Vazhdon debati kuvendor për Propozim-buxhetin për vitin 2026
- Komisioni kuvendor për financim dhe buxhet sot do ta vazhdojë mbledhjen për Propozim-buxhetin për vitin 2026.
Shkup, 17 nëntor 2025 (MIA) - Komisioni kuvendor për financim dhe buxhet sot do ta vazhdojë mbledhjen për Propozim-buxhetin për vitin 2026.
Të ardhurat e përgjithshme në Propozim-buxhetin për vitin e ardhshëm janë projektuar në 374,7 miliardë denarë, shpenzimet në 413,9 miliardë denarë, ndërsa investimet kapitale në 40,5 miliardë denarë apo 650 milionë euro. Rritja ekonomike është projektuar në 3,8 për qind, inflacioni në 2,5, ndërsa deficiti buxhetor në 3,5 për qind të BPV-së.
"Ky nuk është vetëm një dokument me numra dhe tabela, kjo është porosi ekonomike për stabilitet, besim dhe zhvillim, si dhe dëshmi e qartë për menaxhimin përgjegjës me financat publike që e vendosim dhe e vazhdojmë me kapacitet të plotë", tha të premten ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska e cila para Komisionit amë e arsyetoi Propozim-buxhetin për vitin 2026.
Siç theksoi Dimitrieska-Koçoska, Qeveria e forcon besimin në institucione, duke mbështetur rolin e sektorit privat si nxitës i rritjes ekonomike dhe duke krijuar kushte për intensifikimin e investimeve vendase dhe të huaja.
Me Propozim-buxhetin për vitin 2026, shtoi, Qeveria e ruan konsistencën në politikat ekonomike dhe vazhdimësinë me Strategjinë Fiskale 2026–2030
"Buxheti për vitin 2026 është dëshmi se ne mund të menaxhojmë me zgjuarsi, disiplinë dhe vizion, edhe në kohë sfidash. Ky dokument flet për një ekonomi në rritje, një vend që investon dhe një qeveri që di çfarë po bën”, theksoi ministrja.
Sipas saj, më e rëndësishme për këtë Qeveri është ajo që nuk flet shumë, por reflekton.
"Premtuam konsolidim gradual fiskal, si para qytetarëve ashtu edhe para institucioneve ndërkombëtare financiare dhe e mbajmë premtimin", nënvizoi Dimitrieska – Koçoska.
Konsumi privat është projektuar të rritet me 2,6%, konsumi publik do të mbetet mesatar, me rritje prej 1,4% në drejtim të disiplinës fiskale, ndërsa inflacioni do të stabilizohet në rreth 2,5%, në kushte të çmimeve të qëndrueshme në tregjet ndërkombëtare. Trende pozitive do të reflektohen edhe në tregun e punës - pritet rritje e punësimit dhe rritje e pagës mesatare neto me 6,5%. Kjo do të jetë si rezultat i hapjes së kapaciteteve të reja prodhuese, zgjerimit të atyre ekzistuese, si dhe masave aktive dhe programeve të punësimit që po zbaton Qeveria.
"Në përgjithësi, parashikimet për vitin 2026 tregojnë vazhdimësi të stabilitetit dhe rritjes ekonomike, bazuar në politika fiskale të përgjegjshme, investime në infrastrukturë dhe kapital njerëzor, si dhe në rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë vendase", tha ministrja.
Sipas informatave të publikuara në ueb faqen e Kuvendit, janë parashtruar mbi 100 amendamente.
Mbledhja plenare, ku do të shqyrtohet Propozim-buxheti për vitin 2026, sipas paralajmërimeve, është planifikuat të mbahet më 9 dhjetor. ab/
Foto МIА arkivi