• сабота, 22 февруари 2025

Troshanovski: Ekziston rezistencë e madhe ndaj ndryshimeve kushtetuese, duhet të ndërmarrim qasje proaktive në proces

Troshanovski: Ekziston rezistencë e  madhe ndaj ndryshimeve kushtetuese, duhet të ndërmarrim qasje proaktive në proces

Shkup, 17 shkurt 2025 (MIA) - Ndryshimet kushtetuese si kusht për fillimin e negociatave me BE-në janë mbështetur nga 20 për qind e të anketuarve në anketën e realizuar nga tetori deri në dhjetor të vitit 2024 nga Instituti për demokraci "Societas Civilis" – Shkup (IDSCS) në bashkëpunim me Fondacionin "Konrad Adenauer" – Shkup për analizën e perceptimit publik në lidhje me integrimin evropian.

"Pjesa tjetër është mjaft e ndarë mes: status kuo-s, tërheqjes nga procesi dhe ndryshimit të kornizës negociuese. Është interesante të theksohet se qytetarët nuk e perceptojnë procesin si përmbushje të kushteve të fqinjëve, por shohin njëfarë vlerë reformuese dhe demokratike të procesit, domethënë procesin e shohin më shumë si përputhshmëri me standardet dhe ligjet e Bashkimit Evropian", deklaroi Anamarija Velinovska, hulumtuese në Qendrën për integrime evropiane pranë IDSCS-së para prezantimit të gjetjeve nga hulumtimi.

Marko Troshanovski, kryetar i IDSCS-së, kumtoi se "ekziston rezistencë e madhe ndaj ndryshimeve kushtetuese si kusht për fillimin e negociatave" dhe konsideron se shteti duhet të ketë qasje proaktive në proces.

"Duhet të dimë dhe se kundërshtimi drejt çdo kushti dhe përsëritja e padrejtësisë që na është bërë nuk mund të na sjellë shumë të mira, veçanërisht në këtë moment të ashpër gjeopolitik ku secili shikon interesat e veta", mendon Troshanovski.

Duke dhënë, ashtu siç tha, koment politik për këto gjetje, ai potencoi - "duhet të punojmë me përkushtim për të gjetur zgjidhje" dhe "nga Bashkimi Evropian duhet të kërkojmë modalitete i cili do të na garantojnë një proces negociues më objektiv dhe më të parashikueshëm".

"Pa kërkuar ndryshime në Kornizën negociuese apo duke këmbëngulur se nuk do të kushtëzohemi në të ardhmen, megjithatë duke kërkuar sa më shumë besueshmëri në proces dhe kjo është rruga drejt së cilës duhet të ecim si shtet. Domethënë, duhet të merret një qasje proaktive", tha Troshanovski.

I pyetur nëse i mbështet ndryshimet kushtetuese me efekt të vonuar ai u përgjigj se "ata nuk na ndihmojnë të fitojmë objektivitet dhe parashikueshmëri të procesit”.

Sipas tij, parashikueshmëria duhet të kërkohet në standardet evropiane, aplikimi i Marrëveshjes së fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, veçanërisht puna e komisionit historik e cila siç tha, "tashmë është vendosur të lundrojë, duke punuar pa metodologji dhe me vullnetin e palës bullgare, në një marrëdhënie asimetrike".

"Nëse procesi tani është evropian dhe nëse e gjithë BE-ja qëndron pas tij, ai duhet të bëhet sipas standardeve evropiane dhe kjo është ajo që ne duhet të fokusohemi dhe të kërkojmë si shtet, në radhë të parë. Dhe në radhë të dytë, por jo më pak e rëndësishme, është edhe pjesa e udhërrëfyesit për shtetin e së drejtës gjegjësisht ai plani për mbrojtjen e të drejtave të pakicave që do të jetë vazhdimisht pjesë e negociatave me BE-në, për ta pastruar atë nga ndërhyrjet ndoshta dashakeqe të cilat do të pretendojnë se Maqedonia ka gjuhë urrejtje ose diskriminim sistemik bazuar në disa kritere të mjegullt, siç është pjesa për gjuhën e urrejtjes në një hapësirë ​​private që është në Marrëveshjen me Bullgarinë e cila është jashtë nga të gjitha standardet dhe deficionet e gjuhës së urrejtjes", tha kryetari i IDSCS-së.

Theksoi se "duhet të fokusohemi sa më shumë që është e mundur që ta mbrojmë dhe objektivizojmë procesin", sepse, siç tha, "ajo është në interes të Bashkimit Evropian".

"Sepse pa një proces të tillë mbrojtës, problemet dypalëshe, jo vetëm mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, por edhe mes të gjithë pretendentëve të tjerë, anëtarë kandidatë që janë në shportën tonë dhe vendet e tjera anëtare aktuale, të gjitha problemet dypalëshe do të dalin në sipërfaqe dhe do të bllokojnë sërish zgjerimin i cili shohim tash, më shumë se kurrë, është një moment dhe domosdoshmëri shumë e rëndësishme e realitetit të ri për Evropën, ndërsa dhe në kontekstin gjeopolitik botëror", shtoi Troshanovski para prezantimit të gjetjeve të anketës për perceptimin e publikut për integrimet evropiane. rq/

Foto: printskrin

 

 

 

 

 

Остани поврзан