• сабота, 22 февруари 2025

Universiteti i Tetovës pjesëmarrës në Konferencën “Roli i arsimit të lartë në ndërtimin e paqes" që u mbajt në Insbruk të Austrisë

Universiteti i Tetovës pjesëmarrës në Konferencën “Roli i arsimit të lartë në ndërtimin e paqes

Shkup, 21 shkurt 2025

Universiteti i Tetovës mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare “Roli i arsimit të lartë në ndërtimin e paqes”, të organizuar në Insbruk të Austrisë nga rrjeti i njohur i Universiteteve Evropiane Aurora, pjesë e të cilit është edhe Universiteti i Tetovës.

Ky eveniment ofroi mundësi të shkëlqyera për bashkëpunim ndërkombëtar dhe diskutim mbi rëndësinë e arsimit të lartë për promovimin e paqes dhe stabilitetit global.

Përfaqësues të Universitetit të Tetovës, përkatësisht Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Salajdin Salihi, drejtoresha e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, Mr. Sc. Donika Kamberi, Prof. Dr. Agon Memeti nga Zyra për Shkencë dhe Inovacion dhe udhëheqësi i Zyrës për Përpilim dhe Menaxhim me Projekte, Mr. Sc. Artan Osmani, morën pjesë në këtë ngjarje që u mbajt më 17 dhe 18 shkurt. Ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer për të ndarë eksperienca dhe për të zhvilluar ide dhe projekte të reja për promovimin e paqes përmes arsimit.

Në këtë kontekst, drejtoresha e Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor, Mr. Sc. Donika Kamberi, prezentoi punimin e saj me titull “Aleatë në distancë: Roli i institucioneve të arsimit të lartë në ndërtimin e paqes në Ukrainë”.

Donika Kamberi, duke u fokusuar në situatën aktuale në Ukrainë, theksoi rolin e veçantë që ka pasur Qendra për Paqe dhe Komunikim Transkulturor në mbështetje të procesit të edukimit për paqe dhe ripërtëritjes së shoqërisë pas konfliktit. Ajo përmendi gjithashtu angazhimin e universitetit dhe qendrës si avokuesit më me zë për këtë temë.

Kjo pjesëmarrje e Universitetit të Tetovës në Konferencën e Aurora-s është një dëshmi e angazhimit të tij të vazhdueshëm për zhvillimin e arsimit të lartë dhe përkrahjen e iniciativave për paqen globale, veçanërisht për sa i përket përpjekjeve ndërkombëtare që lidhen me Ukrainën dhe proceset e paqes në rajon.

Foto: UT

__________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

Остани поврзан