Vëllai i viktimës nga zjarri në "Puls" dëshmoi për mbrëmjen tragjike, punoi si kamarier pa kontratë
- Kristian Panov, një i ri i papunë i cili përkohësisht kishte punuar si kamarier në diskotekën "Puls", sot dëshmoi për funksionimin e diskotekës dhe për mbrëmjen e fatkeqësisë kur në zjarr e humbi jetën edhe vëllai i tij, Andrej Panov. Ai sqaroi se nuk ishte formalisht i punësuar, por ishte angazhuar drejtpëdrejtë nga bashkëpronari Dejan Jovanov-Deko, ndërsa paratë çdoherë i merrte në dorë.
Shkup, 26 janar 2026(MIA) - Kristian Panov, një i ri i papunë i cili përkohësisht kishte punuar si kamarier në diskotekën "Puls", sot dëshmoi për funksionimin e diskotekës dhe për mbrëmjen e fatkeqësisë kur në zjarr e humbi jetën edhe vëllai i tij, Andrej Panov. Ai sqaroi se nuk ishte formalisht i punësuar, por ishte angazhuar drejtpëdrejtë nga bashkëpronari Dejan Jovanov-Deko, ndërsa paratë çdoherë i merrte në dorë.
"Paguhesha në shumë prej 1.500 denarëve, i merrja mu në fillim, kur fillonim me punë dhe në fund të ndërrimit mbeteshin tek ne", tha Panov në fillim të dëshmisë.
Dëshmitari përshkroi se në diskotekë interpretonin bende dhe dixhej të ndryshëm jo vetëm nga Maqedonia, ndërsa ndonjëherë përdoreshin edhe mjete piroteknike.
"Kohë më parë para se të ndodhte fatkeqësia, kishte dixhej nga Greqia dhe kishte edhe valltare, të cilat rrotullonin pishtarë me zjarr në ajër", deklaroi Panov.
Ai dëshmoi se diskoteka ka pasur vetëm një hyrje dhe dalje për të cilën nuk ishte i sigurt nëse ka qenë e shënuar me sinjal ndiçues dhe theksoi se nuk ka parë aparate zjarrfikëse në brendësi.
Përsëriti se në objekt rregullisht ka pasur sigurim, por theksoi se në "Puls" shpesh kanë qenë të prnaishëm edhe të mitur.
"Po, kishte të mitur",tha Panov duke shtuar se policia vinte kohë pas kohe, ndonjëherë edhe pa uniformë.
Duke e prëshkruar natën tragjike, ai dëshmoi se ishte në ditëlindjen e një shoku dhe kishte dalë jashtë për të pirë duhan.
"Dola jashtë, siç thashë, e ndeza cigaren dhe përnjëherë të gjithë vraponin, dolën aq sa mundën, përnjëherë u krijua stampedo jashtë, mu në shkallë, siç e dimë të gjithë, dhe kush sa kishte mundësi - ndihmoi. Stampedoja ishte me njerëz mbi njëri-tjetrin, u ngujuan mes dy dyerve që ndodhen në diskotekë, mu në hyrje", dëshmoi Panov.
Kur situata u qetësua, siç tha, ka tentuar ta gjejë vëllain e tij Andrej, i cili ka punuar si barist në diskotekë.
"Tentova të hyj dhe hyra brenda, ku ishte tejet vështirë të qëndrosh më shumë se 5 deri 10 sekonda, e kërkoja vëllain tim dhe nuk e gjeta, tashmë ishte vonë dhe stampedoja ishte pastruar, pas 20 minutave, për shkak se nuk kishte mundësi të hyje brenda para se të pastrohej stampedoja. Të gjithë ishin në panik dhe të tronditur, luftonin kush i apri të dilte jashtë, panik shumë i madh", shtoi Panov.
Më pas dëshmoi se gjatë tentimit të parë për ta gjetur vëllain e tij, diçka ra mbi të dhe shpërtheu në flakë, me ç'rast u detyrua të dilte jashtë.
"Kur u ktheva sërish për ta kërkuar, e gjeta mu në pragun e diskotekës. Ai tashmë ishte jashtë, në prag, dikush tashmë e kishte tërhequr nga brenda dhe unë sapo e pashë, nuk isha i sigurt nëse është ai, e njoha nga tatuazhet, e thirra kushëririn për të më ndihmuar, e ngritëm trupin dhe hymë në ambulancë, ishte tollovi shumë e madhe aty, i dhjanë adrenalinë vëllaittim dhe më pas e zhvendosën në dhomë tjetër, pyeta nëse është i gjallë, askush nuk më përgjigjej dhe mbetëm vetëm unë dhe ai, me ç'rast tentova ta rianimoj. Pas një kohe, njëra nga infermieret më tha se ata që ndodhen në dhomën 2 janë ata që nuk marrin frymë, përkatësisht se ka vdekur", dëshmoi Panov.
