Tryezë e rrumbullakët kombëtare për drejtësi klimatike dhe ekologjike në Maqedoninë e Veriut
- Në Shkup sot do të mbahet Tryezë e rrumbullakët kombëtare për drejtësi klimatike dhe ekologjike, në kuadër të Projektit për drejtësi klimatike dhe ekologjike të Ballkanit Perëndimor, në të cilën, sipas organizatorëve, do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve gjyqësore, ekspertë të fushës së mjedisit jetësor, organizata qytetare dhe partnerë ndërkombëtarë, me qëllim të përmirësimit të Planit kombëtarë të veprimit për drejtësi ekologjike.
Shkup, 19 nëntor 2025 (MIA) - Në Shkup sot do të mbahet Tryezë e rrumbullakët kombëtare për drejtësi klimatike dhe ekologjike, në kuadër të Projektit për drejtësi klimatike dhe ekologjike të Ballkanit Perëndimor, në të cilën, sipas organizatorëve, do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve gjyqësore, ekspertë të fushës së mjedisit jetësor, organizata qytetare dhe partnerë ndërkombëtarë, me qëllim të përmirësimit të Planit kombëtarë të veprimit për drejtësi ekologjike.
Tema kryesore e ngjarjes do të jetë "Si mundet sistemi gjyqësor të përgjigjet në mënyrë më efikase ndaj sfidave në rritje që sjellin ndryshimet klimatike dhe degradimin e mjedisit jetësor?".
Siç njoftojnë organizatorët, fjalime hyrëse do të mbajnë ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, zëvendësministrja e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ane Lashkoska, ambasadori francez në vend Kristof Le Rigoler, prokurori i përgjithshëm Lupço Kocevski, dhe Xhemali Saiti, gjykatës në Gjykatën Supreme.
"Para këtij eventi, në periudhën nga shtatori deri në nëntor të vitit 2025, u mbajtën disa takime të grupeve punuese në Shkup, ku morën pjesë aktorë kryesorë nga sektori gjyqësor dhe mjedisi jetësor. Këto diskutime ishin të fokusuar në forcimin e mbledhjes së provave, përmirësimin e qasjes në ndihmë juridike, rritjen e transparencës në procedurat për veprat penale mjedisore dhe përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional. Si rezultat i kësaj, aktorët kombëtarë, me mbështetje ekspertësh të frymëzuar nga raporti i inspektoratit francez 'Drejtësi për mjedisin', hartuan një projekt Plani veprimi për drejtësi ekologjike në Maqedoninë e Veriut. Plani trevjeçar do të shqyrtohet dhe miratohet zyrtarisht gjatë Tryezës së rrumbullakët kombëtare, ndërsa implementimi i tij do të vazhdojë në vitet e ardhshme", thuhet në njoftimin e organizatorit të ngjarjes.
Tryeza e rrumbullakët organizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, në kuadër të iniciativës rajonale KEP Konvergjenca që zbatohet nga Expertise France me mbështetjen e Agjencisë franceze për zhvillim (AFD). qa/
Foto: Arkivi i MIA-s