Trampi është i bindur se Rusia nuk do ta sulmojë përsëri Ukrainën
- Presidenti amerikan Donald Tramp ka thënë se është gati të angazhohet për pjesëmarrjen e SHBA-së në mbrojtjen e ardhshme të Ukrainës si pjesë e marrëveshjes paqësore, sepse është i bindur se Rusia nuk do të përpiqet të kryejë përsëri invazion.
Uashington, 9 janar 2026 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp ka thënë se është gati të angazhohet për pjesëmarrjen e SHBA-së në mbrojtjen e ardhshme të Ukrainës si pjesë e marrëveshjes paqësore, sepse është i bindur se Rusia nuk do të përpiqet të kryejë përsëri invazion.
“Jam shumë i bindur se ata nuk do të kryejnë invazion përsëri, përndryshe nuk do të pajtohesha me të”, tha ai në një intervistë për "Nju Jork Tajms", duke iu përgjigjur pyetjes nëse është i përgatitur të futet në luftë për ta mbrojtur Ukrainën nëse Rusia shkel kushtet e armëpushimit dhe përsëri kryen invazion.
Trampi tha se beson që presidenti rus Vlladimir Putin është ende i gatshëm të bëjë paqe.
“Mendoj se ai (Putini) dëshiron të bëjë marrëveshje. Por kam menduar gjatë për këtë… Kam pasur raste kur kam përfunduar gjithçka me Putinin dhe (presidenti ukrainas Volodimir) Zelenski nuk donte të lidhte marrëveshje, gjë që më tronditi. Pastaj kam pasur raste kur ishte e kundërta. Mendoj se tani të dy duan të bëjnë marrëveshje, por do ta shohim”, shtoi lideri amerikan. Ai nuk pranoi të japë një afat kohor se kur mund të përfundojë lufta.
“Po bëjmë gjithçka që mundemi. Nuk kam një kornizë kohore”, shtoi ai. Trampi tha se nuk është i përgatitur të premtojë rritje të mbështetjes së SHBA-së për Ukrainën nëse Putini vazhdon të kundërshtojë armëpushimin.
"Thjesht nuk dua të jem në një pozicion për ta thënë këtë, sepse kam një detyrim të shoh nëse mund të shpëtoj jetë," tha ai.
Në samitin në Paris më herët këtë javë, liderët e Francës dhe Britanisë së Madhe premtuan se do të sigurojnë trupa për të zmbrapsur Rusinë nga një invazion i sërishëm nëse dakordohet për ndërprerje të zjarrit.
Foto: EPA