Tregtarët paraqitën propozime për uljen e çmimeve të një grupi të produkteve
- Oda ekonomike e tregtarëve me shumicë dhe pakicë, kryesisht me produkte ushqimore dhe jo ushqimore, pije dhe duhan, sot ka dorëzuar propozime deri te Qeveria, Ministria e Ekonomisë dhe Punës dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut për masa efektive për uljen e çmimeve të një grupi të produkteve.

Shkup, 17 shkurt 2025 (MIA) - Oda ekonomike e tregtarëve me shumicë dhe pakicë, kryesisht me produkte ushqimore dhe jo ushqimore, pije dhe duhan, sot ka dorëzuar propozime deri te Qeveria, Ministria e Ekonomisë dhe Punës dhe Inspektorati Shtetëror i Tregut për masa efektive për uljen e çmimeve të një grupi të produkteve.
Siç njoftojnë nga Oda, propozimet janë përgatitur pas një takimi të mbajtur të premten në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës, së bashku me ministrin, zëvendësministrin, përfaqësues nga institucionet përkatëse, si dhe anëtarë të Odës.
Anëtarja e Odës, Danica Blazhevska nga Reptil Markete, të premten pas takimit në Ministri deklaroi se përfaqësuesit e tregtarëve dhe distributorëve kërkuan ulje reale të çmimeve nga 100 deri në 200 produkte sepse me formulën fillestare janë përfshirë mbi 1000 produkte, prandaj, siç tha ajo, nuk mund të arrijnë efektin e uljes sa më të madhe të çmimeve dhe bërjes së tyre më të aksesueshme për qytetarët. Ajo tha se besojnë se është më mirë që së bashku me prodhuesit dhe furnitorët të bëjmë një ulje reale të çmimeve nga 100 deri në 200 produkte që janë më të nevojshme për jetën e përditshme, të cilat do të jenë të dukshme për qytetarët.
E pyetur nëse mund të keqpërdoret periudha shtesë që u është dhënë për zbatimin e masës për rritjen e mëtutjeshme të çmimeve, Bllazhevska tha se marketet vazhdimisht marrin lista të reja të çmimeve me çmime të rritura.
"Së bashku me prodhuesit dhe furnitorët po bëjmë përpjekje që të mos rriten çmimet në mënyrë që të gjendet një zgjidhje e përbashkët.Pikërisht ky është propozimi i Qeverisë për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët, për të cilën kemi marrë mirëkuptim nga ana e tyre, theksoi Bllazhevska, duke shtuar se deri të hënën pret që analizat e Ministrisë të përfundojnë.
Nga Ministria e Ekonomisë dhe Punës sot për MIA-n thanë se në takimin e së premtes është rënë dakord që vendimi përfundimtar të merret deri në fund të kësaj jave.
“Kur të ketë vendim, do ta informojmë opinionin”, kanë thënë për MIA-n nga Ministria.
Pas rritjes së çmimeve të ushqimeve dhe dy bojkoteve civile, javën e kaluar të martën Qeveria në seancë e angazhoi Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës të përgatit propozim-vendim për kufizimin e marzhit bruto të fitimit në 10 për qind në tregtinë me shumicë dhe pakicë të disa produkteve ushqimore bazë, produkteve higjienike dhe ushqimit për foshnja.
Me Propozim-vendimin duhej të përfshihen produktet ushqimore bazë të 73 grupeve të njëjta të produkteve të cilat ishin në shportat e mëparshme, por edhe detergjenteve, ushqimit të fëmijëve dhe produkte të tjera ushqimore te të cilat është vërejtur marzhë shumë e lartë, ndërsa janë pjesë e nevojave themelore të qytetarëve.
Vendimi i tillë bazohej në raportin gjashtëmujor të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, sipas të cilit te tregtarët me pakicë ishte konfirmuar se ka mbi 20 për qind marzhë të produkteve ushqimore bazë dhe mbi 30 për qind marzhë te mjetet për higjienë personale, përderisa te importuesit dhe distributorët janë evidentuar marzha më të larta të cilat shkojnë madje edhe deri 50 për qind. ls/
Foto: Arkivi i MIA-s