Ushtria amerikane vrau katër persona në sulmin më të ri ndaj një anijeje të dyshuar për trafik droge
- Ushtria amerikane goditi edhe një tjetër anije të dyshuar për trafik droge në Paqësorin Lindor, ku si pasojë u vranë katër persona nga anija, njoftoi mbrëmë Komanda Jugore e SHBA-së (SOUTHCOM), transmeton DPA.
Uashington, 5 dhjetor 2025 (MIA) - Ushtria amerikane goditi edhe një tjetër anije të dyshuar për trafik droge në Paqësorin Lindor, ku si pasojë u vranë katër persona nga anija, njoftoi mbrëmë Komanda Jugore e SHBA-së (SOUTHCOM), transmeton DPA.
Anija dyshohet se ishte e drejtuar "nga një organizatë terroriste e caktuar" dhe transportonte narkotikë përgjatë një rruge të njohur për kontrabandë.
"Katër narkoterroristë meshkuj që ndodheshin në anije u vranë", njoftoi SOUTHCOM në platformën X.
Forcat amerikane gjatë disa muajve të fundit kanë kryer sulme të ngjashme ndaj anijeve të dyshuara për mbajtje të drogës në Karaibe dhe Paqësor, shpesh pa prezantuar publikisht prova për të justifikuar sulmet, kujton agjencia gjermane.
Raportet mediatike tregojnë se deri tani në këto operacione janë vrarë pthuajse 90 persona.
Administrata amerikane viktimat i ka përshkruar si trafikantë droge dhe "terroristë".
Vrasjet jashtë gjyqit kanë shkaktuar kritika të gjera. Ekspertët për të drejtat e njeriut të Kombeve të Bashkuara thonë se këto veprime shkelin të drejtën ndërkombëtare, kujton DPA.
Shefi i Pentagonit, Pit Hegset, së fundmi deklaroi se po planifikohen sulme shtesë.
"Sapo kemi filluar t’i sulmojmë anijet e drogës dhe t’i çojmë narkoterroristët në fund të oqeanit", tha ai gjatë një mbledhjeje të fundit të kabinetit. qa/
Foto: Arkivi i MIA-s