• петок, 21 февруари 2025

Tre tërmete të njëpasnjëshme në afërsi të Santorinit midis 4 dhe 4,9 shkallë

Tre tërmete të njëpasnjëshme në afërsi të Santorinit midis 4 dhe 4,9 shkallë

Athinë, 10 shkurt 2025 (MIA) - Në një periudhë prej 20 minutash në zonën detare midis ishujve grekë Santorini dhe Amorgos sot u regjistruan tre tërmete të njëpasnjëshme me magnitudë 4, 4.3 dhe 4.9 sipas shkallës së Rihterit, paralelisht me serinë e tërmeteve më të vogla prej rreth 3 ballë, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Tërmete mbi 4 ballë u regjistruan edhe mbrëmë, siç njoftoi paraprakisht MIA, prej të cilëve më i forti ishte 5 ballë.

Zëdhënësi i qeverisë greke Pavlos Marinakis në brifingun e sotëm të rregullt me gazetarët potencoi se për shkak të aktivitetit sizmik mes dy ishujve, mbrojtja civile është ende në gjendje gatishmërie.

Ai theksoi se Qeveria merr masa parandaluese dhe ndjek rekomandimet e ekspertëve.

Profesori i sizmologjisë në Universitetin Aristotel në Selanik, Kostas Papazahos për televizionin grek ERT sqaroi sot në mëngjes se tërmetet në afërsi të Santorinit mund të zgjasin me javë apo edhe muaj dhe nuk është diçka që do të ndryshojë brenda natës.

Shkollat ​​në ishujt Santorini, Ios, Amorgos dhe Anafi për shkak të tërmeteve do të mbyllen edhe këtë javë, me vendim të Komisionit për vlerësimin e rrezikut sizmik dhe Komisionit për monitorimin e aktiviteteve vullkanike pranë Ministrisë së Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile të Greqisë. rq/bsh/

Foto: arkivi i MIA-s

Остани поврзан