh për 52 vullnetarët amerikanë që tashmë janë të angazhuar në institucionet arsimore në Maqedoni.
“Prania Juaj nuk është vetëm simbol i vullnetarizmit, por gjithashtu dëshmi e dëshirës për të ndërtuar ura midis njerëzve. Dua të theksoj se angazhimi juaj nuk do të kufizohet vetëm në avancimin e aftësive gjuhësore apo në krijimin e një mjedisi shkollor më gjithëpërfshirës. Ju do të kontribuoni për diçka shumë më të madhe - për përforcimin e partneritetit midis shteteve tona, ndërtimin e besimit të ndërsjellë, mirëkuptimit dhe miqësisë më të fortë midis popujve tanë”, tha Janevska.

Vullnetarët do të angazhohen në 20 shkolla fillore, 5 shkolla të mesme, 2 qendra burimore për nxënës me nevoja të veçanta arsimore, një shkollë për personat me dëmtim të shikimit dhe një kopsht. Janevska është e sigurt se ata do të lënë gjurmë në komunitetet ku do të jetojnë dhe punojnë, por edhe se shumë prej tyre do të kthehen në shtëpi me, siç tha ajo, një pjesë të Maqedonisë në zemër.
“Ne prej kohësh kemi mësuar se miqësitë e vërteta ndërtohen me besim, bashkëpunim dhe respekt të sinqertë. U shprehim nderime të veçanta popullit amerikan dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat për më shumë se 30 vite janë partneri ynë strategjik në përpjekjen për ndërtimin e shtetit më të avancuar, më të qëndrueshëm dhe më të bashkuar.
Mbështetjen që e marrim mbetet e rëndësishme për zhvillimin dhe modernizimin e shoqërisë sonë, dhe për këtë shpreh mirënjohje të thellë dhe të sinqertë,” potencoi Janevska.
Bashkëpunimi i Maqedonisë me Korpusin e Paqes daton nga viti 1996, kur u krijua projekti i parë për avancimin e mësimdhënies së gjuhës angleze, përmes marrëveshjes midis dy qeverive.
Korpusi i Paqes është organizatë joqeveritare amerikane e përkushtuar ndaj paqes botërore dhe miqësisë. Organizata funksionon përmes vullnetarëve që jetojnë dhe punojnë për dy vjet në komunitetet lokale. Është thmeluar në vitin 1961 nga presidenti Xhon F. Kenedi. bsh/
Фото: МИА