• петок, 02 јануари 2026

Të paktën shtatë persona humbën jetën në protestat në Iran

Të paktën shtatë persona humbën jetën në protestat në Iran

 Teheran, 2 janar 2026 (MIA) - Protestat në Iran për shkak të përkeqësimit të situatës ekonomike u përhapën dje në brendësi të vendit, dhe numri i të vdekurve në përleshjet me autoritetet u rrit në shtatë persona.

 Intensiteti i protestave në Teheran është ulur, por ato janë përhapur në pjesë të tjera të Iranit.

Këto janë protestat më masive në Iran që nga viti 2022 pas vdekjes së 22-vjeçares iraniane me origjinë kurde, Mahsa Amini. Ajo u arrestua në vitin 2022 nga e ashtuquajtura Policia Iraniane e Moralit për shkelje të dyshuar të ligjit për mbajtjen e detyrueshme të shamisë dhe vdiq në paraburgim tre ditë më vonë. 

 Vdekja e saj shkaktoi protesta masive në të gjithë vendin, të cilat shpejt u përshkallëzuan në thirrje për rrëzimin e autoriteteve iraniane. Sipas grupeve të të drejtave të njeriut, në përleshjet mes protestuesve dhe policisë iraniane humbën jetën më shumë se 500 njerëz,    ndërsa mbi 22.000 janë arrestuar.

Përleshjet më të mëdha ishin në qytetin Azna, në provincën Lorestan, 300 kilometra në jugperëndim të Teheranit, ku humbën jetën tre persona. 

Sipas mediave lokale në qytetin Lorexhan në provincën Çahar Mahal dhe Bakhtiari humbën jetën dy persona.. 

Mediat shtetërore raportuan se  në Fuladshahr, provinca Isfahan humbi jetën një burrë. 

Ndërkohë natën më 31  dhjetor është vrarë një vullnetar 21-vjeçar i organizatës paraushtarake Basixh, pjesë e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike. 

Ndërkohë, për protestat në qytetin Kuhdasht, 400 kilometra në jugperëndim të Teheranit, janë arrestuar 20 protestues.

 Protestat filluan më 28 dhjetor në Teheran kur tregtarët shprehën zemërimin e tyre për zhvlerësimin rekord të monedhës vendase, rialit, kundrejt dollarit amerikan dhe inflacionin në rritje. Një dollar amerikan vlen rreth 1.4 milion rialë.

 Presidenti iranian Masud Pezeshkian ka premtuar reforma ekonomike dhe ka shprehur gatishmëri për dialog, por protestuesit e injoruan.

Televizioni shtetëror raportoi se shtatë persona janë arrestuar, pesë prej të cilëve ishin monarkistë dhe dy me lidhje me Evropën. Në një operacion tjetër, u konfiskuan 100 armë. Por,  televizioni nuk dha detaje. 

 Foto: EPA

 

Остани поврзан