Dëshmitari Kristian Panov sqaroi se rezervimet për bileta zyrtarisht bëheshin përmes menaxherit Boris Findaçki, por mund të bëheshin edhe drejtpërdrejtë përmes bashkëpronarit Dejan Jovanov-Deko apo përmes djalit të tij Mihajllo.
Gjatë marrjes në pyetje, mbrojtja u përpoq të vinte në pikëpyetje dëshminë. Mbrojtja e Dejan Jovanovit e përkujtoi se paraprakisht ka thënë se nuk ka parë aparate të zjarrfikësve, ndërsa Panov sqaroi se me të vërtetë nuk ka vërejtur mjete të tilla, përveç në momentin e zjarrit kur për herë të parë e pa Dekon me aparat.
Mbrojtja e Todor Jovanovit u kthye në shitjen e biletave për të mitur, me ç'rast dëshmitari tha se personalisht nuk e di nëse i pandehuri ka shitur bileta atë natë, por theksoi se brenda kishte shumë të mitur.
Mbrojtësi i Jane Jançevskit e pyeti nëse policia ishte e vetëdijshme për praninë e të miturve, ndërsa Panov u përgjigj: "Absolutisht e ka ditur, pa dallim nëse ishin në uniformë apo jo".
Në lidhje me Lazar Zahariev, dëshmitari tha se e ka parë se si u jep ndihmë njerëzve në rrëmujë, por nuk mund të konfirmoj nëse ai ka shpëtuar më së shumti persona.
"Megjithatë, është instikt dhe përgjegjësi njerëzore, dhe ajo që ndodhi është për shkak të vetë papërgjegjësisë njerëzore", shtoi Panov.
Në pyetjen e mbrojtjes së Ivica Grozdanov nëse policët ndonjëherë kishin larguar të miturit, Panov tha se nuk ishte në dijeni për këtë, ndërsa në pyetjen e mbrojtjes së Shaban Saliut nëse është e mundur që brenda të kishte policë me uniformë, Panov u përgjigj se nuk e di, por konfirmoi se paraprakisht ka shërbyer policë që nuk ishin në uniformë.
Mbrojtja e Bekim Maksutit e pyeti nëse piroteknika që është përdorur më parë kishin shkaktuar problemin, për të cilën dëshmitari tha se nuk kishte kurrë problem me përdorimin e shatërvanëve, por nuk mund të konfirmojë nëse atëherë kishte zyrtarë policor të pranishëm.
Në pyetjen e mbrojtjes së Xhevat Selamit nëse policia ndonjëherë e ka mbyllur objektin për shkak të mjeteve piroteknike, Panov tha: "Për aq sa kam parë - jo, dhe nuk e di".
Në pyetjen e mbrojtjes së Mile Ampov dëshmitari konfirmoi se ka punuar në "Puls" nga shtatori i vitit 2024 deri në mars të vitit 2025, vetëm gjatë fundjavave, dhe se pagesa ishte vetëm në kesh.
Ndërsa në pyetjen e mbrojtjes së Vesna Kuzmanovskës nëse pa rrëmujën nuk do të kishte aq viktima, Panov nuk komentoi.
Mbrojtja e Aleksandar Masev pyeti nëse kapaciteti ishte i mbushur, ndërsa dëshmitari tha: "Diskoteka ishte plot, më duhej më shumë nga koha normale për të arritur te tavolina".
Panov konfirmoi se në diskotekë rregullisht janë mbajtur ngjarje çdo të premte dhe të shtunë, por nuk e di kush e mori vendimin përfundimtar për hyrjen.
Më 26 mars të vitit 2025, gjatë pjesëmarrjes së grupit DNK në diskotekën "Puls" në Koçan, shpërtheu zjarr, në të cilin humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan. Në objekt kishte më shumë vizitorë se numri i lejuar, mes të cilëve edhe të mitur, ndërsa ishin aktivizuar mjete piroteknike pa leje. Objekti ka punuar në mënyrë joligjore më shumë se një dekadë, pa kushte teknike minimale, me rikonstruksione, pa leje dhe pa sistem për mbrojtje kundër zjarreve. ab/sa/
Foto: MIA arkivi